Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Sikstin III papë
(28. 03. 06 R. V.) Meshtar romak, Siksti
u zgjodh Papë më 31 korrik të vitit 432. Ishte i treti papë me këtë emër. Sapo u ul
në fronin e Shën Pjetrit, u kujdes posaçërisht për ndërtimin e kishave të reja dhe
për ndreqjen e atyre ekzistuese. Rindërtoi dhe zbukuroi bazilikën Liberiane, të cilën
ia kushtoi “Virgjërës Mari, Nënës së Zotit”. Prej këndej emri “Shën Maria e Madhe”
që mban sot njëra nga bazilikat më të mëdha të Romës e të botës. Siksti III përfundoi
edhe ndërtimin e Kishës së Shën Sabinës dhe ngriti bazilikën e Shën Lorencit në Luçina.
U quajt kështu, sepse u ndërtua ngjitur me shtëpinë e matronës romane, Luçinës. Rindërtoi
edhe batisterin e bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, ndërtuar nga Kostandini i Madh
në formë rrethi, duke i dhënë formën e tetëkëndëshit. Me këtë formë ka arritur deri
në ditët tona. Pati fatin e madh të mos e shikonte plaçkitjen e Romës nga Vandalët,
sepse ndërroi jetë më 19 gusht të vitit 440, pak para sulmit të këtyre fiseve barbare.
U varros në Kishën e Shën Lorencit jashtë mureve të Romës.