Ditët e fundit të Papnisë të Gjon Palit II dhe vuajtja e tij tregohen në një libër
(16. 03. 06 R. V.) Ditët e fundit të Papnisë së Gjon Palit II dhe vuajtja e tij,
tregohen në një libër. Është duke e shkruar Imzot Stanislao Dxhivish së bashku me
të ngarkuarin e botimeve polake të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, Çeslav
Drazhek, me mjekun personal të papës Vojtyla, doktor Renato Buxonetin dhe Imzot Angelo
Komastrin, Vikar i përgjithëm i Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit.
“Më
lini të shkoj në shtëpinë e Atit!”: këto janë fjalët e fundit të Papës Gjon Pali II.
Tani ditët e tij të mbrame dhe vuajtja që provoi, posaçërisht në fund të papnisë,
janë përmbledhur në librin: “Më lini të shkoj. Forca në ligështinë e Gjon Palit II”.
Libri përshkruan çastet më të dhimbshme të jetës të Karol Vojtilës: fëmijërinë, vitet
pushtimit nazist në Poloni e pastaj atentatin e 13 majit 1981, shtrimet në Poliklinikën
Gjemeli, diagnostikimin e tumorit ndër zorrë, sëmundjen e Parkinsonit. “Një vizitë
e Zotit” e quan Imzot Dxhivish dhimbjen që jetoi Gjon Pali II - vizitë që bëri
të lindin vepra dashurie për të afërmin. Ishte vërtetë bashkim i thellë i Gjon Palit
II me Hyjin, pjesëmarrje në misterin e Pashkëve, që u bë edhe më e dukshme në Javën
e Madhe të vitit të kaluar. Por Papa Vojtila gjeti ngushëllim të plotë në dashurinë
e Krishtit, që është më e fortë se vdekja – shpjegon ipeshkvi i Krakovisë. Doktor
Buxoneti kujton çastet kur Papa, ndërsa ambulanca e çonte me shpejtësi në spital,
pas atentatit të Agçait, pëshpëriste gjithnjë në gjuhën polake: “Jezu-Maria- Nëna
ime”; ditën kur e i kërkoi të bëhej mjeku i Tij personal, kur i tregoi hollësisht
historinë e shëndetit të tij e sidomos, orët e fundit të jetës. “Gjithçka e priti
me një qetësi të thellë shpirtërore – pohon mjeku – e pavarësisht nga ndonjë çast
vuajtjeje të natyrshme njerëzore, pranoi nga duart e Zotit sëmundjen, dhimbjen fizike,
largimin e detyruar nga veprimtaritë e përditshme. Ndërsa Imzot Komastri
ndalet tek salikimet e Gjon Palit II që – siç shkruan prelati – qenë një përvojë vërtetë
e jashtëzakonshme në të cilën, në një farë mënyre, u perceptua fuqia e Zotit që përmes
Kishës së tij, dëshiron t’i bashkojë të gjithë popujt për të formuar një familje të
vetme.