Mirënjohja dhe dashuria e Radio Vatikanit për Benediktin XVI pas vizitës që bëri të
premten e kaluar në Pallatin Pio për kremtimin e 75-vjetorit të themelimit të emitentes.
(6 mars 2006 R.V.)Intervistë me drejtorin e përgjithshëm të Radio Vatikanit, atë
Federiko Lombardi S. J. Përzemërsi e vëmendje ndaj bashkësisë profesionale
të madhe e plot larmi të Radio Vatikanit. Tri ditë pas vizitës historike të Benediktit
XVI në Radio Vatikan me rastin e 75-vjetorit të themelimit, në mendjen e 400 punonjësve
mbeten të skalitura fjalët e Papës, i cili e nxiti emitenten papnore të jetë zë i
së vërtetës në korin shumëgjuhësh në shërbim të paqes e të dialogut ndërmjet feve.
Këtyre fjalëve i shtohet mirënjohja për përzemërsinë e Benediktit XVI: *** -
Më preku thellë pikërisht ky fakt, dmth që pranoi të vinte e të bënte një vizitë
kaq të imtë e kaq të nyjëzuar, duke hyrë nga pak në të gjitha hollësitë e jetës sonë.
Tjetër është të pritesh në audiencë në Vatikan, ndonëse me shumë përzemërsi e të dëgjosh
një fjalim të mrekullueshëm, e tjetër gjë është kur Papa vjen aty ku ti punon çdo
ditë dhe njeh drejtpërdrejtë, personalisht, vendet e veçanta, aspektet e posaçme
të punës sate, duke qenë plotësisht i gatshëm të pyetet, të kuptojë realitetet e veçanta
të grupeve të ndryshme, krejt të ndryshme nga njëri-tjetri, siç janë grupet që përbëjnë
realitetin tonë. Nga ana e tij ishte një vijim – në një farë mënyre – nuk them i çudisë,
sepse e dì, por i zbulimit drejtpëdrejtë të shumëllojshmërisë të realiteit tonë gjuhësor
e kulturor. *** - Ç’ mbresa ju la shoqërimi i Papës në këtë rrotullim “rreth
botës së vogël” të Radio Vatikanit? *** - Është një botë që, natyrisht e
njoh shumë mirë dhe shikoj me gëzim e befasim se çdo vizitues i ri e jeton duke
e zbuluar drejtpërdrejtë pasurinë e saj. E përveç gatishmërisë së pabesueshme, mirësisë
dhe vëmendjes të Atit të Shenjtë, unë mund të rijetoj përzemërsinë që të gjitha grupet
e Radio Vatikanit – redaksitë, punonjësit e ndryshëm, teknikët, administruesit e kështu
me radhë – kanë ndaj Atit të Shenjtë, gjë që është parakusht i identifikimit me një
mision, me kryerjen e tij nga gjithë zemra e me gjithë impenjimin e mundshëm. Ja,
pra, më la mbresë pjesëmarrja nga ana e të dyja palëve: takimi i anasjelltë. *** -
Të ndalemi pikërisht tek misioni. Vizita e Benediktit XVI në Pallatin Pio ishte kulmi
i kremtimeve të një përvjetori të rëndësishëm dhe njëkohësiht të një hovi të ri. Nga
riniset, pas kësaj ngjarjeje të madhe, Radioja e Papës? *** - Radioja e Papës
është përpjekur të përgatitet, gjatë këtyre viteve, për kufijtë e ri të komunikimit
dhe u përpoqëm që Ati i Shenjtë t’i shikonte me sytë e vet, shenjat e risisë, ndonëse
akoma të vogla: risi në mjediset tona, risi në mjetet, në studiot... ja, mjetet e
reja me të cilat sot punohet ditë për ditë për të përhapur komunikimin. E ne jemi
përgatitur për t’i bërë ballë kësaj sfide. Gjëja kryesore që na dha Papa është inkurajimi
dhe përforcimi i motiveve për të cilat duhen përdorur këto mjete. Unë dëgjoja, në
sfond, fjalët e Palit VI, që thoshte: “Nuk do të vlente asgjë një mjet i mrekullueshëm,
në se nuk do të përdorej mrekullisht”. Ja, ne jemi përgatitur ditë për ditë për ta
ripërtërirë “mjetin e mrekullueshëm’; tani na mbetet të vijojmë përpjekjet për ‘ta
përdorur mrekullisht’. Pikërisht për këtë na dha zemër Ati i Shenjtë, në këndvështrimin
e thellimit të përmbajtjes, në këndvështrimin e dashurisë për të vërtetën, në këndvështrimin
e shpirtit me të cilin realizohet ky mision në shërbim të Kishës, në shërbim të Ungjillit. *** -
Papa nënvizoi posaçërisht rolin e Radio Vatikanit në botën e mjeteve të komunikimit
ku – siç tha vetë Ati i Shenjtë - shpesh herë vërehen qëndrime në kundërshtim me Kishën
e me Ungjillin... *** - Sigurisht. Mjetet e komunikimit të shtrojnë për zgjidhje
problematikën e sotme, si problematikë themelore: të ballafaqojnë me vlerat që
duhen shikuar si pikëmbështetje, me kulturën e sotme, me mënyrën si përhapet kjo kulturë,
si jetohet, si përvetësohet nga mendësia, pikërisht përmes dëgjimit të radios, të
televizionit, të internetit... Ja kjo është rruga përmes së cilës vizioni i botës
kalon në jetë. Prandaj ne e ndjejmë thellë përgjegjësinë për rolin që kemi. E dimë
se japim një ndihmesë të vogël, në se duam, në këtë areopag të pakufishëm, që është
komunikimi në botën e sotme, por është ndihmesë që ka vlerën e vet e prandaj edhe
ne vemë të gjitha forcat për ta dhënë sa më mirë që është e mundur, për ta vënë këtë
element - që dëshirojmë të jetë sa më pozitiv, mik i njeriut, mik i njerëzimit - në
shërbim të së mirës të njeriut, të zhvillimit të tij, përballë kontributeve të tjera
që çojnë më shumë në përçarje, në konflikt, në çorientim. *** - Pyetja e
fundit: Atë Lombardi, cila është mbresa juaj më e fortë personale nga vizita e Papës
në Radio Vatikan? *** - Kryesisht, kjo afërsi e vëmendje e Atit të Shenjtë
për punën tonë. Ne e bëjmë me gjithë zemër – edhe unë kështu, mendoj se e bëj
me gjithë zemër, duke dhënë gjithçka mundem për ta kryer sa më mirë këtë shërbim;
Ati i Shenjtë na la të kuptojmë – më la të kuptoj – se e di këtë, se është i kënaqur,
se i pëlqen, se e di që është shërbim për misionin e tij e prandaj është gjithnjë
pranë nesh me miqësinë e tij, me inkurajimin e me lutjen e tij. E ky, natyrisht, është
një ngushëllim i madh!
Il Papa all'Angelus: per diventare davvero liberi
occorre superare la prova della tentazione Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot:
për t’u bërë vërtetë të lirë, duhet përballuar prova e tundimit