2006-03-06 17:15:35

Ushtrimet Shpirtërore në Vatikan:”Jezusi na shoqëron përmes shkretëtirës së varfërisë sonë në udhën drejt gëzimit të Pashkëve”:


( 6 mars 2006 R.V.)kështu u shpreh kardinali Marco Cé në meditimin e tij para Papës dhe bashkëpunëtorve të Kuries Romake.“Jezusi na shoqëron përmes shkretëtirës së varfërisë sonë, duke na ndihmuar në udhën drejt gëzimit të thellë të Pashkëve”: kështu u shpreh kardinali Marco Cé, Patrik nderi i Venedikut, në meditimin që mbajti sot për Ushtrimet Shpirtërore të Kreshmëve, në praninë e Atit të Shenjtë e të Kuries Romake.
Filluan dje, e Diela I e Kreshmëve, në Kapelën “Nëna e Shëlbuesit” në Vatikan, Ushtrimet Shpirtërore me pjesëmarrjen e Atit të Shenjtë, që do të përfundojnë të shtunën pasdite. Në këto ditë janë ndërprerë të gjitha audiencat papnore, duke përfshirë edhe audiencën e përgjithshme.
Meditimet, me temë: “Duke ecur me Jezusin drejt Pashkëve të udhëhequr nga Shën Marku Ungjilltar”, sivjet i propozon kardinali Marko Cé, Patrik nderi i Venedikut.
“Janë Pashkët që përftojnë Kreshmët, jo anasjelltas”. Këtë theksoi sot predikatari, që i cilësoi Kreshmët si kohë e zgjedhur për shtegtimin shpirtëror drejt Atij që është burimi i dhembshurisë. Jezusi – vijoi kardinali - na shoqëron përmes shkretëtirës së varfërisë sonë, duke na ndihmuar në udhën drejt gëzimit të thellë të Pashkëve, që janë zemra e fesë së krishterë:
***
“Në se hiri i të Kryqëzuarit nuk do të na thërriste e nuk do të vinte të na merrte, ne nuk do të dilnim kurrë nga topitja (plogështia) jonë e nga mëkati ynë. Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekshëm? Hiri i Hyut, përmes Jezu Krishtit”.
***
Këto Ushtrime Shpirtërore - vijoi predikatari – duhet të bëhen një akt dashurie për Kishën e për shumë vëllezër që ecin në rrugë të largëta, të cilët Jezusi dëshiron t’i shpëtojë. Duke u rikthyer, më pas, tek Mesazhi kreshmor i Benediktit XVI, kardinali Cé kujtoi se gjatë Kreshmëve, përveç lutjes, nuk duhet harruar edhe bamirësia dhe agjërimi. E agjërimi, shpjegoi kardinali, sipas mësimit të Etërve të Kishës, ka edhe kuptimin e solidaritetit. Më pas theksoi se Ungjilli duhe të jetë në qendër të jetës të të krishterëve, sepse ‘Lajmi i mirë’ është vetë Jezusi:
***
“Ungjilli kërkon nga ne pjesëmarrje, kërkon ta ndjejmë veten të thirrur, të mos jemi thjeshtë spektatorë, të sigurtë në fortesën e racionalitetit tonë, por të reagojmë si ata që e takojnë Jezusin, që i merr me vete drita e tij. Ky është kuptimi i dëshirës së thellë të Jezusit kur thoshte: “Më besoni!”.
***
Ta marrësh Ungjillin në dorë – tha predikatari – është njëlloj si të takohesh me Jezusin, nga i cili njeriu merr forcë për t’u penduar, për ta riorientuar jetën e vet nga Zoti, duke ia hapur zemrën në fe.
Në predikimin dytë të sotëm, kardinali Cé u ndalua posaçërisht tek fragmenti i Ungjillit sipas Markut, në të cilin Shën Gjon Pagëzuesi i shpall turmave që kishin ngarendur nga mbarë Judea, pagëzimin e pendesës:
***
“Unë mendoj për turmat që ngarendën për vdekjen e Papës Gjon Pali II, për zgjedhjen e Papës të ri, mendoj për të rinjtë që ngarendën nga të katër anët e botës në Këln. A s’janë këto turma një dëshmi e gjallë e shqetësimit të zemrës, që nuk gjen paqe derisa të ketë takuar Zotin?”.
***
Edhe kush e refuzon Krishtin – vijoi reflektimin Kardinali Cé – vuan, pa e ditur as vetë, ndjen një zbrazësi zemërçjerrëse për Zotin. Është zbrastësi të cilën vetëm Kisha, gjithnjë më besnike ndaj Zotit, mund ta mbushë. Pikërisht si Shën Gjon Pagëzuesi – tha predikatari – duhet të jemi të lidhur me Jezusin, duke qenë se jemi ata që jemi në saje të Tij e për Të. E këto fjalë u pasuan nga një nxitje drejtuar pikërisht bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Pasardhësit të Shën Pjetrit:
***
“Duhet të kemi një dëshirë të vetme, që njerëzit të shikojnë se ne, ndonëse me mangësitë tona, jemi njerëz që e duan vërtetë Zotin, që janë të dashuruar me Të, që nuk hapin një humnerë ndërmjet asaj që thonë e asaj çka janë në të vërtetë”
***
Kreshmët – përfundoi kardinali Cé, janë kohë e hirit që na fton të zgjedhim Zotin. Është gjë e bukur që mendosh se Zoti vjen të na kërkojë; ta lemë, pra të na gjejë gjatë Kreshmëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.