2006-03-27 18:14:24

Papa i kërkon presidentit afgan Karzai lirimin e shtetasit të kthyer nga islamizmi në kristianizëm


(27. 03. 06 R.V.) Papa i kërkoi presidentit Karzai lirimin e shtetasit afgan të kthyer nga islamizmi në fenë e krishterë, i cili rrezikon të dënohet me vdekje.

 
Papa i ka kërkuar presidentit afgan, Hamid Karzai, arkivimin e rastit të Abdyl Rrahmanit, shtetas afgan, që rrezikohet të dënohet me vdekje sepse është kthyer në fenë e krishterë, duke braktisur Islamin. Kështu njofton drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Joakin Navarro-Valls:
***
Në një mesazh të shkruar nga Kardinali Angelo Sodano, që mban datën 22 mars, thuhet se thirrja e Papës frymëzohet nga “mëshira e thellë njerëzore”, nga “bindja e patundur e dinjitetit të njeriut” e nga “respekti për lirinë e ndërgjegjes e të fesë, që duhet ta gëzojë çdo njeri”. “Jam i sigurtë – Zoti President – shkruan Kardinali në emër të Papës, se duke e mbyllur çështjen e zotit Rahman, do ta nderonit popullin afgan e do të siguronit miratimin e mbarë bashkësisë ndërkombëtare. Do të kontribuonit, kështu, në mënyrë domethënëse, në misionin tonë të përbashkët për promovimin e mirëkuptimit reciprok dhe të respektit ndërmjet feve e kulturave të ndryshme në botë”.
Abdyl Rahmani, 41 vjeç, është pagëzuar në moshën 16 vjeçare në Gjermani e tani është ndër pranga në një burg të Kabulit: është akuzuar për braktisje të fesë nga familjarët e ish-gruas pas një grindjeje lidhur me kujdesin për vajzën. Pasi u gjet me Bibël në dorë, u burgos menjëherë. I thanë se po të rikthehej në fenë islame, nuk do të pësonte asnjë të keqe. Në një intervistë dhënë gazetës italiane ‘La Repubblica’ Rahmani pohoi se e ndjen veten krejt të qetë e të gatshëm për të përballuar pasojat e kthimit në kristianizëm: “Jam plotësisht i vetëdijshëm për rrugën që kam zgjedhur “ – tha Rahmani – e në se duhet të vdes, do të vdes. Dikush, kohë më parë, e ka bërë këtë për të gjithë neve!”.
**
Këto ditë, mbarë bota është mobilizuar për ta shpëtuar Rrahmanin: qeveritë e katër vendeve të Natos që kanë trupa në Afganistan, Italia, SHBA, Kanadaja e Gjermania kanë kërkuar lirimin e të burgosurit. Edhe Konferenca Ipeshkvnore Italiane ka ndërhyrë publikisht për të shpëtuar të konvertuarin.
Por ndërsa zëdhënësi i presidencës së Republikës afgane ka njoftuar se Rrahmani mund të lirohet, nuk janë të paktë imamët afganë, që duke predikuar ndër xhamí, kërkojnë zhvillimin e procesit dhe dënimin me varje në litar. Sharia, ligji koranik, i ndalon myslimanët të ndërrojnë fe e për një faj të tillë sanksionon dënimin me vdekje.Kushtetuta afgane njeh lirinë fetare, por me kusht që të mos i kundërvihet sharisë apo ligjit fetar Islam. Për një rrugëdalje të mundshme foli javën e kaluar gjykatësi i ngarkuar me çështjen: mënyra e sjelljes së Rrahmanit, sipas tij – të bën të mendosh për një sëmundje të mundshme mentore e, në se kjo provohet, akuza bie poshtë. Gjykata e Lartë afgane njoftoi sot se do të zhvillojë hetime mbi gjendjen shëndetësore të njeriut që rrezikohet ta paguajë me varje në litar besojmën e tij të re.







All the contents on this site are copyrighted ©.