2006-03-13 19:09:45

U ndërpre dhe u shty për javën e ardhshme Asambleja e 62-të e Komisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut. Koment i vëzhguesit të Selisë së Shenjtë, imz.Tomazi


U ndërpre dhe u shty për javën e ardhshme Asambleja e 62-të e Komisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut. Në qendër të vëmendjes të Asamblesë së përgjithshme të Nju Jorkut është shndërrimi i Komisionit në Këshill për të drejtat e njeriut.
Intervistë me kryeipeshkvin Silvano Maria Tomazi.

U hap zyrtarisht sot paradite dhe u ndërpre, pas shtatë minutash, Sesioni i 62-të i Komisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut, në Gjenevë. Ambasadori Manuel Rodriguez Kuadros i Perusë miratoi, në emër të të gjitha grupeve zonale, një kërkesë të paraqitur nga Armenia për ta shtyrë një javë takimin. Kjo shtytje ka për qëllim t’i krijojë Pallatit të qelqit mundësinë për të vepruar në rast të shndërrimit të këtij organizmi në një strukturë të re. Për ta kuptuar më mirë ç’ngjau në sesionin e paradites së sotme, i telefonuam vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Gjenevë, kryeipeshkvit Silvano Maria Tomazi:***- Arsyeja për këtë procedurë të pazakontë duhet kërkuar në faktin se në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork nuk është marrë asnjë vendim mbi rezolutën e paraqitur nga kryetari i kësaj Asambleje të përgjithshme, ambasadori i Zvicrës, i cili propozon krijimin e një Këshilli të ri për të drejtat e njeriut. Mendohet që ky Këshill t’i zërë vendin Komisionit, i cili hamendësohet të mbyllet me Sesionin e 62-të, për t’u bërë agjensi e Kombeve të Bashkuara që merret me të drejtat e njeriut në botë në një mënyrë më dinamike, më koherente, më efikase. Në të vërtetë jemi në një atmosferë paqartësie, sepse kjo rezolutë nuk u votua: vijojnë bisedimet për të siguruar pajtimin e qëndrimit të SHBA, të cilat kanë paraqitur vërejtje lidhur me tekstin aktual - dhe pjesës tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, që është e mendimit të votojë në favor. Bisedimet nuk kanë përfunduar ende. Shpresohet që në gjysmën e kësaj jave të arrihet në pranimin e rezolutës, ashtu siç është paraqitur, ose në hedhjen poshtë të saj. Është çast delikat, por ndjehet fryma e besimit se gjithçka në Asamblenë e përgjithshme do të përfundojë pozitivisht, në mënyrë që të rifillojë veprimtaria normale. E nëse në Asamblenë e përgjithshme nuk do të arrihet në marrëveshje atëherë, gati për kontrast, ose për ironi – duke filluar nga e hëna e ardhshme, do të vijojnë javët e zakonshme të punimeve të Komisionit.







All the contents on this site are copyrighted ©.