Domethënia e martirizimit të Atë D. Dajanit e Atë G. Faustit Jezuitë.
Me rastin e 60 vjetorit
të pushkatimit të këtyre martirëve ( 4 mars 1044), një reflektim i Atë Mario Imperatorit
S.J. nga Seminari “Zoja e Këshillit të Mirë” Shkodër, ku më 2 mars mbahet një takim
përkujtimore me një ekspozitë fotografike me dokumenta të epokës, nën kujdesin e
historianit Willy Kamsit. Ligjërata e jezuitit misionar në Shkodër, Atë Mario
Imperatori mbi “Domethënien e martirizimit të Atë Gjovani Faustit S.J. e Atë Daniel
Dajanit S.J.” Domethënia e martirizimit të Atë G. Faustit dhe të Atë D. Dajanit "Në
orën pesë të mëngjesit të datës 4 mars 1946 u pushkatuan në Shkodër, pranë varrezave
të qytetit, atë Giovanni Fausti dhe atë Daniel Dajani, së bashku me nxënësin Mark
Çuni, atë Gjon Shllakun ofm, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashin. U akuzuan se ishin
sabotues dhe armiq të popullit, meqë ishin anëtarë të Shoqatës Bashkimi shqiptar. Si
kanë ardhur punët deri këtu? 1. Konteksti shqiptar Duke filluar nga shtatori
i vitit 1944 trupat gjermane u larguan nga Shqipëria. Më 28 nëntor ushtarët e fundit
gjermanë u larguan nga Shkodra, e cila prej disa muajsh ishte pre e kaosit. Kjo tërheqje
përcaktoi edhe rënien e qeverisë së Regjencës (mëkëmbësit), e cila, e ndjeshme ndaj
pavarësisë së një Shqipërie të Madhe të premtuar me shkathtësi nga Berlini dhe përballë
rrëmujës dramatike të krijuar nga rënia e fashizmit italian, kishte pranuar bashkëpunimin
me Gjermaninë naziste me shpresën për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. Në këtë
qeveri veproi, në emër ekskluzivisht personal, edhe atë Anton Harapi ofm. Boshllëku
i pushtetit u mbush me të shpejtë nga komunistët shqiptarë të Frontit Nacional Çlirimtar,
objektivi parësor i të cilit «ishte të merrte pushtetin politik me çdo çmim si forcë
e vetme politike në Shqipëri». Fronti tashmë kishte marrë epërsi mbi partizanët e
Ballit Kombëtar, lëvizje-parti e larme nacionaliste dhe antikomuniste, e krijuar për
të luftuar pushtuesin italian dhe ku ishin angazhuar gjymtyrë të shumta të klerit
lokal. Komunistët shqiptarë me të shpejtë fillojnë të ndërtojnë Shtetin totalitar
nëpërmjet eliminimit fizik apo dënimit me heqje të gjata të lirisë së kundërshtarëve
të tyre politikë e kulturorë. Tashmë jemi në mesin e luftës civile dhe në krejt vendin
mbretëron terrori dhe frika. Qysh në nëntor të vitit 1944 shënohet në fakt në zonën
e Kukësit vrasja e 36 personave të pafajshëm. Në dhjetor të po këtij viti në Shkodër
arrestohet dhe torturohet egërsisht dom Lazër Shantoja, që në vitin 1939, duke mos
iu bindur eprorëve të vet dhe për arsye politike kulturore, kishte pranuar të bëhej
inspektor i Zyrës së shtypit dhe i propagandës së regjimit fashist okupator. Në janar
të vitit 1945, në Tiranë, tetë të burgosur politikë vriten me gjakftohtësi në sheshin
e Bashkisë përpara turmës së terrorizuar. Në janar të po atij viti arrestohen në Shkodër
dom Ndre Zadeja dhe 10 krerë katolikë të malësive. Sipas dëshmisë së maestrit L. Rosa
s.j., gjatë procesit me dyer të mbyllura të gjithë këta do të deklarojnë kundërvënien
e tyre ndaj komunizmit si ideologji ateiste. Të gjithë do të pushkatohen më 25 mars
të po atij viti, nën akuzën se kishin bashkëpunuar me Ballin Kombëtar. 2. Atë Fausti
dhe atë Dajani E gjithë kjo e prek drejtpërsëdrejti edhe Seminarin e Shkodrës,
i cili qysh në mesin e dhjetorit të vitit 1944 pëson bastisjen e parë (do të ketë
gjithsej 16 të tilla) për të kërkuar më kot armë dhe materiale politikish kompromentuese.
