2006-03-19 17:01:55

Rëndësia e punës për realizmin e njeriut dhe për zhvillimin e shoqërisë”: Papa flet për Shën Jozefin në Meshë dhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Një mendim për 500-vjetorin e Muzeve të Vatikanit


(19. 03. 06 R.V.) RealAudioMP3 “Puna ka rëndësi të dorës së parë për realizmin e njeriut dhe për zhvillimin e shoqërisë”: kështu u shpreh sot Papa Jozef Ratzinger i cili, gjatë Meshës solemne dhe lutjes së Engjëllit të Tënzot, foli shumë për Shën Jozefin; ndërsa pas lutjes mariane, kujtoi 500-vjetorin e Muzeve të Vatikanit.
“Puna ka rëndësi të dorës së parë për realizimin e njeriut e për zhvillimin e shoqërisë dhe, për këtë arsye, duhet të jetë gjithnjë e organizuar, e kryer në kushte që respektojnë plotësisht dinjitetin e njeriut dhe që i shërbejnë së mirës së përbashkët”. Kështu u shpreh Benedikti XVI në homelinë e Meshës solemne, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Në Meshë, meditimet e teksteve liturgjike të së dielës së tretë të Kreshmëve u bashkuan me kujtimin e Shën Jozefit, duke shpjeguar se solemniteti liturgjik është shtyrë për nesër e duke iu lutur Shenjtit t’i mbrojë punëtorët e gjithë botës.
***
“Veprimtaria punonjëse duhet t’i shërbejë të mirës së vërtetë të njerëzimit, duke krijuar kushte që njeriu “si individ e si anëtar i shoqërisë ta kultivojë e ta realizojë plotësisht vetveten”. Papa i nënvizoi këto fjalë të cituara nga Gaudium et Spes, pasi shpjegoi se solemniteti i Shën Jozefit të kujton punën, kusht i zanafillës së njeriut. E, lidhur me këtë, pohoi:
***
“Kisha ka treguar gjithnjë, e posaçërisht në shekullin e fundit, vëmendje e kujdes për këtë fushë të shoqërisë, siç e dëshmojnë dokumentet e shumta shoqërore të papëve dhe veprimtaria e një numri të madh shoqatash me frymëzim të krishterë”.
***
E këto shoqata Papa i përshëndeti përzemërsisht dhe shprehu kënaqësinë për faktin se shumë prej tyre ishin të pranishme në Meshë, si përfaqësuese të mbarë botës së punëtorëve. E pikërisht duke pasur parasysh botën e punës, Benedikti XVI nënvizoi se është i nevojshëm kualifikimi teknik e profesional dhe një rend shoqëror i drejtë, që kujdeset për të mirën e të gjithëve; por jo vetëm kaq:
***
“Duhet jetuar një përshpirtëri, që i ndihmon besimtarët të shenjtërohen përmes punës së tyre, duke i përngjarë Shën Jozefit, të cilit i duhej të mendonte çdo ditë për të plotësuar nevojat e Familjes Shenjte me punën e duarve të veta; prandaj Kisha e ka zgjedhur Pajtor të punëtorëve”.
***
Dëshmia e Shën Jozefit – shtoi Papa – na tregon se njeriu është subjekt dhe protagonist i punës dhe në vijim theksoi:
***
“Dëshiroj t’ia besoj atij të rinjtë që nuk e kanë të lehtë të gjejnë vendin e tyre në botën e punës, të papunët dhe të gjithë ata që vuajnë për shkak të vështirësive të krijuara nga kriza e përhapur e papunësisë”.
***
Njëkohësisht – vërejti Benedikti XVI – është e domosdoshme që njeriu të mos bëhet shërbëtor i punës, mos ta kthejë në idhull, duke pretenduar të gjejë në të kuptimin e mbram të jetës. Papa kujtoi, në vijim, se në Bibël shkruhet: “Gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd” (Dal. 20, 8-9). Është një fragment i Librit të Daljes, që përfshin edhe tregimin në të cilin përshkruhet sesi Zoti i dorëzoi Izraelit Dhjetë Urdhërimet. Ishte pikërisht kjo faqe që u lexua sot gjatë kremtimit eukaristik. E Papa në homeli e quajti Dekalogun “konfirmim të lirisë së fituar”. Dhjetë Urdhërimet – shpjegoi Ati i Shenjtë – po t’’i shikojmë thellë, janë mjet që Zoti na jep për të mbrojtur lirinë tonë, si nga kushtëzimet e brëndshme të pasioneve, ashtu edhe nga padrejtësitë e jashtme të atyre që kanë qëllime të këqija. Në përfundim të Meshës, Ati i Shenjtë tha lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar kryesisht festën e Shën Jozefit, që ishte edhe dita e emrit të tij e prandaj Papa Jozef Ratzinger mori urime nga të katër anët e botës. Bashkojmë edhe ne zërin me urimet që vijojnë t’i arrijnë Benediktit XVI, të cilit në pagëzim iu vu emri Jozef, gjë që e lidhi për gjithë jetën me figurën e Shën Jozefit.







All the contents on this site are copyrighted ©.