2006-03-14 18:00:18

Qipro veriore: vijonë plaçkitjet dhe shkatërrimi i kishave e manastireve


(14. 03. 06 R.V.) Në pjesën veriore të Qipros nën pushtimin turk, Kishat e manastiret po shkatërrohen ose po kthehen në xhami: këtë e mësojmë nga një reportazh dramatik, shkruar nga i dërguari i posaçëm i gazetës italiane “Avvenire”, Lugji Gjeninaci:
Në pjesën veriore të ishullit të Qipros, që ndodhet nën sundimin turk që prej tridhjetë vjetësh, kishat e manastiret vijojnë të plaçkiten e të rrenohen, ndërsa vijon procesi i pandalshëm i islamizimit. Ky realitet, kaq pak i njohur, denoncohet në një reportazh të realizuar nga i dërguari i posaçëm i gazetës “Avvenire”, Luigji Gjeninaci. Gazetari e tregon këtë shtegtim të trishtuar, i cili pas çdo etape ta shton zemrimin dhe mosbesimin. Udhë e dhimbshme, që përshkon vende të traditës së krishterë, në rrezik për t’u zhdukur përgjithmonë. Kjo është përvoja e Luigji Gjeninacit në mikrofonin e Radios sonë:
***
- Ajo që më preku më tepër është se kjo situatë e kishave të krishtera të shkatërruara, të plaçkitura, të shndërruara në restorante ose në xhami, nuk ka ndodhur tridhjetë vjet më parë, më 1974-tën, në kohën e luftës së Qipros kur, siç e dimë të gjithë, turqit ndërhynë ushtarakisht në këtë vend; është diçka që vijon edhe sot e kësaj dite, diçka që të shqetëson seriozisht. Unë i pashë me sytë e mi këto kisha të cilat tani po kthehen në hotele ose në xhami: është, pra, një situatë në zhvillim e sipër.
***
- Me ç’sy shikohej kjo situatë në takimet që patët me autoritetet turke të pranishme në veri të Qipros?
***
- Mund të themi se, formalisht, kemi të bëjmë me një Republikë të pavarur, e cila është e njohur vetëm nga Turqia; me Republikën e ashtuquajtur turke të Veriut të Qipros. Duke folur me përfaqësuesit e qeverisë të kësaj Republike, ndjehet një farë shqetësimi. Ata thonë se situata ekonomike është e vështirë e se prandaj nuk është e mundur të rindërtohen këto kisha. Vetëm tri kisha janë rindërtuar dhe kanë një pamje dinjitoze. Por nuk duhet harruar se janë edhe 500 të tjera në gjendje të mjerueshme. E duhet të kujtojmë edhe se mbi këtë gjendje nuk ka pasur kurrfarë presioni; është një argument për të cilin as që flitet fare gjatë bisedimeve të vështira të hapura ndërmjet Bashkimit Evropian dhe qeverisë të Ankarasë.
***
- Si e jeton bashkësia e krishterë këtë realitet, këtë islamizim, që nuk është trashëgim nga konflikti i 30-të vjetëve më parë, por vijon edhe sot?
*** - Nga ana e Kishës ortodokse këmbëngulet shumë në këtë aspekt. Problemi i kishave është tashmë brënda një situate plot kundërshtime, që bëhet gjithnjë më e ashpër. Të duket e pabesueshme, por pas 32 vjetësh ndarjeje, nuk vërehet akoma asnjë shpresë për një bashkim të mundshëm. Bashkim, që dukej i afërt dy vjet më parë, në perspektivë të një referendumi, në planet e Kofi Annanit, por që dëmtonte rëndë bashkësinë greko-qipriote. Mos të harrojmë se Turqia nuk e njeh Republikën e Qipros: e kjo është një kontradiktë e madhe, sepse njëkohësisht kërkon edhe të hyjë në ‘klubin’ e Bashkimit Evropian, ku madje tashmë ka hyrë e ku ka edhe një anëtar që quhet Qipro. Prandaj mund të themi se është diçka mjaft paradoksale që njeri të kërkojë për të hyrë në një klub, por të mos dëshirojë t’i njohë anëtarët e pranishëm prej kohe në këtë klub. Për ne, besimtarët, është një element tepër i trishtuar, sepse shikojmë një situatë barbarie kundër vendeve të kultit të krishterë që unë mendoja se nuk ekzitonte më prej kohe, se kishte marrë fund pesë shekuj më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.