Në fund të janarit të vitit 1945 erdhi në Shkodër vetë Mehmet Shehu, i cili e quajti
këtë qytet një qendër reaksionare dhe kundërrevolucionare; bastisjet në Shkodër dhe
në rrethinat e saj bëhen gjithnjë e më të rënda dhe më të dhunshme: sipas dëshmisë
së L. Rosa, në bastisjen e fundit të Seminarit, në shkurt të vitit 1945, morën pjesë
rreth 700-800 ushtarë. Në prill, në burgjet e Shkodrës, numëroheshin tashmë 1.000
të burgosur politikë. Përballë rëndësisë së situatës, në maj të po këtij viti atë
Fausti u emërua zëvendësprovincial dhe vjen në Shkodër nga Tirana, ku gjendej qysh
prej tetorit të vitit 1943. Lindur afër Breshës (IT) më 09 tetor 1899, atë Fausti
ka qenë profesor i teologjisë në Seminarin e Shkodrës nga viti 1929 deri në vitin
1932, duke treguar një interes të shquar për dialogun me Islamin mistik, gjë që do
të konkretizohej në studimin e gjuhës arabe dhe në botimin e një serie artikujsh mbi
këtë argument në revistën La Civiltà Cattolica mes viteve 1931 dhe 1933. Ndryshe nga
shumica e bashkëvëllezërve jezuitë italianë, ishte një antifashist i bindur, si miku
i tij G.B. Montini dhe shumë katolikë intelektualë të tjerë breshanë të asaj kohe.
I detyruar që të kthehet në atdhe në vitin 1932 për shkak të një forme të rëndë tuberkulozi,
përveç se mësoi filozofi në fakultetin e filozofisë në Galarate të Italisë, do të
përhapte edhe shoqatën «Miq të Lindjes islamike» dhe do të zhvillonte një apostullim
të dendur në këtë fushë, duke merituar në këtë mënyrë titullin e nderit «pararendës
i dialogut islamiko-të krishterë». Duke marrë me mend rënien e shpejtë të regjimit
fashist në Itali dhe nevojën për të pasur në Shqipëri një jezuit jo të kompromentuar
politikisht me regjimin, në korrik të vitit 1942 eprorët dërguan atë Faustin në Shkodër
si rektor të Seminarit. Në tetor të vitit pasardhës, kërcënimi i internimit nga okupatorët
e rinj gjermanë për shkak të ndihmesës së viktimave të operacioneve spastruese të
SS-ve, do ta detyrojë të transferohet në Tiranë, dhe atë G. Karma do ta zëvendësojë
në detyrën e rektorit. Në shtator të vitit 1945 zevendesprovincial Fausti emëron
atë Dajanin si rektor të seminarit, deri atëherë drejtor dhe mësues në Kolegjin saverian.
Lindur në Blinisht më 02 dhjetor 1906, nxënës i Seminarit, më 1926 do të hyjë në Shoqërinë
e Jezusit në Itali, ku do të shugurohet meshtar në vitin 1938. Në vitin 1940 kthehet
në Shqipëri dhe fillon punën në Kolegj, në misionin shëtitës dhe si redaktor i revistës
Lajmëtari i Zemrës së Jezu Krishtit, të cilës i jep edhe një drejtim kulturor. Ai
ushtronte një tërheqje të sigurt mbi nxënësit e vet, njëri prej të cilëve dëshmon
se: « Atë Dajani ishte gojëmbël, i dashur me të gjithë dhe, me format tërheqëse
që përdorte, bënte që ne t'i qëndronim pranë me orë të tëra plot kënaqësi...». L.
