2006-03-13 17:41:47

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: dëgjojeni Krishtin, posaçërisht në kohën e Kreshmëve


(12. 03. 06 R.V.) Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Benedikti XVI i ftoi besimtarët ta dëgjojnë Krishtin e t’i binden zërit të tij, posaçërisht në kohën e Kreshmëve, sepse në rrjedhën e jetës sonë nuk mungojnë çastet e errësirës, që nganjëherë bëhet tepër e dendur.

“Ta dëgjojnë Krishtin e t’i binden zërit të Tij”: kjo është ftesa që Papa Benedikti XVI u bëri dhjetra mijëra besimtarëve e turistëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, nën rrezet e një dielli të ftohtë dimëror, për të thënë së bashku me Atin e Shenjtë lutjen mariane.
***
Papa tregoi përvojën e tij të përgatitjes për Kreshmët, që përfundoi të shtunën e kaluar dhe kujtoi ushtrimet shpirtërore të predikuara në Pallatin Apostolik nga kardinali Marko Çé, Patrik nderi i Venedikut:
***
“Ishin ditë, të cilat iu kushtuan tërësisht dëgjimit të Zotit, që na flet gjithnjë, por pret nga ne më shumë vëmendje, posaçërisht në këtë kohë Kreshmësh.”
***
Kur njeriu ka hirin të provojë një përvojë të fuqishme të Hyjit – shpjegoi Ati i Shenjtë – ndjen po atë që ndjenë nxënësit e Jezusit kur Zoti u shndërrua përpara syve të tyre mbi malin Tabor: “Për një çast shijohet diçka e ngjashme me atë që do të jetë lumnia e Parajsës”. Është fjala për pak çaste të kësaj përvoje – shtoi Papa – të cilat Zoti nganjëherë i lejon, posaçërisht përballë provave të rënda. Por askujt, veç, nuk i është dhënë mundësia të jetojë “mbi Tabor” ndërsa është gjithnjë mbi këtë tokë”.
***
“Jeta njerëzore, në të vërtetë, është një rrugë feje e, si e tillë, rrjedh më shumë në gjysmë hije, sesa në dritë të plotë, e nuk i mungojnë edhe çastet e errësirës, madje të errësirës së plotë”.
***
Prej këndej mund të pohojmë se lidhja jonë me Zotin zhvillohet më shumë në dëgjim sesa në vegim; i njëjti kundrim realizohet si me sy mbyllë, në sajë të dritës së brëndshne që ndez në ne fjala e Zotit. Kështu edhe Virgjëra Mari, krijesa njerëzore që i qëndroi më pranë Zotit, eci ditë për ditë në një shtegtim feje. E atëherë mund të themi se duhet ta dëgjojmë Jezusin si Virgjëra Mari: kjo është dhurata e ky impenjimi për secilin nga ne në periudhën kreshmore - porositi Benedikti XVI. Duhet ta dëgjojmë Krishtin në Shkrimin Shenjt e ndër ngjarjet e jetës sonë, për të lexuar mesazhet e Provanisë hyjnore, ta dëgjojmë ndër vëllezërit, posaçërisht ndër të vegjlit e të varfërit, ku Jezusi kërkon dashuri konkrete:
***
“Të dëgjosh Krishtin e t’i bindesh zërit të Tij: kjo është udha kryesore, e vetmja, që çon në gëzimin e plotë të dashurisë”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.