2006-03-02 17:15:01

Kuvendi i Lezhës 2 mars 1444.


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 2 mars, përkujtojmë mbledhjen e Kuvendit të Princave të Arbërit në Lezhë, në vitin 1444. Kuvendi i drejtuar nga Venediku u mblodh në këtë qytet të vogël në mënyrë që të shmangeshin konfliket mes princave dhe të arrihej bashkimi i arbërve kundër turkut. Lidhja zgjodhi prijës Gjergj Kastriotin, i cili qysh atë ditë mori komandën e plotë të luftës kundër osmanëve. Filluan kështu 25 vjet betejash, intrigash e tradhtish përmes të cilave u përshkua populli ynë. Por këto vjet ishin edhe vjetët e afirmimit të shqiptarëve në arenën politike. Skëndërbeu ia doli të mbrojë Ballkanin jugperëndimor nga turqit të cilët me 29 maj 1453 pushtuan edhe vetë Kostantinopojën. Me vdekjen e Gjergj Kastriotit Lidhja e Lezhës e bori kuptimin e vet dhe shqiptarët i kaplloi letargu i gjatë. Do të zgjoheshin vetëm në 1703 në Kuvendin e Arbënit, po në Lezhë, i cili pati po aq qëllime fisnike sa edhe ai i Kastriotit: mbrojtjen e Krishtërimit.Lidhja e 1444-shit u shërbeu prap më vonë shqiptarëve si shembull frymëzimi për bashkim në mbrojtje të tërësisë tokësore, kujtojmë këtu Lidhjen e Prizrenit të qershorit të 1878-ës. Ndërsa sot, dëshmia që mund të japë Kuvendi i Lezhës është se kur aleancat politike jane të themeluara në ndjenja të sinqerta e të ndërsjellta japin gjithnjë fryte të dobishme në jetën e një kombit. Kjo është arsyeja që shqiptarët e përkujtojnë me nderim këtë ngjarje e krenohen me të edhe pse kanë kaluar 562 vjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.