“Mjetet e komunikimit dhe sfidat e mëdha për ungjillëzimin ri, në rrethanat e misionit”
( 15. 03. 06 R. V.) :vijonë punimet e Asamblesë plenare të Komunikimeve Shoqërore,
që do të përfundojnë në Vatikan të premten e ardhshme. Impenjimi i mediave
katolike, i shtrirë në mënyrë kapilare në mbarë Planetin, nga vendet e pasura e të
zhvilluara, në ato më të varfërat, për të pranuar sfidën e madhe etike e morale të
komunikimit e të informimit gazetaresk, në një botë të globalizuar. Ky është kuadri
i përgjithshëm i punimeve të kësaj asambleje, kushtuar posaçërisht bilançit të veprimtarive
të realizuara, duke ndjekur porositë e Letrës së fundit Apostolike të Gjon Palit
II. Letra, publikuar në janarin e vitit të kaluar, kushtuar atyre që përgjigjen për
mjetet e komunikimit, titullohet “Zhvillimi i vrullshëm” . Por në qendër të vëmendjes
janë edhe projektet për ardhmerinë nën shtytjen e mesazhit të Benediktit XVI për Ditën
e ardhshme Botërore të komunikimeve shoqërore me temë: “Mediat: rrjet komunikimi,
bashkimi e bashkëpunimi”. Sot paradite 60 delegatët që marrin pjesë në asamble,
ndoqën raportet e organizatave ndërkombëtare të mediave katolike UCIP, SIGNIS e CAMECO.
Ndër aspektet që u vunë në dukje ishte posaçërisht ai i vlerës së jashtëzakonshme
që kanë mjetet e komunikimit për ungjillëzimin e ri. Lidhur me këtë, kardinali
Creshencio Sepe, prefekt i Kongregatës për ungjillëzimin e popujve, dha alarmin
për disa ndërhyrje urgjente në botën misionare, duke u përqëndruar tek sfida e sekteve: -
Ka pasur një stinë çkujdesjeje ndaj këtyre mjeteve. Ndoshta është errësuar sadopak
ky areopag, duke rrezikuar të lihen këto mjete të jashtëzakonshme në duart e disave.
Por cilat janë sfidat e veçanta misionare? Mbi të gjitha janë sektet. Ipeshkvijtë
e vendeve të misionit e denoncojnë vazhdimisht këtë situatë, që vijon të bëhet gjithnjë
më e vështirë. Ky prozelitizëm përbën rrezikun më të madh për ungjillëzimin. Në realitet,
predikimi i sekteve nuk bazohet aq tek mesazhi i tyre, sa tek qëllimi i tyre, tek
goditja me të gjitha forcat e Kishës katolike. E kam fjalën kryesisht për Afrikën
e pastaj edhe për Azinë. E atëherë mund të themi se përdorimi i mjeteve të komunikimit
bëhet për ne nevojë, urgjencë. - Një çështje tjetër me rëndësi – nënvizoi kardinali
Sepe – është edhe përhapja e Internetit në vendet ku mungon liria e shprehjes...-
Këtë problemin e Internetit, për shembull, jemi duke e përballuar në disa vende
posaçërisht të vështira, politikisht të vështira, të tipit të Kinës, të Vietnamit,
Kamboxhias, Laosit, Birmanisë, Mianmarit e kështu me radhë. E këtë, sepse e dimë se,
pavarësisht nga ndërtimi i mureve që pengojnë hyrjen ose mundësitë e predikimit, ajo
që nuk mund të bëhet fizikisht, mund të realizohet duke i kapërcyer këto mure. E si
kapërcehen? Pikërisht duke krijuar ura komunikimi, posaçërisht përmes Internetit.