2006-03-10 17:03:24

Kardinali Cé në ushtrimet shpirtërore në Vatikan: në se errësohet besimi në Ringjalljen, shembet shpresa e krishterë


RealAudioMP3 Në se errësohet besimi në ngjalljen e Jezusit, shembet shpresa e krishterë, për t’i hapur rrugën mesianizmave: kështu u shpreh sot kardinali Marco Cé gjatë meditimeve të ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve, të cilat Patriku i Venedikut është duke i predikuar që të hënën e kaluar në prani të Papës e të Kuries Romake në Vatikan.***Për katër ditë me radhë meditimet ndoqën kronikën e Shën Markut Ungjilltar i cili, që nga episodi i pagëzimit në Jordan deri tek ngjarjet në Çezaré të Filipit, përshkruan madhështinë e Jezusit-Mesi, që kumton mbretërinë e Hyjit duke kryer shumë mrekulli. Sot, e premte, dita e pestë e ushtrimeve shpirtërore, skena ndryshoi. Kardinali u ndalua tek vetmia e plotë e Jezusit para se të kryqëzohej, tek Kryqëzimi, zbritja në varr dhe ngjallja në të tretën ditë.
Me emocion të thellë Patriku i nderit i Venedikut përshkroi gjendjen psikologjike e njerëzore në të cilën Krishti i afrohet kapjes dhe vdekjes. E vetmia morale e Jezusit vijon me mundimet fizike në udhën e Kalvarit. Për të gjithë ai është i munduri. Por pasi ka dhënë frymën e fundit, historia e Ungjillit të Shën Markut ndryshon përsëri. Dy janë shenjat kryesore që tregojnë, pa kurrfarë dyshimi, se ky ekzekutim mbi Golgotë nuk është si të tjerët: tisi i tempullit që griset dhe habia e anmikut të parë të penduar, Çenturionit:*** “Është përmbushja e të gjitha Shkrimeve Shenjte; çka ishte e përkohshme e profetike, i lë vendin realitetit. Vdekja e Jezusit për dashuri, realizon plotësisht planin e shëlbimit të cilin Ati e deshi që nga amshimi. E Çenturioni, i cili ndodhet përballë të Kryqëzuarit, duke e parë mënyrën si dha frymën e fundit, nuk mundi të mos thoshte: “Vërtetë ky njeri ishte Biri i Zotit”. Në këtë besojmë të Çenturionit vezullon drita e Pashkëve”.***Më pas kardinali Cé u ndal tek habia e grave para varrit të zbrazur:***“Që Jezusi, Krishti, Biri i Zotit të jetë ‘Lajmi i mirë’, kjo varet pikërisht nga fakti se i Kryqëzuari nuk mbeti në varr, por u ngjall. Ai, që të gjithë e gjykonin si të mundur, është vërtetë Krishti, vërtetë Biri i Hyjit, ashtu si kishte thënë. I gjithë Ungjilli i Shën Markut ndriçohet nga ngjallja e të Kryqëzuarit: e keqja është mundur, vdekja – vula e saj - është shpartalluar!”***Dymijë vjet më pas – përfundoi me një nxitje kardinali Cé – në zemrën e gjithë të krishterëve duhet të rijetojë çdo ditë mrekullimi i grave para varrit të zbrazët. Aty e askund tjetër, është rrënja e fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.