Në audiencën e përgjithshme Benedikti XVI theksoi se bashkimi kishtar, pasqyrim i
bashkimit trinitar, hap udhën drejt paqes duke shëruar plagët e konflikteve e të vetmisë
(29. 03. 06 R.V.) Sot në audiencën
e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI theksoi
se bashkimi kishtar, dhuratë e pasqyrim i bashkimit trinitar, ndihmon për kapërcimin
e konflikteve ndërmjet popujve dhe i hap rrugën paqes.
Bashkimi i Atit
me Krishtin e me Shpirtin Shenjt i përgatit njerëzit për të ecur në rrugën e paqes,
sepse bashkon kombet dhe zhduk nga zemra njerëzore vetminë, e keqe që sot na kërcënon
të gjithëve. Këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, që u mbajt paradite
në Sheshin e Shën Pjetrit në praninë e një turme prej rreth 50 mijë besimtarësh e
shtegtarësh, ardhur nga vise të ndryshme të Italisë e të botës. *** “Bashkimi
vëllazëror” që i lidh anëtarët e Kishës ka, si të thuash, një ‘Adn’ hyjnore, Adn-në
trinitare: në këtë lidhje misterioze dashurie, që i bën Atin, Birin e Shpirtin Shenjt
një vetje të vetme, shikojmë modelin dhe burimin e rrjetit të unitetit ndërmjet njerëzve
të lidhur përmes fesë. Por një bashkim i tillë nuk është vetëm shpirtëror. Ka pasqyrime
personale e shoqërore shumë të rëndësishme, që nga çasti kur i bën individët të dalin
nga vetmia e tyre, pajton konfliktet ndërmjet popujve, i hap rrugën paqes. ***
Me katekizmin e tij të tretë kushtuar misterit të lidhjes së Krishtit me Kishën,
që pati si teatër Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga rrezet e ngrohta të diellit
pranveror, përplot me besimtarë, si në të kremtet e mëdha, Benedikti XVI shpjegoi
natyrën e lidhjes së mbinatyrshme të Trinisë Shenjte. E Kisha – vijoi Papa – që prej
njëzet shekujsh, është shenjë tokësore dhe historike e kësaj lidhjeje. Një Kishë –
pohoi Ati i Shenjtë – që jetoi, jeton e do të jetojë pikërisht prej këtij bashkimi,
të krijuar nga Krishti e të përjetësuar nga Apostujt: *** “Të Dymbëdhjetët
patën kujdes të caktojnë pasardhësit, në mënyrë që misioni i besuar të vijonte edhe
pas vdekjes së tyre. Në rrjedhë shekujsh Kisha, e ndërtuar organikisht nën udhëheqjen
e barinjëve të ligjshëm, vijoi të jetojë në botë si mister bashkimi, në të cilin
pasqyrohet në një farë mase vetë bashkimi trinitar”. *** Më Pas Benedikti
XVI pohoi se ky bashkim i posaçëm shpirtëror ushqehet nga Eukaristia, duke u bërë
kështu dhuratë për burra, për gra, për popuj të tërë: *** “Ky rrjet bashkimi,
që rrok botën mbarë, është afrim i botës së ardhshme në kohët tona. Është dhuratë
me pasoja shumë reale: na bën të dalim nga vetmitë tona. Nuk është e vështirë të
kuptojmë sa e madhe është kjo dhuratë; mjafton të mendojmë për copëzimet e për konfliktet
që i dëmtojnë rëndë marrëdhëniet ndërmjet grupeve të veçanta dhe popujve. E në se
nuk do ta kishim dhuratën e bashkimit në Shpirtin Shenjt, copëzimi i njerëzimit do
të ishte i pashmangshëm”. *** Në këtë skenë lëviz e vepron Kisha, shembull
i pamohueshëm – ndonëse me kufizimet e veta – pohoi Papa - i lidhjes së dashurisë
dhe unitetit ndërmjet qiellit e tokës: *** “Kisha, pavarësisht nga të gjitha
ligështitë njerëzore që i takojnë figurës historike të saj, shfaqet kështu si krijim
i mrekullueshëm dashurie, i realizuar për ta bërë Krishtin të afërt me çdo burrë e
çdo grua që dëshiron vërtetë ta takojë, deri në mbarim të kohëve. E në Kishë Zoti
mbetet gjithnjë bashkëkohas me ne. Shkrimi Shenjt nuk është diçka që i përket së kaluarës,
por flet për të sotmen. Edhe sot, gjithnjë me ne, na jep dritë, na tregon udhën e
jetës, na bashkon e kështu na përgatitë, na hap rrugët e paqes”. *** Para
se të përshëndetej me njerëzit e shumtë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, që zgjatnin
duart për të shtrënguar duart e Papës, Ati i Shenjtë përshëndeti, ndërmjet grupeve
të tjera, një grup rregulltaresh, pjesëmarrëse në kursin e USMI-t (Bashkimit të Eproreve
të Mëdha të Italisë). E më pas, një nxitje përfundimtare, e frymëzuar nga periudha
aktuale liturgjike: *** “Koha e Kreshmëve, me ftesat e përsëritura për pendesë,
ju priftë, të dashur të rinj, drejt dashurisë gjithnjë më të vetëdijshme për Krishtin
dhe Kishën e tij; shtoftë në ju, të dashur të sëmurë, vetëdijën se Zoti i kryqëzuar
është pranë jush në orën e provës; ju ndihmoftë juve, bashkëshortë të rinj, ta bëni
vatrën tuaj familjare, vend ku vijon të lulëzojë dashuria besnike e bujare”.