Komisioni qëndror i zgjedhjeve në Ukrainë bëri të njohura disa nga rezultatet e votimeve
parlamentare që u zhvilluan dje. Të dhënat, që bazohen vetëm te 10 përqind e fletëve
të votimit, tregojnë se deri tani kryeson partia filorusse e Janukoviçit, deputetët
e së cilës kanë epërsi kundrejt atyre të presidentit Jushenko.
Me qindra
vetë dolën në shesh në Kabul për të protestuar kundra vendimit të qeverisë për lirimin
e shtetasit afgan Abdul Rahman që është bërë i krishterë. Demonstruesit kërkuan që
i pandehuri të dënohet sipas ligjit islamik. Dje Gjykata e Lartë e Kabulit shqyrtoi
aftësitë mendore të Rahmanit në mënyrë që ta shpëtojë të akuzuarin.nga vdekja e sigurtë.
Përsëri një ditë lemerish në Irak, ku pati me dhjetra viktima. Një sulm
me raketa i rebelëve në Bagdadit shkaktoi dy të vdekur ndër civilët dhe 10 të plagosur.
Por atentati më i rëndë ndodhi në Mosul në veri të vendit, ku një autobombë shpërtheu
në qendrën e rekrutimit të policisë irakiane. Mbetën të vrarë 30 persona. Ndërsa në
Bakubë u gjetën 30 trupa njerëzish pa kokë, viktima të konfliktit mes shiitëve dhe
sunitëve.
“Bashkimi Evropian nuk do t’i sjellë shpinën popullit palestinez
por përfaqësuesit e rinj të qeverisë duhet të zgjedhin atë çka është e drejtë për
paqën.” Kështu deklaroi komisari evropian për lidhjet e jashtëme, Benita Ferrero-Waldner.
Do
të gjykohet për prishje të rendit publik ish-diplomati polak që u arrestua në Minsk
gjatë protestave të opozitës. Mariush Maskieviç, ambasador i Polonisë në Bjellorusi
nga 1998 deri në 2002, drejton tani një organizatë joqeveritare për promovimin e lidhjeve
mes Polonisë dhe Bjellorusisë. Ndërsa qeveria e Lukashenkos e akuzon ish-diplomatin
se është i paguar nga amerikanët që të rrëzojë qeverinë e Minskut.
“Nesër
zëvendësnegociatori Rohan do të sjellë një dokument të analizave të tij rreth negociatave
për Kosovën por unë nuk mund të japë mendime pa e lexuar më parë këtë dokument dhe
pa parë përmbajtjen e tij”. Kështu u shpreh presidenti i Kosovës Prof. Fatmir Sejdiu
një ditë para vizitës së diplomatit austriak në Prishtinë.