2006-03-02 17:44:56

Vizita e Benediktit XVI në Radio Vatikan


Nesër Papa Benedikti XVI do të vizitojë Radio Vatikanin me rastin e 75 –vjetorit të Emitentes të Selisë së Shenjtë.
Ditë historike nesër për Radio Vatikanin. Benedikti XVI do të vizitojë emitenten tonë me rastin e 75-vjetorit të fillimit të transmetimeve. Ngjarja e madhe do të transmetohet drejtpërdrejtë si nga Radio Vatikani, ashtu edhe nga interneti e nga Tele- Pace.
Janë fjalët e shqiptuara më 12 shkurt 1931 nga Gulielmo Markoni, shpikës i Radio Vatikanit dhe nga Piu XI, që i përuroi transmetimet e saj me radiomesazhin e tij drejtuar botës. Kanë kaluar 75 vjet që nga ajo ditë, po Radio Vatikani vijon ta çojë në të katër anët e Planetit zërin e Papës e të Kishës, duke kaluar kufijtë, duke kapërcyer pa frikë pengesat politike e kulturore e duke rrokur mbarë kontinentet me mesazhin e vet të paqes e të vëllazërisë. Benedikti XVI vjen të takohet me këtë familje të madhe në shërbim të Atit të Shenjtë e të Kishës dhe të përtërijë motivin kryesor të punës së saj, shprehur në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, më 12 shkurtin e kaluar:
“... me mjetin e radios e pastaj të televizionit, mesazhi i Ungjillit dhe fjalët e papëve kanë mundur të arrijnë më shpejt e më lehtë ndër të gjithë popujt”.
Benedikti XVI është papa i gjashtë që viziton Radio Vatikanin pas Piut XI; Piut XII, papës së dramave të Luftës II Botërore; Gjonit XXIII, papës të Enciklikës ‘Pacem in Terris’ në një botë ku sundonte lufta e ftohtë; Palit VI, që përmbylli punimet e Koncilit II të Vatikanit, nisur nga paraardhësi i tij dhe Gjon Palit II. E Benedikti XVI gjatë vizitës, së tij, do të përurojë pllakën përkujtimore kushtuar pikërisht “Kardinalit Vojtila” në Studion 3, ku Papa i ardhshëm i pati dhënë mbi 30 intervista Programit Polak pranë Radio Vatikanit.
E sot Radio Vatikani, përveç transmetimit me valët tradicionale ajrore, ka arritur të flasë lirisht gjuhën më të përparuar të multimedialitetit e të ueb-it. Me një objektiv, që ka mbetur i pandryshueshëm për 75-vjet: të çojë, me mikrofonet e saj, në botë, zërin e Papës e të Kishës, të gjejë, pa u lodhur kurrë, mënyra e hapësira të reja, për të përhapur, ndërmjet lajmeve, Lajmin e Mirë. Është një bashkësi profesionale me 384 punonjës nga 59 kombe, me 54 gjuhë, që transmeton 23 mijë orë vjetore.
Por ç’kuptim ka për personelin e Radio Vatikanit takimi i nesërm me Papën Benedikti XVI, pritja e të cilit po jetohet me emocione të thella? Përgjigjet kardinali Roberto Tuçi, ish- Drejtor i Radio Vatikanit:
“Është një inkurajim i madh të kemi këtu, me ne, Papën. Radio Vatikani dëshiron të jetë – e vlerësohet si e tillë – Radioja e Papës e, prandaj, vizita e Atit të Shenjtë është mbështetje dhe nxitje e madhe për të gjithë ata që punojnë këtu; njëkohësisht ky takim është edhe garanci: Jemi besnikë ndaj Papës e ai na e njeh këtë besnikëri!
Por çfarë realiteti do të gjejë Benedikti XVI gjatë kësaj vizite në Radio Vatikan, institucion që, me karakterin e tij shumkulturor, përpiqet t’i flasë botës për botën? Të ndjekim Drejtorin e Përgjithshëm të emitentes, Atë Federiko Lombardin:
“Dëshirojmë të jemi sadopak një pasqyrë e universalitetit të Kishës, e pasionit të saj për ta shprehur mesazhin, që është i përbashkët në shumë gjuhë e në shumë kultura të ndryshme, nëpër popujt e ndryshëm të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.