2006-03-21 18:12:45

Takimi në Vatikan i Vëzhguesve të përhershëm të Selisë së Shenjtë: intervistë me Imzot Lajolon


(21. 03. 06 R.V.) Takimi në Vatikan i Vëzhguesve të përhershëm të Selisë së Shenjtë: na flet kryeipeshkvi Giovani Lajolo:

 
Tema e të drejtave të njeriut, paqja, drejtësia ishin në qëndër të vëmendjes të shtunën e kaluar në fjalimin që Papa Benedikti XVI mbajti para Vëzhguesve të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Organizatave ndërkombëtare qeveritare. Përfaqësuesit papnorë (8 pranë 14 enteve ndërkombëtare) u pritën në audiencë nga Benedikti XVI, pas një takimi dyditor me udhëheqjen e Sekretarisë së Shtetit të Shenjtërisë së Tij. Për këtë takim na flet kryeipeshkvi Gjovani Lajolo, sekretar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, në mikrofonin tonë:
***
- Në fjalimin e shkurtër, por të ngjeshur, që Benedikti XVI u drejtoi atyre në përfundim të punimeve, Papa foli për ‘kontributin themelor’ që japin për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të mirën e përbashkët si dhe për lirinë dhe drejtësinë e vërtetë. Ati i Shenjtë nënvizoi edhe se ata marrin pjesë “me autoritetin dhe përgjegjësinë profetike të Kishës”, që dëshiron ta ngrejë vazhdimisht zërin e saj në mbrojtje të njeriut, edhe atëherë kur politika e shteteve ose shumica e opinionit publik lëviz në drejtim të kundërt.
***
- Diçka më konkrete për veprimtarinë e tyre?
***
- Më konkretisht, përmes kontakteve dhe lajmeve të cilat ata i mësojnë, për vetë pozicionin e tyre, e po ashtu edhe përmes dokumenteve që mund t’i vënë në qarkullim, ose të deklaratave që mund të jepen në seli të ndryshme, Vëzhguesit e përhershëm të Selisë së Shenjtë kanë mundësi të njoftojnë për qëndrimin që mbahet ndaj problemeve të ndryshme në diskutim dhe për arsyet që e motivojnë këtë qëndrim. Është një veprimtari e cila kërkon mprehtësi analize, gatishmëri në ndërhyrje e takt të madh.
***
- Cili ishte qëllimi i këtij takimi?
***
- Në Kongresin e Organizatave Katolike ndërkombëtare, që u mbajt në Jeruzalem në nëntor 2005, përfaqësuesit e të njëjtave Organizata kërkuan një koordinim më të mirë me Selinë e Shenjtë dhe, posaçërisht, Organizatat jo Qeveritare katolike (OJQ), të akredituara pranë Organizatave ndërkombëtare, shprehën dëshirën për të hyrë në një bashkëpunim më të ngushtë me Vëzhguesit e përhershëm të Selisë së Shenjtë. Si përgjigje e kësaj kërkese, qëllimi i parë i takimit të Vëzhguesve të përhershëm ishte pikërisht ky: të shqyrtonte këtë temë: si të favorizohet e të nxitet bashkëpunimi me OJQ-të katolike.
***
- A kishte edhe ndonjë qëllim tjetër të posaçëm?
***
- Një qëllim i dytë ishte edhe ai i shqyrtimit të zhvillimit të të drejtave të njeriut, të vetë koncepteve e, prej këndej, të përmbajtjes që u jepet këtyre koncepteve në gjirin e Organizatave ndërkombëtare. Në të vërtetë ata sot janë subjekte në zhvillim, që nganjëherë pranohen pa pikë skrupulli nga palët e interesuara. Sipas Selisë së Shenjtë kjo përbën, për fat të keq, një regres në këtë çështje, me rreziqe të rënda për individin dhe për shoqërinë njerëzore.
***
- Ç’ ishte kryesore në këtë takim?
