2006-03-20 16:30:38

Benedikti XVI armenëve katolikë: besnikëria ndaj Papës dhe dëshira për dialog ndërmjet Kishave motra janë meritë e Patriarkanës së Kalçedonisë


(20. 03. 06 R.V.) “Besnikëria ndaj Selisë së Shën Pjetrit, më e fortë se persekutimi - dhe dëshira për dialog ndërmjet kishave kristiane motra”: këto janë meritat e Kishës armeno-katolike, sipas Benediktit XVI, që priti sot në Vatikan patrikun Nerses Bedros XIX dhe anëtarët e sinodit.

 
Gjashtëqindmijë besimtarë, të shpërndarë sidomos në Evropën lindore, një kler me 120 meshtarë, mbështetur nga nëntëdhjetë rregulltare. Këto janë shifrat aktuale të Kishës armeno-katolike, e cila sot, me audiencën e patrikut Nerses Bedros XIX Tarmouni në Vatikan, përfundoi një javë takimesh në Romë. Takimi i parë ishte ai i Këshillit të përhershëm të sinodit, ndërsa më pas u mbajt Sinodi i zakonshëm, anëtarët e të cilit u pritën sot paradite në audiencë nga Ati i Shenjtë.
***
Në shekullin XX historia e bëri për një kohë të gjatë, këtë Kishë martirësh, viktimë të së keqes së madhe. Nga rrënjët e këtyre vuajtjeve, agimi i mijëvjeçarit të tretë të krishterë e shikon duke u rritur në një klimë vëllazërimi të rigjetur ndërmjet shpirtrave të saj të ndryshëm: shenjë kjo e bashkimit të plotë, uruar aq herë nga papët. Ndërmjet këtyre dy aspekteve, Benedikti XVI sintetizoi ngjarjet e dhimbshme që kanë tronditur jetën e Kishës së lashtë e fisnike armene, asaj katolike, por edhe asaj apostolike, e cila është ndarë nga Bizanci e nga Roma në Koncilin ekumenik të Kalçedonisë, në vitin 451, si dhe të gjitha besojmave shpirtërore të një populli, të aftë për t’i qëndruar besnik fesë së vet dymijëvjeçare. Patrikut Nerses Bedros XIX dhe Sinodit armeno-katolik Benedikti XVI u shprehu mirënjohjen e thellë për lidhjen e ngushtë me Selinë e Shën Pjetrit në rrjedhë shekujsh. Një lidhje që, posaçërisht në fillimet e Nëntëqindës, u shndërrua në koherencë të paguar me flijimin më të lartë:
***
“Kisha armene, që lidhet me Patriarkanën e Cilicisë, është sigurisht, me të drejta të plota, pjesëmarrëse në ngjarjet historike të jetuara nga populli armen gjatë shekujve e, veçanërisht, në vuajtjet që ka pësuar në emër të fesë së krishterë ndër vitet e persekutimit të tmerrshëm, i cili mbetet në histori me emrin që ka një kuptim famëkeq domethënës ‘metz yeghèrn’ – ‘e keqja e madhe”.
***
Ndonëse të detyruar të copëzohen nga diaspora në zona të ndryshme të Evropës lindore dhe të Lindjes së Mesme, armenët katolikë – theksoi Papa – u përpoqën gjithnjë të integrohen përmes punës dhe dinjitetit të tyre në shoqërinë ku jetonin, por duke vijuar kudo e kurdoherë ta dëshmojnë besnikërinë ndaj Ungjillit. E kjo edhe për meritë të rolit bashkues që luajti Patriarkana me seli në Liban. Por për rrugën drejt bashkimit Papa foli duke e parë këtë lidhur ngusht me dialogun e frytshëm të armenëve katolikë me kishën apostolike dhe emërtimet tjera, që njohin Shën Gregorin Ndriçues si Atë të përbashkët themelues. Duke folur për kremtimet e vitit 2001, kur edhe Gjon Pali II pëkujtoi me nderim 1700- vjetorin e ungjillëzimit të Kishës armene, Benedikti XVI pohoi:
***
“Inkurajoj këtë vëllazërim të rigjetur e këtë bashkëpunim, duke uruar që nga kjo të burojnë nisma të reja për të ecur së bashku në të njëjtën rrugë drejt bashkimit. E në se ngjarjet historike panë fragmentarizimin e Kishës armene, Provania Hyjnore do të bëjë që një ditë ajo të bashkohet përsëri me hjerarkinë e vet në përkim të brëndshëm e në bashkim të plotë me ipeshkvin e Romës(...) . Dashuria e Zotit për Kishën shtegtare në kohë, do të dijë t’i japë të krishterëve – gjë në të cilën shpresojmë plotësisht – mjetet e nevojshme për të realizuar dëshirën kryesore: ‘ut unum sint’- ‘që të jenë një gjë e vetme!’. 







All the contents on this site are copyrighted ©.