2006-03-08 18:21:34

Roli i gruas në Kishë: reflektimi i Benediktit XVI në takimin me famullitarët romakë komentuar nga teologia saleziane, motër Marçela Farina


Për rolin e gruas në Kishë reflektoi edhe Benediktit XVI në takimin me famullitarët romakë, pak ditë më parë. “Është e drejtë të kërkohet që grave t’u jepet më shumë hapësirë, t’u hapen më shumë vende me përgjegjësi në Kishë”, theksoi Benedkti XVI, por duke ripohuar se shërbimin meshtarak Zoti ua ka lënë burrave”.
Por për këtë reflektim të Papës, të ndjekim komentin e teologes saleziane motër Marcella Farina, profesoreshë në Auxilium, në mikrofonin tonë: ***- Kjo ftesë e Papës, kjo nxitje, na bën t’i shumëfishojmë përpjekjet edhe në nivelin personal, si gra e si rregulltare, që të aftësohemi nga ana profesionale e të jemi në lartësinë e kohës, edhe në nivelin kulturor. Kështu do të jemi në gjendje t’u japim përgjigje të përshtatshme kërkesave dhe thirrjeve të historisë.*** - Benedikti XVI kujtoi Shën Katerinën e Sienës, e cila arriti ta bindë Papën të kthehet nga Avinjoni...***- Në Kishë, që nga shekujt e parë të krishterimit, ka pasur gjithnjë shumë gra, të cilat kanë punuar me gjithë shpirt që Kisha të përtërihet, që Kisha të ketë gjithnjë fytyrë të re, si rrezatim i fytyrës së Krishtit. Mund të themi se gratë janë ata që e kanë ungjillëzuar shoqërinë përmes marrëdhënieve familjare. Mund të themi edhe se, ashtu si Katerina, që me dashurinë e pasionin e madh për Papën, e bëri të kthehej në Romë, shumë gra të tjera, me të njëjtin pasion e dashuri të zjarrtë për Kishën, Korpin e Krishtit, kërkuan t’i ndriçojnë e t’i orientojnë papët për ndonjë vendim të guximshëm që duhej marrë në rrethana të ndryshme historike. Mund të them se nga kjo traditë historike e gjenisë femërore, siç thoshte Gjon Pali II, na vjen thirrja të jemi gra që i prijnë historisë, që kanë intuitën t’i japin diçka të re, karakteristike për ndjeshmërinë e grave, në shërbim të ungjillëzimit të ri, i cili vë në qendër jetën, jetën njerëzore, respektin për jetën. E kush më mirë se gratë mund të luftojnë në një betejë kaq fisnike, siç është beteja për jetën?***- Papa i falënderon në mënyrë të veçantë të gjitha gratë e botës, sepse dhurojnë jetë, duke kontribuar për ardhmërinë e njerëzimit dhe i fton ta komunikojnë edhe atë, që është qëndra e vetë Jetës, Jezu Krishtin...***- Sigurisht. Mund të themi se që në Mulieris dignitatem të Gjon Palit II vihej në dukje se Zoti ia beson burrin gruas. Atëherë mund të themi se është pikërisht gruaja ajo që duhet të tërheqë vëmendjen në mbrojtje të jetës. ***- Ju, si grua, si e ndjeni veten në Kishë?***- Përvoja ime është gjithnjë pozitive: që kur isha shkollën fillore, më pëlqente shumë të ndiqja katekizmin e famullitari ma plotësonte gjithnjë dëshirën. Kështu, që e vogël, ndjeva dëshirën t’i kushtohesha misionit të katekistes, t’i kumtoja njerëzve Jezusin. E Kisha m’i hapi të gjitha rrugët, përtej ëndrrave të mia, më dha mundësinë të studioj teologji. Realizova një ëndërr.***- Ç’dëshironi t’u thoni sot grave?***- Dua t’u them se duhet të zbulojmë me të vërtetë natyrën tonë femërore e ta bëjmë të ndjehet fuqimisht kudo në shoqërinë bashkëkohore. Por nuk duhet të harrojmë se mijëra gra nuk e kanë lirinë tonë, prandaj duhet të përpiqemi që të gjitha gratë e botës të gëzojnë lirinë e vërtetë, të kenë mundësi për t’i dhuruar shoqërisë së sotme talentetet e tyre femërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.