2006-03-07 16:55:51

Ndjekja e Krishtit dhe dhembshuria e Hyjit për njeriun ndër reflektimet e kardinalit Cé në ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve në Vatikan.


Ndjekja e Krishtit, falja e mëkateve e pajtimi janë temat e Kreshmëve që frymëzuan ditën e dytë të ushtrimeve shpirtërore, predikuar Benediktit XVI dhe Kuries Romake nga kardinali Marko Cé.

 
Sot, për Benediktin XVI dhe Kurien Romake ishte dita e dytë e ushtrimeve shpirtërore kreshmore në Vatikan. Në meditimin e sotëm, Patriku i nderit i Venedikut, kardinali Marko Cé, predikatar i Ushtrimeve – u përqëndrua tek tema e thirrjes së nxënësve të Krishtit, sipas rrëfimit të Ungjillit të Shën Markut si dhe tek tema e faljes së mëkateve, dy aspekte karakteristike për Kohën e Kreshmëve.
***
Thirrja e Jezusit drejtuar nxënësve është një nga figurat-simbol të jetës së fesë. Është e tillë, sepse tregon disa nga elementet që e bëjnë të krishterin ndjekës të Krishtit, si pendesën e plotë, shkëputjen nga rruga e gabuar, nismën absolute të Jezusit në çastin e thirrjes dhe njëkohësisht “sundimin” e Krishtit mbi njerëzit, të cilëve është duke u drejtuar një kumtim të padëgjuar ndonjë herë. Në fillim Kardinali Cé përshkroi skenën në të cilën fiton pjekurinë thirrja e të Dymbëdhjetë Apostujve - Galilenë, tokë e njerëzve të varfër, që nuk vlerësohej nga judejtë, por që Jezusi e zgjedh si teatër të misionit të tij. Përvujtëria, në kontrast me mburrjen e njerëzve, është tipar i përhershëm i jetës së Krishtit. Njerëzit që zgjedh janë peshkatarë, jeta e të cilëve tronditet nga tri fjalë:
***
“Tri fjalët: pendohuni, besoni dhe lajmi i mirë – lidhen ngushtë ndërmjet tyre. Kuptimi më rrënjësor i pendesës, për të cilën na ftojnë Kreshmët, është ndjekja e Krishtit. Të pendohesh nuk do të thotë thjeshtë të bësh kthesë morale në jetë. Pendesa është më tepër një orientim i ri i jetës drejt personit të adhuruar të Zotit Jezus, është hapje e plotë e shtigjeve të jetës për Jezusin, është dhurim i jetës për Krishtin”.
***
Duke iu afruar së pari Pjetrit dhe shokëve të tjerë të udhës, Jezusi i trondit bindjet e epokës. Rabinët nuk bënin kështu me nxënësit e tyre – shpjegoi kardinali Cé. Por ky stil është i nevojshëm për një kumtim plotësisht të ri të Mbretërisë së Zotit, që përgatitet të bëjë Krishti. E këtu Patriku nënvizoi edhe karakterin krejtësisht të ri të ‘sundimit’ të Jezusit mbi nxënësit e vet: një akt që nuk shtyp, por çliron, që kërkon përgjigje të menjëhershme e të plotë, që të fton ta ndjekësh.
Në meditimin e dytë predikatari kaloi nga Galileja në Kafarnao, në shtëpinë e Pjetrit, ku kryhet mrekullia e shërimit të ulokut. Kardinali tërhoqi vëmendjen e dëgjuesve tek personazhet e kësaj skene, që janë paralitiku, i cili nuk flet, sepse gjithë qenia e tij shpreson tek Mësuesi që mund ta shërojë dhe katër njerëzit, që e mbartin. Ata hapin një vrimë në çatinë e shtëpisë për ta afruar të sëmurin tek Jezusi. E feja e tyre e prekë thellë Krishtin. E prek thellë edhe solidariteti, simbol i dhembshurisë që rijeton në Kishë e në njerëzit e saj të shuguruar.
Mrekullia e Jezusit kryhet në rrethana armiqësore. Farizejtë që janë të pranishëm, e gjykojnë në heshtje Jezusin si blasfemues, që ia falë mëkatet paralitikut. Shërimi nga sëmundja dhe falja e mëkatve – theksoi kardinali Cé – lidhen ngushtë njëra me tjetrën. Mëkati është rrënja e çdo të keqeje njerëzore, ndërsa falja e pajtimi, rrëfyer në Ungjill, janë dy shtyllat e Kreshmëve:
***“Falja e mëkateve është dhuratë e Pashkëve të Krishtit e njëkohësiht edhe pjesëmarrje reale në ngjalljen e tij. E Krishti ka pushtet t’i falë mëkatet. Ky pushtet ishte vetëm në qiell, ndërsa tani, me Jezusin, është edhe mbi tokë".







All the contents on this site are copyrighted ©.