2006-03-29 16:54:57

Shenjti i ditës: 29 mars – Shën Sekondi


(29. 03. 06 R. V.) RealAudioMP3 Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Sekondin e Astit, martir
Shenjtin e njohim vetëm nga gojëdhënat. Më të lashtat nisin nga shekulli IX, kur flitet për një Kishë të ngritur në nderim të tij. Gojëdhënat tregojnë se Sekondi ishte bir i një familjeje fisnike pagane nga Asti i Italisë, asokohe koloni romake. Duke pasur një admirim të thellë për martirët e krishterë, shkonte ndër burgje për t’i vizituar. U kthye në fenë e Krishtit falë ndikimit të Shën Kallogjerit të Breshies, për jetëshkrimin e të cilit gjithashtu nuk kemi të dhëna të sakta. Mik i Sapricit, që asokohe ishte prefekt në Asti, shkoi me të në Tortona, edhe kjo koloni romake, ku priste dënimin Marciani, ipeshkëv i vendit, që u martirizua nën Adrianin në fillim të shekullit II.
Dëshmia heroike e Shën Marcianit e shtyu Sekondin të bënte një hap të ri në rrugën e kthimit në fe. Në Milano u takua me Shën Faustinin e Shën Gjovitën, edhe ata në burg. Dëshmia e tyre e bindi përfundimisht të pagëzohej. Por me që nuk kishte ujë – gojëdhëna tregon se një re iu afrua mrekullisht vendit ku ndosheshin dhe lëshoi mbi ta një rrebesh. Ishte ujët e Pagëzimit që reshej nga qielli. Kur Saprici e mori vesh se miku i tij i ngushtë ishte bërë i krishterë, u përpoq me të gjitha mënyrat ta bindte për të hequr dorë, madje nisi ta torturonte. Por si e pa se ishte e kotë, dha urdhër t’ia prisnin kokën më 29 mars të vitit të largët 119. Këtë ditë përkujton sot Kisha katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.