2006-03-25 18:31:46

Rubrika “Shenjtorët e Javës”


(26. 03. 06 R.V.) Sot, e Diela IV e Kreshmëve, Kisha katolike përkujtoi edhe Shën Kastulin, martir.
***
Nesër, e hënë, do të kremtojë Shën Aleksandrin dhe Shën Rupertin, ipeshkëv i Salcburgut. Leximet liturgjike të festës së Shenjtorëve na kujtojnë se Jezusi, profet i vërtetë i mbretërisë së Hyjit, shtegtoi vazhdimisht nga Judeja në Galilé për të kumtuar Ungjillin, duke na mësuar se çdo mesazh i krishterë është misionar për vetë natyrën e tij.
***
Të martën do të përkujtohen Shën Kastori, martir dhe Shën Linda. Gjithë jeta e tyre ishte një lutje e vazhdueshme drejtuar Zotit: “Na shpëto, o Zot, me praninë tënde në jetën tonë!”.
***
Të mërkurën e ardhshme do të përkujtohen Shën Sekondi i Astit dhe Shën Eustazi, ipeshkëv i Napolit. Na kujtojnë se, ashtu si Jezusi, duhet të përpiqemi vazhdimisht të bëjmë vullnetin e Atit, që e dërgoi Birin e tij në botë. E ky është edhe nderimi më i madh që mund t’i bëjmë Hyjit në vërtetësi.
***
Të enjten do të përkujtohen Shën Gjon Klimaku abat i Sinait dhe Shën Amedeu IX i Savojës. Në sa Kreshmët kanë arritur tashmë në gjysmë të rrugës, të bëjmë tonën lutjen e përvujtë të dy shenjtorëve: “Fali, o Zot, mëkatet e popullit tënd”.
***
Të premten e ardhshme Kisha katolike do të kremtojë Shën Amosin, Shën Balbinën, matronë romake dhe Shën Beniaminin, diakon e martir. Jeta e tyre na kujton se mesazhi i Jezusit duket aq shqetësues, sa ndokush mund të marrë guximin të mendojë për ta zhdukur. Por ora e flijimit për shëlbim caktohet sipas planit të Atit, jo sipas interesave njerëzore.
***
Të shtunën do të kremtohen Shën Ugo, ipeshkëv i Grenobles dhe Shën Venanci, ipeshkëv i Salonës e martir. Na kujtojnë se çdo njeri që beson vërtetë mund të gjejë strehim tek Zoti, sidomos në çastet më të vështira të jetës.









All the contents on this site are copyrighted ©.