2006-03-31 18:20:23

Kisha ka nevojë për meshtarë dhe të shuguruar për misionin e saj të shenjtërimit të botës: kështu thuhet në mesazhin e Papës për Ditën
Botërore të Lutjes për vokacionet, që do të kremtohet me 7 maj.


Misioni i meshtarit është i pazëvendësueshëm sepse tejçon dhe zgjat praninë e Krishtit në gjirin e Kishës. Këtë pohoi Benedikti XVI në mesazhin e parë për Ditën Botërore të Vokacioneve që do të kremtohet me 7 maj. Papa vuri theksin edhe tek zgjedhja e jetës rregulltare: mënyrë e dukshme - tha Ati i Shenjtë - e shugurimit marrë në pagëzim.

* * *Mësimi rrjedh nga Ungjilli dhe është i përjetshëm: urata është e fshehta që bën të lindin vokacione të reja në çdo periudhë të kishës. Edhe sot, pra, nevoja për t’i kërkuar Hyjit “punëtorë për të korrat e tij” është gjallërisht e dallueshme dhe “nuk të habit fakti se atje ku ka lutje me afsh, lulëzojnë vokacionet.” Këto janë konsideratat përfundimtare të Benediktit XVI në Mesazhin e tij kushtuar atyre që kanë zgjedhur Krishtin ose që janë ende në zgjedhje e sipër të rrugës së tyre. Papa pohon pa farë dyshimi se “për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit dhe për t’u vënë në rrugë nuk është e nevojshme të jesh perfekt.” “Brishtësia dhe caqet njerëzore – shpjegon Ati i Shenjtë – nuk përbëjnë një pengesë, me kusht që të kontribuojnë për të na bërë më të vetëdijshëm se kemi nevojë për hirin shëlbues të Zotit.”
T’i shkosh prapa Zotit si meshtar apo si i shuguruar është një mundësi “me të vërtetë mahnitëse”, shkruan Benedikti XVI, i cili njeh gjithashtu se mahnitja nga hyjnorja është “e vështirë për t’u përceptuar sot” nën “peshën e dymijë vjetëve histori.” Sidoqoftë vijon Papa, përpara syve të atyre që e ndjejnë se Zoti i do, mbesin shembujt e “shumë burrave dhe grave” që përgjatë shekujve, “të shndërruar nga dashuria hyjnore ia kushtuan jetën e vet çështjes së Mbretërisë [Qiellore]. ”Te të thirrurit e tyre - vëren Papa – gjehet shumëllojshmëria e vokacioneve gjithnjë të pranishme në Kishë” sipas shëmbëlltyrës së Virgjërës. Por të gjithë të krishterët -vëren pak më tutje Benedikti XVI - janë “fis i zgjedhur”, janë populli i Zotit. Të gjithëve u drejtohet thirrja për shenjtërinë, e cila është “universale” për nga natyra. Kisha vetë, - ripohon Papa - , “është e shenjtë, edhe pse gjymtyrët e saj kanë nevojë të pastrohen”, në mënyrë që shenjtëria të ndriçojë te ta “deri në shkëlqimin e vet të plotë.”
Në gjirin e popullit të Zotit bie në sy, pra, thirrja meshtarake si shenjë e atësisë së Zotit, së krijesave të tija. Prandaj, “misioni i meshtarit në kishë është i pazëvendësueshëm” e, edhe pse në disa zona të botës Kisha po vuan nga mungesa e klerikëve, “nuk duhet të tkurret kurrë – nënvizon Papa – siguria se Krishti vazhdon të nxisë njerëz” të impenjuar, në vazhdën e Apostujve, në predikimin e Ungjillit, në mësimin e Fjalës, në të dhënit e sakramenteve.
Mesazhi mbyllet me lavdërimin nga Papa të vokacionit të përcaktuar si “special” për jetën e shuguruar, që tërheq burra e gra “për t’i shkuar prapa vetëm Krishtit”, përmes shërbimit ndaj të sëmurëve dhe të rinjve.










All the contents on this site are copyrighted ©.