Letër e Papës kardinalit Lubomir Husar me rastin e 60-vjetorit të pseudo-sinodit të
Leopolit
(16. 03. 06 R. V.) Letër e Papës Benedikti XVI drejtuar kardinalit Lubomir Husar,
kryeipeshkëv i Kiev-Haliç, me rastin e 60-vjetorit të pseudo-sinodit të Leopolit,
i cili më 1946 e shtrëngoi Kishën greko-katolike të Ukrainës të ‘rizbriste ndër katakombe’.
Aso
kohe Ukraina bënte pjesë në Bashkimin Sovjetik. Para këtyre ngjarjeve të trishtuara
– shkruan Papa – besimtarët e Ukrainës në Krishtin kishin mbetur besnikë, pavarësisht
nga fakti se persekutoheshin, shtypeshin, mbeteshin pa barinj për shkak të një aparati
shtetëror ideologjik çnjerëzor. Por në këtë ditë të vitit 1946 – kujton Benedikti
XVI – një grup kishtarësh, të mbledhur në një pseudo-sinod që përvetësoi të drejtën
për ta përfaqësuar Kishën, cënoi rëndë bashkimin kishtar. Kjo ndikoi në shtimin e
dhunës kundër atyre që i kishin mbetur vërtetë besnikë bashkimit me Ipeshkvin e Romës,
duke i hapur udhën vuajtjeve të reja. Por, ndonëse përmes provave dhe mundimeve të
papërshkrueshme, Provania Hyjnore nuk lejoi të zhdukej një bashkësi e cila për shekuj
me radhë qe konsideruar si pjesë e ligjshme e plot gjallëri e identitetit të popullit
ukrainas. Kisha greko-katolike vijoi të jepte dëshminë e vet të bashkimit, të shenjtërisë,
të karakterit të saj katolik e apostolik, si kishë e Krishtit. Kujtimi i asaj
që ndodhi gjatë 60-vjetëve – shkruan Benedikti XVI – duhet të bëhet nxitje për bashkësinë,
e cila i është besuar kujdesit baritor të Hjerarkisë së riorganizuar greko-katolike
në Ukrainë, për të thelluar lidhjen e saj të ngushtë, plot bindje, me pasardhësin
e Shën Pjetrit. Prej kësaj Kishe, të spastruar nga persekutimet, kanë gurruar lumenj
uji të gjallë jo vetëm për katolikët e Ukrainës, por për mbarë Kishën katolike të
përhapur kudo nëpër botë. Papa nënvizon se për të ruajtur integritetin e trashëgimisë
kishtare ukrainase është e rëndësishme të sigurohet prania e dy drejtimeve të të njëjtës
traditë - drejtimit latin e atij lindor. I dyfishtë është edhe misioni që i është
besuar Kishës greko-katolike në bashkim të plotë me Pjetrin: nga njëra anë ka për
detyrë ta mbajë të dukshme në Kishën katolike traditën lindore; nga ana tjetër, të
favorizojë takimin e traditave, duke dëshmuar jo vetëm pajtueshmërinë e tyre, por
edhe unitetin e thellë në larmi. Së fundi Ati i Shenjtë lutet që ky përvjetor
të nxisë gjithçka që favorizon bashkimin: dashurinë vëllazërore, faljen e fyerjeve
e të padrejtësive të pësuara në rrjedhën e historisë, me vetëdijen e plotë se kështu
shprehet bindja ndaj urdhërit të Krishtit: “Që të jenë një gjë e vetme!”.