2006-03-02 19:37:34

Lajme shoqërore-politike.


RealAudioMP3 Dy atentate tronditën sot Karaçin, kryeqytetin e Pakistanit. Dy bomba shpërthyen në afërsi të ambasadës amerikane. Si pasojë u vranë pesë vetë, përfshi këtu edhe një diplomat amerikan. Atentatet u kryen në prag të vizitës së presidentit amerikan Xhorxh Bush në këtë vend, cili nga ana e tij deklaroi se ky atentat nuk do ta pengojë të vizitojë Azinë.
Në Irak një bombë shpërtheu në një lagje shiite të Bagadadit. Nga shpërthimi u vranë 8 persona. Pak më vonë një tjetër bombë shpërtheu në një autobus duke vrarë pesë udhëtarë. Edhe këto atentate vlerësohen të jenë në vazhdën e hakmarrjeve të përgjakshme mes shiitëve dhe sunitëve që tash dy javë nuk ndalen në Irak.
Në bazë të kompentencave kushtetuese dhe sipas marrëveshjes mes dy partive, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu emëroi z. Agim Çeku kryeministër. Në njoftimin për shtyp të presidencës së Kosovës thuhet se presidenti i kërkon kryeministrit të ri të formojë sa më shpejt qeverinë e re në bazë të marrëveshjes së koalicionit qeverisës.
Vazhdon të jetë tepër e acaruar situata në parlamentin shqiptar. Pas ndërhyrjes së djeshme të Gardës së Republikës në ambientet e Kuvendit, sot drejtuesi i punimeve të parlamentit Fatos Beja, mes protestave të shumta të opozitës, pezulloi për dy javë nga pjesëmarrja në parlament deputetët socialistë Erjon Braçen, Bashkim Finon, Ndriçim Kullën dhe Pilo Kerrin, dhe më pas mbylli seancën.







All the contents on this site are copyrighted ©.