2006-03-11 18:12:34

Të jetohet thellësisht bashkimi me Krishtin për t’ia kumtuar Ungjillin botës: kështu u shpreh Benedikti XVI në përfundim të ushtrimeve shpirtërore për Kreshmët, në Vatikan


( 12. 03. 06 R.V.) Përfunduan dje në Vatikan ushtrimet shpirtërore në praninë e Atit të Shenjtë dhe të Kuries Romake.
Ushtrimet shpirtërore filluan të dielën e parë e Kreshmëve, në kapelën “Nëna e Shëlbuesit”, në Vatikan. Meditimet sivjet i propozoi kardinali Marko Cé, Patrik nderi i Venedikut. U meditua rreth temës: “Duke ecur me Jezusin drejt Pashkëve të udhëhequr nga Shën Marku Ungjilltar”.
Në përfundim të këtyre ditëve hiri – tha dje Benedikti XVI, në mbyllje të ushtrimeve shpirtërore – është gjë e bukur dhe e detyrueshme që Papa të falënderojë: së pari Zotin, që na dhuroi këtë periudhë frymëmarrjeje fizike e shpirtërore.
Më pas Ati i Shenjtë falënderoi edhe kardinalin Cé, që i udhëhoqi të pranishmit në gjurmët e Shën Markut në shtegtimin me Jezusin drejt Jeruzalemit. Ky shtegtim – vijoi Shenjtëria e Tij – na bën thirrje të mbyllemi në Fjalën e Zotit, ta vendosim jetën tonë brënda fjalës së Zotit e ta lëmë këtë Fjalë të depërtojë në gjithë vetveten tonë, për të qenë dëshmitarë të Fjalës së gjallë, të vetë Krishtit në kohët tona.
Kështu, me guxim të ri, me gëzim të ri, shkojmë drejt Pashkëve, drejt kremtimit të Misterit të Krishtit, që është gjithnjë diçka më tepër se kremtimi i një riti: është Prani e Vërtetësi. I lutemi Zotit – shtoi Papa – të na ndihmojë të ecim pas Tij, për të qenë ështu udhëheqës e barinj të grigjës që na e ka besuar!”.Me përfundimin e ushtrimeve shpirtërore, rifillojnë të gjitha audiencat e Atit të Shenjtë duke përfshirë edhe audiencën e përgjithshme të së mërkurës, ndërsa Kisha vijon rrugën drejt Pashkëve të ngjalljes.







All the contents on this site are copyrighted ©.