2006-03-11 18:46:00

Rubrika “Shenjtorët e Javës”


(12. 03'06 R. V.) Sot, e Diela II e Kreshmëve, Kisha katolike përkujtoi Shën Maksimilianin, martir dhe Shën Inoçencin, papë.
Nesër, e hënë, do të kremtojë Shën Sabinin, martir; Shën Kristinën, martire dhe Shën Leandrin, ipeshkëv i Seviljes, të cilët në këtë kohë pendese na kujtojnë uratën zgjetore: “Na fal, o Zot, në mëshirën tënde!”.
Të martën do të përkujtohen Shën Matilda, mbretëreshë dhe i Lumi Plaçido Rikardi, murg në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës. Liturgjia e së kremtes së tyre na sjell ndër mend fjalët e Krishtit: “Mjerë ju, që thoni e nuk bëni, paraqiteni si mësues, por nuk jetoni ashtu si mësoni e nuk ju pëlqen të bëheni të vegjël, për të shërbyer!”.
Të mërkurën e ardhshme do të përkujtohen Shën Zakaria, papë dhe Shën Luiza Marijak, bashkëthemeluese e Bijave të Bamirësisë, jeta e të cilëve ishte një lutje e vazhdueshme drejtuar Zotit, duke pranuar me gjithë zemër në shpirtin e në korpin e tyre, mundimet e Krishtit.
Të enjten do të kremtohen Shenjtorët Hilari e Taciani, martirë të Akuilesë, festa e të cilëve na kujton shembëlltyrën e njeriut të pasur e Lazrit të varfër, që tingëllon si ftesë e fuqishme drejtuar të pasurve për ta kuptuar përgjegjësinë e tyre.
Të premten e ardhshme Kisha katolike do të kremtojë Shën Patrikun, ipeshkëv, Apostull i Irlandës dhe Shën Gjon Sarkanderin, ipeshkëv e martir, që na kujtojnë se Biri i Zotit persekutohet e mohohet nga bota, nga ata që interesohen vetëm për mirëqenien e tyre, por megjithkëtë, Jezusi do të jetë guri i themelit i Kishës. E kremtja e Shën Çirilit, ipeshkëv i Jeruzalemit e doktor i Kishës dhe Shën Anselimit, ipeshkëv i Lukës, të shtunën e ardhshme, na kujton se Krishti, i mirë e i madh në dashuri, vë gjithnjë në qëndër të vëmendjes njeriun, si bir që Ati e do e e kërkon vazhdimisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.