2006-03-24 18:50:17

Në Koncistorin e parë të Papnisë së Tij Benedikti XVI krijoi 15 kardinaj të rinj


(24. 03. 06 R.V.) RealAudioMP3 Bashkëpunëtorë të ngushtë të Papës në kujdesin për Kishën, në shërbimin ndaj më të varfërve e në dialogun për bashkimin e gjithë të krishterëve: me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI 15 kardinajve të rinj, krijuar në Koncistorin solemn, që u kremtua sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Me një kremtim solemn në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI krijoi sot paradite 15 kardinaj të rinj gjatë Koncistorit të zakonshëm publik kryesuar prej Tij. Kështu, që sot, Kolegji Kishtar ka 193 anëtarë nga të cilët, 120 me të drejtë zgjedhore. Gjatë ritit, i cili zgjati një orë e gjysëm, Benedikti XVI u kujtoi kardinajve të rinj, që iu betuan për besnikëri, detyrën për të jetuar si bashkëpunëtorë të parë të Papës e si dëshmitarë sypatrembur të Krishtit e të Ungjillit të Tij në qytetin e Romës e ndër viset më të largëta të tokës.
***
Por, të ndjekim kronikën e kësaj ngjarjeje të madhe.
Veshja e kuqe e kardinajve e bën njeriun që e mban, shembull të dashurisë së Krishtit. E kuqja, që na kujton martirizimin e Krishtit, është edhe simbol i dashurisë që duhet t’i transmetohet Kishës universale, i gjallërimit të shërbimit ndaj të varfërve, i mbështetjes së rrugës që çon në bashkimin e gjithë të krishterëve. Por është edhe ngjyrë, e cila e bën atë që e mban, bashkëpunëtor të ngushtë të Papës, brënda një rrethi të ngjashëm me një “Senat”, që qëndron në krye të hjerarkisë kishtare. Me këto koncepte Benedikti XVI, duke kryesuar Koncistorin e tij të parë, shpjegoi rolin e Kolegjit Kardinalor dhe thelbin e detyrës që i pret 15 anëtarët e rinj, të cilët u pranuan sot në gjirin e tij:
***
“Të nderuar e të dashur vëllezër, dëshiroj të përmbledh kuptimin e thirrjes suaj të re në fjalën që e kam vënë në qëndër të Enciklikës sime të parë: caritas – dashuri. Kjo fjalë pajtohet mrekullisht edhe me ngjyrën e petkut kardinalor. Veshja e kuqe që mbani, qoftë gjithnjë shprehje e dashurisë së Krishtit, duke ju nxitur ta doni me pasion Jezusin, Kishën e Tij e mbarë njerëzimin”.
***
Me kazulën prej kadifeje të kuqe, mes dritë-hijeve, krijuar nga lëvizjet e reve që herë pas here çaheshin, për t’i lënë rrezet e diellit të derdheshin mbi bazilikën e Vatikanit, Benedikti XVI përshkoi Sheshin e Shën Pjetrit, ku e priste një turmë prej 15 mijë vetësh – ndërmjet të cilëve, shumë autoritete civile nga vise të ndryshme të botës – dhe arriti pak minuta para orës 10. 30 në elterin e përgatitur mbi treme. Përbri elterit, pak më poshtë, ishin radhitur kardinajtë e rinj, me kokë ende të zbuluar- ndërsa mbi tryezë prisnin 15 kapuçat me ngjyrë të kuqe. Menjëherë pas riteve fillestare, i takoi pasardhësit të kardinalit Ratzinger në udhëheqje të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kryeipeshkvit Uilliam Jozef Levada, detyra për ta falënderuar Papën, por sidomos për t’i shprehur, edhe në emër të të tjerëve, besnikërinë e të sapozgjedhurve në detyrën, që shprehej simbolikisht nga veshja e re:
***
“E ndjejmë thellësisht detyrën me përgjegjësi të rëndë, që do përkushtim edhe më të madh e që pikërisht për këtë kërkon impenjimin ngulmues të dashurisë së plotë e të besnikërisë pa kushte ndaj Krishtit Zot e popullit të krishterë, të cilit i shërben apostullimi ynë e veprimtaria jonë baritore”.
***
Pas leximit të fragmenteve nga Shkrimi Shenjt dhe nga Ungjilli, Benedikti XVI mbajti homelinë, duke kujtuar Koncistoret e mëparshme të kryesuara nga Papa Gjon Pali II, që kontribuan në mënyrë vendimtare – vërejti Ati i Shenjtë – për ta përtërirë Kolegjin Kardinalor në përkim me orientimet e Palit VI dhe të Koncilit II të Vatikanit:
***
“Në se është e vërtetë se gjatë shekujsh shumë gjëra kanë ndryshuar përsa i përket Kolegjit Kardinalor, mund të themi se nuk ka ndryshuar asgjë nga thelbi dhe natyra esenciale e këtij organizmi të rëndësishëm kishtar. Rrënjët e tij të lashta, zhvillimi i tij historik dhe struktura e tij e sotme e bëjnë vërtetë një lloj “Senati”, që është i thirrur të bashkëpunojë ngushtësisht me Pasardhësin e Pjetrit në përmbushjen e detyrave që lidhen me ministerin e tij universal apostolik”.
