2006-03-02 17:46:36

Jeta, familja, formimi i meshtarëve: këto ishin temat në qendër të takimit të Benediktit XVI me klerin romak


Sot paradite, më2 mars në Sallën e Bekimit në Vatikan, një takim shumë i përzemërt: ai i Papës Benedikti XVI me klerin e dioqezës së Romës.
Benedikti XVI bisedoi drejtpërdrejtë me famullitarët e Romës, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre për 2 orë me radhë. Kujtojmë se famullitë e dioqezës së Romës janë më se 330, ndërsa meshtarët e pranishëm në kryeqytet - rreth 5. 500.
Ishte takim gjatë të cilit Papa e famullitarët u ndalën tek sfidat e mëdha që duhet të përballojë sot Kisha e Romës, por edhe bisedë e përzemërt vëllazërore, siç e quajti vetë Shenjtëria e Tij.
Takimi nisi me një çast simpatik, gjatë të cilit u lexua një tingëllimë shkruar prej njërit nga famullitarët, kushtuar Papës Benedikti XVI dhe paraardhësit të tij të dashur, Gjon Palit II.
Familja, ballafaqimi me rininë, formimi i meshtarëve të rinj: këto ishin temat kryesore që prekën 15 famullitarët, të cilët kërkuan nga Ati i Shenjtë reflektime, këshilla por edhe inkurajim. Shumë prej tyre, duke nisur nga vetë Papa dhe kardinali vikar Kamilo Ruini, kujtuan dëshminë e madhe të dashurisë së krishterë të don Andrea Santoros. Sidomos gjatë Kreshmëve – nënvizoi Shenjtëria e Tij - duhet ta ripohojmë thirrjen tonë, zgjedhje themelore për jetën. Një botë që s’ka Zot, që e ka harruar Zotin – vërejti Benedikti XVI – humbet jetën e bie në kulturën e vdekjes. Është rrezik, të cilin e ka paralajmëruar prej kohe edhe Papa Vojtila në Enciklikën e tij ‘Evangelium Vitae’ . Vetëm duke e dhuruar jetën - theksoi Ati i Shenjtë – mund ta gjejmë atë. Ky është edhe kuptimi i fundmë i Kryqit!
Më pas Papa theksoi rëndësinë që ka për të krishterin të dhurojë vetveten. Është shenjë përvujtërie, të cilin Benedikti XVI e kërkoi nga famullitarët në shërbimin që u bëjnë besimtarëve. Duhet ta pranojmë se jemi të papërkryer – theksoi Papa - për të pranuar Zotin, që është dashuri. Benedikti XVI vuri kështu theksin mbi atë që mund të bëjë Kisha për të ndihmuar familjen, qelizë themelore e çdo shoqërie të shëndoshë. Ka shumë rëndësi – pohoi Ati i Shenjtë – t’i mësojmë besimtarët që të luten në familje.
Papa u bashkua me shqetësimin e njërit nga meshtarët lidhur me izolimin e familjeve brënda familjes. Prandaj, vërejti Ati i Shenjtë – është e nevojshme bashkëpjesëmarrja e Kishës për ta shpëtuar familjen. Në përgjigjet që u dha famullitarëve, Papa u ndal edhe tek rëndësia e Adhurimit Eukaristik që - tha Ati i Shenjtë – duhet inkurajuar gjithnjë. Pastaj, duke rikujtuar Enciklikën e tij ‘Zoti është dashuri’, inkurajoi të gjithë ata që, duke qenë dëshmitarë të dashurisë së krishterë, impenjohen në favor të njerëzve të varfër e të sëmurë.







All the contents on this site are copyrighted ©.