2006-03-17 18:26:17

Shkëmbim i përzemërt mesazhesh ndërmjet Benediktit XVI dhe Patrikut të Moskës, Aleksejt II: urohet një bashkëpunim gjithnjë më i dendur në vërtetësi e dashuri dhe një dëshmi e përbashkët


(17. 03. 06 R.V.) Shkëmbim i përzemërt mesazhesh ndërmjet Benediktit XVI dhe Patrikut të Moskës e të gjithë Rusive, Aleksejt II, të cilët urojnë një bashkëpunim gjithnjë më të dendur dhe një dëshmi të përbashkët të krishterë përballë sfidave të rënda të kohës sonë.
Shkëmbimi i mesazheve u realizua gjatë vizitës në Moskë të kardinalit Etçegarai që mori pjesë, më 24 shkurtin e kaluar, në liturgjinë solemne kremtuar pranë katedrales të Shën Shëlbuesit me rastin e ditëlindjes dhe ditës së emrit të Patrikut Aleksej II.
Papa, duke shprehur urimin e tij të përzemërt për festën e dyfishtë, iu lut Zotit t’i japë bekime të begata Patrikut dhe ministerit të tij “kushtuar bujarisht çështjes së Ungjillit”.
Gjestet dhe fjalët e vëllazërisë së përtërirë ndërmjet barinjve të grigjës së Zotit – shkruan Benedikti XVI – na tregojnë se bashkëpunimi gjithnjë më i ngushtë në vërtetësi e në dashuri kontribuojnë për të rritur frymën e bashkimit, që duhet t’u prijë hapave të të gjithë të pagëzuarve. Bota e sotme – pohon Papa – ka nevojë të dëgjojë zëra që i tregojnë rrugën e paqes, të respektit për të gjithë, të dënimit të çdo lloj dhune, të dinjitetit të çdo njeriu dhe të drejtave që i përkasin që nga lindja.
***
Në letrën e përgjigjes, Patriku Aleksej II e falënderon përzemërsisht Papën për urimet e ngrohta dhe për kujtimin në lutje. Në kohën tonë, kur shekullarizmi po zhvillohet me vrull - nënvizon Aleksej II – krishterimi gjindet përballë sfidave të rënda, që kërkojnë një dëshmi të përbashkët. Jam i bindur – shton Patriku i Moskës - se një nga detyrat parësore të Kishave tona, që kanë vizion të përbashkët për probleme të shumta aktuale të botës bashkëkohore, duhet të jetë sot mbrojtja dhe afirmimi brënda shoqërisë i vlerave të krishtera, me të cilat njerëzimi jeton që prej më se njëmijë vjetësh. Shpresoj - përfundon Aleksej II – se për këtë do të ndihmojë edhe zgjidhja e problemeve që ekzitojnë akoma ndërmjet dy Kishave.
***
Me këtë rast, Benedikti XVI i dhuroi Patrikut medaljen e artë të papnisë së tij, ndërsa Aleksej II i dërgoi Atit të Shenjtë një kryq kraharori, si shenjë mirënjohjeje e nderimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.