***
Më pas Benedikti XVI e drejtoi reflektimin e tij tek roli i shërbyesit, për të cilin janë të thirrur, sipas modelit të Krishtit, të gjithë pasardhësit e Apostujve, duke filluar nga Papa, që s’është tjetër, veçse ‘servus servorum Dei” – ‘Shërbëtor i shërbëtorëve të Hyjit’. Detyra e Papës është të bëhet i pari - shërbëtor i të gjithëve – pohoi Benedikti XVI, i cili mori shtytje nga fjalët e Shën Pjetrit në Leximin e parë, për të ripohuar vlerën e posaçme të njeriut të moshuar në gjirin e Kishës. I moçmi – tha Papa - falë përvojës së grumbulluar gjatë viteve dhe provave të përballuara e të kapërcyera, duhet të jetë posaçërisht ‘i sintonizuar’ me gjallërinë e thellë të misterit të Pashkëve. Sa herë, vëllezër të dashur, që pas pak do të merrni dinjitetin kardinalor, keni gjetur në këto fjalë – vijoi Papa – shkas për të medituar e shtytje për të ndjekur gjurmët e Zotit të kryqëzuar e të ngjallur.
***
“Ato do të kenë një konfirmim të ri e impenjativ në atë që përgjegjësia e re kërkon nga ju. Të lidhur më ngushtësisht me Pasardhësin e Pjetrit, jeni të thirrur të bashkëpunoni me të në përmbushjen e shërbimit të tij të veçantë kishtar, e kjo do të thotë për juve, pjesëmarrje më e thellë në misterin e Kryqit, në vuajtjet e Krishtit”.
***
Në këtë pikë, Benedikti XVI vuri theksin mbi lidhjen e thirrjes së re të shërbimit kardinalor dhe temës së Enciklikës së tij të parë - mbi dashurinë:
***
“Ajo pajtohet edhe me ngjyrën e veshjes kardinalore. Uroj – shtoi Papa- që veshja juaj e kuqe të jetë gjithnjë shprehje e caritas Christi, duke ju nxitur për një dashuri të pasionuar për Jezusin, për Kishën e Tij e për njerëzimin. Tani keni një arsye më tepër për të rijetuar të njëjtat ndjenja, të cilat e shtynë Birin e Zotit, që u bë njeri, të derdhë gjakun e tij për shlyerjen e mëkateve të mbarë njerëzimit”.
***
Disa herë telekamerat munden të fiksojnë shprehjet e kardinajve të rinj, posaçërisht kur Papa, katër herë me radhë, u përsëriti me këmbëngulje kardinajve të rinj: “Kam shumë besim tek ju” - duke nisur – u kërkoi Ati i Shenjtë - nga detyra për t’i kumtuar botës se “Zoti është dashuri”.
***
“Kam shumë besim tek ju, të dashur vëllezër kardinaj, që parimi i dashurisë të rrezatojë e ta gjallërojë Kishën në çdo gradë të hjerarkisë së saj, në çdo bashkësi e Institut rregulltar, në çdo nismë shpirtërore, apostolike e të gjallërimit shoqëror. Kam shumë besim tek ju, që përpjekja e përbashkët për ta ngulur vështrimin tek zemra e hapur e Krishtit ta bëjë më të sigurtë e më shpejtë ecjen drejt bashkmit të plotë të krishterëve. Kam shumë besim tek ju që, në sajë të vlerësimit të të vegjëlve e të të varfërve, Kisha t’i ofrojë botës në mënyrë energjike kumtimin dhe sfidën e qytetërimit të dashurisë”.
***
Emocioni i të pranishëmve, shoqëruar edhe me duartrokitje të shumta, u bë edhe më i fuqishëm në kulmin e kremtimit, kur Papa u vuri kardinajve të rinj kapuçat kardinalorë dhe u dorëzoi Titullin ose Diakoninë. Një nga një kardinajtë kaluan para Papës, duke nisur nga kardinali Levada, e duke vijuar me tre italianë, Agostino Vitellinin, prefekt i Senjaturës Apostolike, kryeipeshkvin e Bolonjës Karlo Kafarra dhe kryeipeshkvin Andrea Cordero Lanza di Montexemolo – njëri nga të tre pa të drejtë zgjedhore, së bashku me jezuitin, Atë Albert Vanhoi dhe kryeipeshkvin e nderit të Tamalit, në Ganë, Peter Poreku Deri. Ky i fundit, i detyruar të lëvizë me karrocinë, mori kapuçin nga Papa dhe u përkul ta përqafonte, ndërmjet duartrokitjeve të stuhishme të turmës. E një duatrokitje tjetër shpërtheu kur Benedikti XVI i vuri kapuçin e kuq sekretarit të Papës Wojtyla, kryeipeshkvit të Krakovisë, Stanislau Dxhivish.
Përqafimi ndërmjet kardinajve dhe lutja universale në gjashtë gjuhë të ndryshme, shënuan edhe përfundimin e ritit. Por edhe një here telekamerat kërkuan një fytyrë të veçantë ndërmjet kardinajve – atë të kryeipeshkvit të Hong Kongut, Jozef Çen- Y-Qyn, kur në Sheshin e Shën Pjetrit jehoi lutja e parafundit në gjuhën kineze. Ishte një lutje prekëse drejtuar Zotit, duke i kërkuar lirinë e besimit për të krishterët e persekutuar.
*** “Të lutemi – për të gjithë ata që vuajnë nga shkaku i besimit të tyre të krishterë; që në lutje të ndjehen të sigurtë se janë të bashkuar me Kishën mbarë e se një ditë do të mund të korrin plot gëzim, frytet e farës që për shumë vjet e mbollën me duresë e dashuri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.