2006-03-31 18:29:57

Besimtarët përgatiten të kremtojnë kryevjetorin e vdekjes së Papës Vojtila. Të dielën, nata e lutjes në Sheshin e Shën Pjetrit me Benediktin XVI


(31. 03. 06 R. V.)RealAudioMP3 Populli i Zotit, plot emocion e mirënjohje, përgatitet të përkujtojë kryevjetorin e vdekjes së Gjon Palit II; të dielën e ardhshme në Sheshin e Shën Pjetrit do të mbahet nata e lutjes në praninë e Benediktit XVI.
Besimtarët e mbarë botës përgatiten të kujtojnë përvjetorin e parë të vdekjes së Gjon Palit II. Çasti kulmor i të gjitha kremtimeve do të jetë nata e lutjes, organizuar nga dioqeza e Romës, në Sheshin e Shën Pjetrit, mbrëmjen e së dielës, 2 prill. Rruzares Shenjte do t’i prijë kardinali Ruini. Mbrëmja e lutjes do të fillojë në orën 20. 30 me leximin e disa shkrimeve të Karol Vojtilës. Në orën 21 Benedikti XVI do të dalë në dritaren e studios së tij për të bashkuar zërin me turmën e besimtarëve në vijim të Rruzares Shenjte. Më pas, në orën 21. 37, pikërisht në atë orë kur një vit më parë ndërronte jetë Gjon Pali II, Benedikti XVI do t’u drejtojë fjalën të pranishmëve dhe do të japë Bekimin e tij apostolik. E në sa vijojnë të shtohen dëshmitë e dashurisë për Papën Vojtila, me të njëjtin ritëm vijon edhe Çështja e lumnimit të Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II. Po në ç’ pikë është arritur deri tani? Të ndjekim postulatorin e Çështjes, Imzot Slavomir Oder, në mikrofonin e Radios sonë:
***
- Pas hapjes së çështjes, natën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, dhe krijimit të gjykatës përkatëse, nisi pa humbur kohë puna e kësaj gjykate. U përpilua lista e dëshmitarëve e filluan të dëgjohen dëshmitë e tyre. Tani jemi pikërisht në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve, ndërsa paralelisht, punon edhe komisioni historik, i cili po mbledh dokumentet që lidhen me Shërbëtorin e Zotit. E pastaj, rruga e tretë që po ndiqet, është ajo e mrekullisë: çështja është hapur në Francë.
***
- A mund të na thoni diçka më shumë për këtë çështje?
***
- Bëhet fjalë për zhdukjen e simptomave të sëmundjes së Parkinsonit, nga e cila kishte nisur të vuajë prej disa vitesh një murgeshë e re. Pas lutjeve të lartuara nga e gjithë bashkësia për ndërmjetësim – këto shenja u zhdukën menjëherë e plotësisht.
***
- Monsinjor Oder, a mund të shpejtohet koha e procesit për lumnimin e Gjon Palit II?
***
- Absolutisht jo. Do të ishte një punë e nxituar. Bëhet fjalë për një personalitet tepër të njohur, jashtëzakonisht të madh, që ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e Kishës e të njerëzimit; e numri i dëshmitarëve nuk është i pakët. Vështirësitë teknike për të koordinuar planin e punës të gjykatës me atë të dëshmitarëve nuk na lejojne, tani për tani, të bëjmë kurrfarë parashikimi në këtë drejtim.







All the contents on this site are copyrighted ©.