2006-03-13 17:47:13

Filloi vizita ad Limina e ipeshkvijve të Kamerunit


(13. 03. 06 R.V.) Sot paradite në Vatikan nisi vizita e ipeshkvijve kamerunas, që do të përfundojë më 22 marsin e ardhshëm. Po njihemi me disa të dhëna, që kanë të bëjnë me realitetin kishtar kamerunez:
***
Kameruni, me kryeqytet Yaondenë, ka 16 milionë banorë, 50% e të cilëve janë katolikë. Menjëherë pas tyre, numerikisht vijnë protestantët. Gjuhët zyrtare janë anglishtja e frëngjishtja, por në vend fliten edhe shumë gjuhë kombëtare. Kemi të bëjmë me një larmi të ndjeshme, në të cilën respektohen shumë grupe fisnore kameruneze, me zakone, histori e stile jete të ndryshme. Situata shoqëroro-politike e Kamerunit duket relativisht më e qetë sesa ajo e vendeve të tjera afrikane, por edhe këtu nuk mungojnë të këqijat që trondisin shumë vende të Kontinentit. Ndërmjet tyre mund të kujtojmë: korrupsionin, tribalizmin, dhunën e përhapur, shkeljen e të drejtave të njeriut - shkelje që Kisha vendase e ka denoncuar vazhdimisht vitet e fundit. Ipeshkvijtë kanë kërkuar më se një herë të drejtën e Kishës për të shprehur pikëpamjet e veta, duke respektuar autonominë reciproke me shtetin.
Kisha katolike në Kamerun është e organizuar në 23 dioqeze që udhëhiqen nga njëzet e katër ipeshkvij, njëzet prej të cilëve me kombësi kameruneze, dy me kombësi belge e dy me kombësi polake. Prelatët përbëjnë konferencën ipeshkvnore kombëtare të Kamerunit (C.E.N.C.) që mblidhet në asamblenë e vet plenare një herë në vit.
Gjon Pali II ka shkuar dy herë në Kamerun: më 1985 dhe më 1995. Ungjillëzimin e parë të vendit afrikan – siç e pati kujtuar Papa Vojtila në katedralen e Yaoundesë, e nisën misionarët e Marisë, me emër Marienberg ose “Mali i Marisë”. Në përfundim të vizitës së tij në gusht 1985, Gjon Pali II ia besoi edhe ungjillëzimin e dytë të vendit, Virgjërës Mari.







All the contents on this site are copyrighted ©.