2006-03-21 17:36:02

Përshëndetja e Papës murgjërve të Montekasinos për Festën e Shën Benediktit, Pajtor i Evropës


RealAudioMP3 (21. 03. 06 R.V.) Papa u jep bekimin e tij apostolik murgjërve benediktinë, të cilët kremtuan festën e themeluesit të tyre, duke e ngarkuar Kardinalin Pol Pupard, që kryesoi sot paradite kremtimin solemn në abacinë e Montekasinos, t’i sigurojë për pjesëmarrjen shpirtërore të Benediktit XVI.

Sot Urdhëri Benediktin kremtoi themeluesin e vet, Shën Benediktin abat. Në këtë datë, që përkon me fillimin e pranverës, kujtohet kalimi i Pajtorit të Evropës në shtëpinë e Atit Qiellor, ndërsa solemniteti i Shenjtit festohet më 11 korrik. Papa i dërgoi përshëndetjet e tij dhe bekimin apostolik murgjërve të Monte Kasinos, duke deleguar kardinalin Pol Pupard, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, i cili kremtoi atje Meshën solemne sot paradite, ndërsa pasdite në qytezën e vogël u organizua një procesion për nder të Shën Benediktit . Në përfundim Abati-ipeshkëv, Bernardo D’Onorio i dha mbarë Evropës bekimin me Reliken e Shenjtit.
***
“Papa më ngarkoi t’ju shpreh të gjithëve afërsinë tij në lutje, pjesëmarrjen e tij shpirtërore në këtë kremtim, interesimin e tij të vazhdueshëm e të thellë për fatet e Evropës e të popujve që e përbëjnë”. Me këto fjalë kardinali Pupard u përcolli të pranishmëve në festë përshëndetjet e Benediktit XVI, duke kujtuar lidhjen e thellë dhe nderimin që ka Papa për Atin e monakizmit perëndimor, gjë të cilën e tregon edhe emri që zgjodhi. Shenjti – ka thënë Papa, përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës dhe na kujton fuqimisht rrënjët e krishtera të kulturës e të qytetërimit të saj. Posaçërisht kardinali nënvizoi citimet e vazhdueshme nga ana e Papës të Regullit të Shën Benediktit, i cili kërkon të mos i kundërvihet asgjë Krishtit. Duke kujtuar enciklikën e Benediktit XVI “Dio Caritas est”, kardinali theksoi me forcë se vetëm duke vënë në plan të parë dashurinë, që e ka masën e vet të plotë e të përkryer në Krishtin, mund të promovohen paqja, harmonia dhe dialogu ndërmjet popujve e kulturave si dhe bashkëpunimi e solidariteti ndërmjet vendeve më të zhvilluara ekonomikisht e atyre që kanë nevojë për mjetet më të domosdoshme të jetesës. Shën Benedikti, i frymëzuar nga Zoti, iu kushtua ndërtimit të qytetit ungjillor të vendosur përmbi mal, vijoi kardinali Pupard, në mënyrë që të mund t’i ndriçonte mbarë popujt, duke i bërë të zhvillohen në harmoni vëllazërore e në paqe. Së fundi kardinali Pupard kërkoi ndërmjetësimin e Pajtorit të Evropës për këtë çast të veçantë historik, që karakterizohet nga konfliktet e nga dhuna, nga moskuptimet e përçarjet, në mënyrë që, sipas shembullit të Shën Benediktit, të mund të ndërtohet në paqe qyteti i njerëzve, në të cilin dashurisë së Krishtit nuk i kundërvihet asgjë!







All the contents on this site are copyrighted ©.