2006-03-13 20:28:16

Kalendari historik i 13 marsit:Me 13 mars 1965 mbylli sytë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës peshkopi Theofan Stilian Noli.


RealAudioMP3 (13.03. 2006 R.V.) Veprimtaria e tij mund të ndahet kryesisht në tri degë: në atë kishtare, politike dhe letraro-artistike.
Fan Noli, si prift ortodoks, nguli këmbë që Kisha Ortodokse shqiptare të ndahej nga autoriteti i Patriarkanës së Kostantinopojës dhe të shpallej autoqefale, gjë që u arrit me anë të statutit të vitit 1929.
Por më shumë e më Fan Noli u bë i njohur në historinë e popullit shqiptar për Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Pas humbjes në zgjedhjet e 23 dhjetorit të vitit 1923, grupi parlamentar i kryesuar nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Avni Rustemi, Atë Ambroz Marlaskaj e të tjerë, kaloi në opozitë. Me vrasjen e Avni Rustemit në prill të 1924, në vend nisën trazirat. Opozita kërkonte që vrasësi, i shtyrë nga Ahmet Zogu, Ministër i Brendshëm, të kapej. Përballë indiferencës së qeverisë, opozita nisi lëvizjen e armatosur në Vlorë. Revolucioni triumfoi por mbartte në vetvete tiparet e një lëvizjeje bolshevike. Dyshimet e fuqive të huaja u përforcuan kur qeveria fanoliste, e mbetur pa mbështetetje ndërkombëtare, vendosi të hapë në Tiranë përfaqësinë diplomatike të Bashkimit Sovjetik. E frikësuar se mos bolshevizmi përhapej edhe në Ballkan, Mbretëria Jugosllave ndërhyri duke mbështetur Zogun. Me 25 dhjetor 1924 pas një jete gjashtëmujore, qeveria demokratike e Fan Nolit ra. Shumë nga krerët e saj, si Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Pristina e tjerë u vranë nga Zogu, ndërsa vetë Fan Nolit i takoi fati i hidhur të kalojë pjesën tjetër të jetës në mërgim. Për ironi të fatit, edhe kundërshtari më i rreptë i Fan Nolit, Ahmet Zogu vdiq në dhé të huaj.
Përsa i përket krijmtarisë letrare Fan Noli shquhet për krijime origjinale po aq sa edhe për përkthime. Përmendim këtu vjershat monumentale “Anës Lumenjëve,” “Marshi i Barabajt” apo “Historinë e Skënderbeut”. Ndër përkthimet e tija zënë një vend të rëndësishëm veprat e Shekspirit si edhe romani i shkrimtarit spanjoll Servantes “Don Kishoti i Mançës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.