2006-03-17 18:31:23

Predikimi i parë i Kreshmëve i Atë Kantalamesës në praninë e Papës dhe të Kuries Romake


(17. 03. 06 R.V.) “Me lutjen në Gjetseman, Jezusi i tregon njerëzimit se për Zotin gjithçka është e mundshme”: kështu u shpreh sot paradite predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Raniero Kantalamesa në predikimin e parë të Kreshmëve, në praninë e Benediktit XVI. Predikimi u mbajt në kapelën e “Nënës së Shëlbuesit” në Vatikan. Dy predikimet tjera kreshmore do të mbahen të premten, më 31 mars dhe të premten, më 7 prill. Tema e përbashkët e predikimeve është “Duke kujtuar mundimet e lume”.
***
“Të rrijmë paksa me Jezusin në Gjetseman e mbi Kalvar, për të mbërritur kështu të përgatitur në solemnitetin e Pashkëve”: ky është qëllimi i reflektimeve kreshmore të propozuara nga Atë Kantalamesa, i cili i çoi menjëherë dëgjuesit në skenën e Gjetsemanit, ku Jezusi lutet i pushtuar nga një ankth për vdekje:
***
“Jezusi është vetëm përballë perspektivës së një dhimbjeje që i kalon kufijtë e mendjes njerëzore, e cila ëshë fare e afërt. Ora e pritur dhe e frikëshme e ndeshjes përfundimtare me forcat e së keqes, ora e provës së madhe (peirasmos) ka mbërritur, por shkaku i ngushticës së tij është shumë më i thellë: ai ka marrë mbi vete gjithë të keqen e ndyrësirat e botës. Nuk e ka bërë ai vetë këtë të keqe, por kjo nuk e lehtëson aspak, sepse e ka marrë vullnetarisht mbi vete; Jezusi lufton për t’ia nënshtruar vullnetin e vet njerëzor Zotit. I duhet të luftojë, sepse shpirti është gati. Por korpi është i ligësht”.
***
Bibla, nënvizoi predikatari i Shtëpisë Papnore, na paraqet edhe një rast tjetër të luftës në lutje: atë të Jakobit.
Nganjëherë, nënvizoi predikatari - duke vijuar një lutje të tillë, ndodh diçka e çuditshme, që është e mira të njihet, për të mos e humbur rastin e çmuar. Palët shkëmbehen: Zoti bëhet ai që lutet e ti, ai që i drejtohet lutja. Zoti ta shtrin dorën ty e të kërkon diçka. E rasti më sublim i këtij shkëmbimi palësh është pikërisht lutja e Jezusit në Gjetseman - theksoi predikatari - dhe kujtoi se fjala Gjetseman është bërë simbol i të gjitha dhimbjeve morale, sepse Jezusi nuk ka pësuar akoma asnjë dhimbje fizike. Bota e sotme - aktualizoi predkun Atë Kantalamesa - është tepër e ndjeshme kur bëhet fjalë për dhimbjet fizike, preket shpejt prej tyre, por kur bëhet fjalë për dhimbje morale, është shumë më pak e ndjeshme, madje arrin deri aty, sa të tallet me to. Por:
***
“Sa Gjetsemane të fshehura ka në botë, ndoshta nën të njëjtën çati, ku jetojmë, në portën aty pranë ose në tryezën e punës afër nesh! Ta bëjmë tonën një nga dhimbjet e botës për këto Kreshmë e t’i qëndrojmë pranë atij që vuan në korp a në shpirt! Që Jezusi të mos thotë: “Kërkova dikë që të më ngushëllonte, por më kot, nuk munda ta gjej!”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.