Shenjti i ditës: 10 mars – Shën Makario i Jeruzalemit
Sot Kisha katolike
përkujtoi Shën Makarion e Jeruzalemit Kalendari kishtar shënon 14 shenjtorë me
këtë emër shumë simbolik, që i përkthyer nga greqishtja në shqip do të thotë "i lumtur".
Makario, për fëmijërinë dhe rininë e të cilit dihet shumë pak, u zgjodh ipeshkëv i
Jeruzalemit në vitin fatlum 314, kur Perandori Kostantin mundi Maksencin në Urën
e Milvios. Atëherë Ipeshkvi shembi shtyllën që romakët e kishin ngritur mbi tempullin
e rrafshuar të Jeruzalemit dhe nxori rishtas në dritë vendet e adhuruara nga mbarë
krishtërimi: zonën e Kalvarit dhe Varrin e Krishtit. Atje më vonë do të lartohej bazilika
e madhe e Ringjalljes. E po atje do të shkonte si shtegtare e ëma Kostantinit, Elena. Shenjti
mori pjesë në Koncilin e parë ekumenik, kremtuar në Nike, në vitin 325, ku mbajti
qëndrim të ashpër kundër gabimeve të Arios, i cili e konsideronte prelatin si një
nga kundërshtarët e tij më të rreptë. Dha një kontribut të shquar në hartimin e dokumenteve
të Koncilit, duke shkruar edhe Simbolin nikean, Besojmën, që u miratua nga etërit
konciliarë. Është po ajo Besojmë që e shqiptojmë edhe sot e kësaj dite në meshë e
në çaste kritike të jetës, për të pohuar besimin në një Zot, Atin e Gjithëpushtetshëm
e në Jezu Krishtin, Birin e Tij, një të vetmin Zotin tonë!