***
- Shkëmbimi i opinioneve krijoi, ndërmjet tjerash, mundësinë për të zbuluar kontributin që mund të japin Konferencat e ndryshme Ipeshkvnore për formimin dhe forcimin e OJQ-ve me frymëzim katolik, sepse ato, ndonëse veprojnë në emër të vet, mund të jenë më tepër në përkim me veprimtarinë e Përfaqësuesve Papnorë. OJQ-të, që pasqyrojnë kërkesat dhe idetë e bazës shoqërore, janë shprehje e një dinamike demokratike, ndaj së cilës Organizatat ndërkombëtare janë shumë të ndjeshme e të cilën dëshirojnë ta llogarisin mirë.
***
- E përsa u përket të drejtave të njeriut?
***
- Përsa i përket temës të të drejtave të njeriut u fokalizuan disa problematika, si për çështjet të cilave u duhet kushtuar vëmendje e dorës së parë, ashtu edhe për mënyrën më të mirë që duhet përdorur për ta bërë të kuptueshëm karakterin gjithnjë pozitivo-propozues të qëndrimit të Selisë së Shenjtë.
***
- Në këtë çast kaq delikat ndërkombëtar, cilat janë sfidat kryesore të veprimtarisë diplomatike të Selisë së Shenjtë?
***
- Përfaqësuesit Papnorë e zhvillojnë veprimtarinë e tyre diplomatike në përkim të plotë me Atin e Shenjtë të cilin edhe e përfaqësojnë. Në fjalimin e cituar më lart, Benedikti XVI foli për padrejtësitë me shumë fytyra dhe kujtoi dy prej tyre: së pari, fytyrën e mungesës së interesimit ose të çrregullimit, që arrin të dëmtojë rëndë strukturën e asaj qelize, nga e cila përftohet shoqëria, familjes; së dyti - fytyrën e prepotencës a të arrogancës, që mund të arrijë deri në arbitraritet, duke ia mbyllur gojën atij që nuk ka zë ose që nuk ka forcë ta ngrejë zërin, që ta dëgjojnë të gjithë, siç ndodh në rastin e padrejtësisë, e cila sot është ndoshta më e rënda, shkatërrimit të jetës njerëzore që përgatitet të lindë. Ja dy përparësitë e nënvizuara qartë: fëmija dhe jeta që lind.
***
- Veç tyre, a ka edhe sfida të tjera?
***
- Ka edhe sfida të tjera, që s’janë aspak të dorës së dytë, siç është, për shembull, sfida e urisë dhe e etjes në botë. “L’ Osservatore Romano” e 19 marsit, që botoi fjalimin e cituar të Benediktit XVI, vinte në dukje edhe kontributin e Selisë së Shenjtë në Forumin IV botëror të ujit, që vijonte në Qytetin e Meksikos.
***
- Gjykimi juaj lidhur me “Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut”, që sapo u krijua?
***
- Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut është një zhvillim i natyrshëm i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, me seli në Gjenevë. Në vetvete duhet gjykuar si zhvillim pozitiv, sepse dëshmon rëndësinë në rritje që OKB-ja dëshiron t’i japë temës, duke forcuar autoritetin e organit kompetent që merret me to. Por një Këshill i tillë është vetëm mjet: gjithçka varet nga puna dhe nga marrëveshjet që do të arrijnë 47 anëtarët të cilët e përbëjnë, gjatë mandatit të tyre trevjeçar. Por jo pak nga këto vende i japin të drejtave të njeriut interpretime të kufizuara, ndërsa disa të tjera duan të përfshijnë ndërmjet të drejtave themelore të njeriut, edhe të drejta që nuk janë aspak të tilla. Selia e Shenjtë uron që puna e Këshillit të ri, që sigurisht është i nevojshëm, të jetë e frytshme. Natyrisht ajo do të ndiqet me vëmendje të plotë nga Vëzhguesit e përhershëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.