Presidenti Mubarak në audiencë tek Papa për të forcuar dialogun me perëndimin
Sot pasdite
Benedikti XVI priti në audiencë presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, ndërsa paradite
u takua me një grup ipeshkvijsh të Kamerunit, në fillim të vizitës së tyre ‘ad Limina’. Presidenti
egjiptian erdhi të dialogojë me perëndimin pas karikaturave të Muhametit, të kërkojë
që të mos izolohet Irani i ajatollahëve, të mos shemben urat me palestinezët e Hamasit.
Këto janë nyjet e mëdha në sfond të takimit ndërmjet Presidentit Mubarak e Papës Ratzinger. Presidenti
egjiptian vjen përsëri në Romë, pas katër vjetësh, për të shkëmbyer me Papën mendime
që kanë të bëjnë me skenën ndërkombëtare, tronditur thellë nga lëvizjet fondamentaliste. Në
këtë situatë të trazuar e të rrezikshme, kombet e islamit të moderuar, me Egjiptin
në krye, janë shumë të impenjuara për t’i shuar vatrat e polemikës e për të fuqizuar
dialogun me perëndimin. Turi evropian i Presidentit egjiptian, i parë me këtë sy,
nuk mund të mos përfshinte edhe etapën e sotme të bisedimeve me Papën, në kërkim të
një pike të fortë referimi në frontin e mirëkuptimit islamo-kristian, si me natyrë
kulturore, ashtu edhe fetare. Natyrisht në takimin e pasdites nuk mungoi edhe interesimi
i thellë i Papës për gjendjen e të krishterëve në Egjipt. Ndonëse vendi krenohet
për bashkëjetesë paqësore e shekullare, Kisha kopte, një nga më të lashtat, kohët
e fundit është diskriminuar, nën presionet e forta të fanatikëve islamikë. Kjo u vërejt
edhe në zgjedhjet e paradokohëshme, gjatë të cilave rryma fondamentaliste bëri të
gjitha përpjekjet për ta kushtëzuar rëndë jetën shoqërore dhe politike në vend. Falë
qëndrimit të Mubarakut, një ndër problemet më delikate të bashkësisë së krishterë
në vend, që ka të bëjë me lejën e ndërtimit ose të rindërtimit të kishave, duket se
është zgjidhur me dekretin presidencial të dhjetori të kaluar, që lehtëson veprimet
burokratike dhe shkathtëson ato praktike. Shenjë tjetër e hapjes nga ana e qeverisë
është edhe dhurimi i një terreni në Sharm el Sheik për të ndërtuar aty një Kishë,
duke u krijuar kështu turistëve mundësinë të marrin pjesë në Meshën e së dielës. Kujtojmë
se pas takimit me Papën, presidenti egjiptian zhvilloi një bisedim të një natyre më
teknike me kardinalin Angjelo Sodano, sekretar i Shtetit të Vatikanit.