2006-03-22 17:57:12

Apostujt janë dëshmitarë të Krishtit në mbarë botën; në audiencën e përgjithshme, Papa bëri thirrje edhe për të ndihmuar të sëmurët nga turberkulozi


(22. 03. 06 R.V.) RealAudioMP3 ‘Dëshmitarë të Jezusit deri në kufijtë më të largët të Tokës’: në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin rolit të Apostujve të dërguar nga Krishti. Ati i Shenjtë bëri edhe thirrje për t’i ndihmuar të sëmurët nga tuberkulozi.***Kumtimi i shëlbimit i përket gjithë botës e apostujt – të Dymbëdhjetët e fillimit, ashtu si apostujt e sotëm, e kanë për detyrë të jenë dëshmitarë të Krishtit deri në kufijtë më të skajshëm të tokës. Kjo është edhe sinteza e katekizmit, mbajtur sot paradite nga Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit në praninë e 35 mijë besimtarëve. Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa bëri thirrje për të sëmurët nga tuberkulozi, posaçërisht për më të varfërit, duke kërkuar për ta mjekime të përshtatshme e solidaritet. ***
Të rrish me Jezusin, deri sa të bëhesh ekspert, për ta dëshmuar më pas Atë – e jo një ide – në të katër anët e botës, sepse shëlbimi i Tij është për të gjitha kombet. Përshkrimi që Bendikti XVI u bëri Apostujve në audiencën e përgjithshme, është gati-gati një identikit shpirtëror i ungjillëzuesit të sotëm. Papa vijoi të zhvillonte fillin e katekizmit të filluar të mërkurën e kaluar, kushtuar lidhjeve ndërmjet Apostujve dhe Kishës, duke reflektuar këtë herë mbi rolin e të ‘dërguarve’, që karakterizon jetën e të Dymbëdhjetëve. Si kujtoi fragmentet ungjillore, që rrëfejnë thirrjen e nxënësve të përqendruar në punë e më pas peshkimin e mrekullueshëm, Ati i Shenjtë përshkroi rrethanat që e çojnë një grup peshkatarësh nga puna me rrjetat në ndjekjen e Krishtit:*** “Posaçërisht peshkimi i mrekullueshëm përbën një rrethanë të drejtpërdrejtë dhe ofron simbolin e misionit të peshkatarëve të njerëzve, që u besohet Apostujve. Fati i këtyre “të thirrurve”, tani e tutje, do të jetë i lidhur ngushtësisht me atë të Jezusit. Apostulli është njeri i dërguar, por, para kësaj, ekspert i Jezusit”.***Ndërmjet ungjilltarëve, Gjoni paraqet një skenë të ndryshme të thirrjes për të ndjekur Jezusin. Kjo thirrje ndodh në bregun e Jordanit, ku është Shën Gjon Pagëzuesi ai që ia tregon Mesisë apostujt e ardhshëm. E në atë ‘ejani e do të shikoni’ me të cilën Jezusi i fton ta ndjekin, përmblidhet – shpjegoi Papa – gjithë kuptimi i thellë i zgjedhjes së tyre:***“Aventura e Apostujve fillon kështu, si takim i njerëzve që ia hapin zemrën njëri-tjetrit. Nis për nxënësit njohja e drejtpërdrejtë e Mësuesit. Ata, në të vërtetë, nuk duhet të jenë lajmëtarë të një ideje, por dëshmitarë të një vetje. Para se të dërgohen për të ungjillëzuar, duhet të rrinë me Jezusin, duke krijuar me të një lidhje personale. Mbi këtë bazë, ungjillëzimi nuk do të jetë tjetër, veçse kumtim i asaj që është jetuar dhe ftesë për të hyrë në misterin e bashkimit me Krishtin: për t’u afruar e për të mësuar ku banon, për ta njohur, për ta parë e për të kuptuar, kështu, se ai është Mesia”.***Kumtim e mister që u përket njerëzve të të gjitha epokave e të gjitha viseve – theksoi Papa – pavarësisht nga një farë kritike me frymëzim racionalistik, sipas së cilës në misionin e Jezusit, drejtuar fillimisht bashkëvendësve, mungon vetëdija universalistike e Nazarenit. Nuk është aspak fjala për këtë – shpjegoi Papa – por kufizimi fillestar i misionit të Jezusit dhe të tijve në Izrael, bëhet shenjë profetike më efikase e një shëlbimi që u takon të gjithëve:***“Pas Mundimeve dhe Ngjalljes së Krishtit, kjo shenjë do të sqarohet. Karakteri universal i misionit të Apostujve do të bëhet plotësisht i qartë. Krishti do t’i dërgojë apostujt në mbarë botën, ndër të gjithë popujt, deri në viset më të largëta të tokës, e ky mision vijon gjithmonë, është mandati i Zotit për t’i bashkuar popujt në unitetin e dashurisë së tij e të fesë së tij. Kjo është shpresa jonë e ky, mandati ynë, të japim ndihmesën për këtë universalitet, për këtë bashkim të vërtetë, në pasurinë e kulturave, në bashkim me Zotin tonë të vërtetë, Jezu Krishtin”. ***Audienca e përgjithshme, që nisi me notat e një kompleksi bandistik, përfundoi me të njëjtat nota, ndërsa ndërmjet përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, kujtojmë atë që Papa i drejtoi dioqezës italiane të Komos, udhëhequr nga ipeshkvi Alesandro Magjolini si dhe thirrjen në prag të Ditës Botërore të OKB-së për luftën kundër tuberkulozit, që do të kremtohet pasnesër. Sipas të dhënave të fundit të OMS-it (Organizatës Botërore të Shëndetit) TBC-ja është sëmundja më e përhapur pas Sidës. Shkakton 5 mijë viktima në ditë, dy milion në vit, posaçërisht ndërmjet njerëzve që jetojnë në mjerim:***“Është një rast i përshtatshëm për të nxitur impenjimin në nivel global, që të sigurohen burimet e nevojshme për t’i mjekuar këta vëllezër të sëmurë, të cilët shpesh jetojnë në kushte të një varfërie të madhe. Inkurajoj nismat e ndihmës e të solidaritetit për njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje, duke uruar që t’u sigurohen gjithnjë kushte dinjitoze jetese”.








All the contents on this site are copyrighted ©.