Rosa, që në atë kohë ishte maestër jezuit në Seminar, dëshmon se në të gjitha detyrat
që ka kryer, atë Dajani: «u dallua për kundërvënien e tij instinktive ndaj politikës,
për maturinë, ekuilibrin dhe maturinë e ideve të tija, të gjykimeve dhe të sjelljeve
të tija». 3. Organizimi i shoqatës «Bashkimi Shqiptar» Pikërisht ndërsa atë
Fausti kthehet në Shkodër, në maj të vitit 1945 në Seminar mbahen disa konferenca
nga disa të rinj komunistë. Edhe për shkak të disa pakujdesive gojore të atë Gardinit,
këto konferenca do të shkaktojnë tensione që do të çojnë, më 21 qershor 1945, në arrestimin
e atë Gardinit dhe të maestrit jezuit Gjergj Vata. Përballë situatës politike teper
tensionuar, në korrik seminaristët, të dërguar në shtëpi për pushimet verore, në mënyrë
eksplicite ftohen nga atë Fausti: «që të qëndronin larg politikës, të bënin kujdes
kur flisnin… Nga sjellja e tyre mund të varej e ardhmja e Seminarit dhe vetë thirrja
e tyre»,siç është shkruar në dorëshkrimet e L. Rosa, i cili shton se «po kështu porosisnin
shumë herë eprorët e tjerë», siç do të ripohojë gjatë procesit vetë atë Dajani duke
deklaruar:«kam folur me ta për rreth një çerek ore, duke i porositur që të kenë kujdes
dhe të mos merren me politikë, por duke i ftuar që ta mbrojnë fenë nëse dikush flet
keq për të». L. Rosa shënon se këto porosi: «ndërsa do të harroheshin prej disa
seminaristëve, gjatë procesit të atë Faustit do të shtrembëroheshin dhe do të interpretoheshin
me dashakeqësi nga gjykatësit». Në fakt, qysh prej disa muajsh këto porosi nuk
ndiqen aspak nga seminaristi i vitit të katert të teologisë Mark Çuni që sipas Pepës
«shquhej për ndjenjat e tij patriotike dhe për ato kundër diktaturës fashiste». Pushkatimet
e bëra nga komunistët shqiptarë dhe mundimet e dhunimet e vazhdueshme të bëra prej
tyre, e shtynë këtë seminarist 26-vjeçar nga Rranxat e Bushatit që të themelojë organizatën
patriotike «Bashkimi Shqiptar», duke mbledhur rreth vetes disa seminaristë dhe disa
gjimnazistë të qytetit, të cilët, duke i bërë bisht kontrollit të eprorëve, mblidhen
natën edhe në mjediset e Seminarit, sipas rastit sipas Zezaj dhe rregullisht siç pohon
atë A. Luli. Sipas atit Felice Chiesa s.j., ish-rektor i Seminarit dhe në atë kohë
atë shpirtëror i jezuitëve në Shkodër, njëri prej motiveve që i shtyu këta seminaristë
qe edhe fakti se gjatë verës ata «panë dhe pësuan mundime nga disa elementë të pushtetit».
Bashkimi Shqiptar pati kontakte të jashtme me politikanë nacionalistë në Tiranë dhe
një herë edhe me dy oficerë të akademisë ushtarake. Objektivi i drejtpërdrejtë i Shoqatës
ishte zhvillimi i propagande nëpërmjet trakteve, për ta bërë më të ndjeshme popullatën
jo vetëm të Shkodrës, por edhe të Malësisë së Madhe dhe të Dukagjinit, mbi rrezikun
komunist dhe për ta ftuar më pas atë që të mos merrte pjesë në zgjedhjet-farsë që
ndërkohë komunistët kishin shpallur për datën 02 dhjetor 1945. Kështu i përshkruan
këto trakte Gjovalin Zezaj, në atë kohë anëtar 17-vjeçar i organizatës: «Traktet
përpiloheshin nga seminaristët Mark Çuni, Gjon Shllaku, Pjetër Gruda etj., meqë kishin
horizont të gjerë kulturore. Traktet në përgjithësi kishin përmbajtje me frymë kombëtare,
antisllave e antikomuniste, duke vënë në dukje tradhtinë e madhe që iu bë popullit
me anë të frontit Demokratik, që nuk ishte gjë tjetër veçse një levë e fuqishme e
qeverisë komuniste në fuqi, e cila Organizatën tonë e paraqiste terroriste-fashiste,
e kjo në kundërshtim me të vërtetën». Këto trakte shkruheshin dhe shtypeshin në
trapazanin e Seminarit, natën, pa dijeninë dhe kundër udhëzimeve të eprorëve. Dom
Ndoc Nogaj, në atë kohë seminarist, edhe pse s’ka qenë kurrë anëtar i organizatës
Bashkimi Shqiptar, dëshmon se: «pa vullnetin tim, kam qenë dëshmitar i të gjitha
veprimeve që bëheshin në Seminar prej kësaj organizate, duke përjashtuar mbledhjet,
shtypjen e trakteve dhe shpëndarjen e tyre». Dhe se veprimtarinë e organizatës
Bashkimi përfshiu shumë seminaristë dëshmohet nga një letër që atë Troshani s.j. më
20 dhjetor 1945, cituar nga maestri L. Caldiroli në një letër dërguar provincialit
të vet më 11 janar 1946 dhe sipas të cilit «duket se krejt dhoma e të mëdhenjve ishte
e kompromentuar». Ndërsa në lidhje me atë Faustin dhe atë Dajanin don Nogaj pohon
se: «mund të deklaroj me bindje të plotë se ata nuk kanë bërë as nuk do të mund
të bënin pjesë, në asnjë organizatë politike e aq më pak në një organizatë fëmijësh
siç qe ajo e Bashkimit Shqiptar, por, edhe, në asnjë lloj organizate tjetër, qofshin
këto pro apo kontra çdo shteti». Edhe sipas atë Troshanit «seminaristët bënë fshehtas
gjithçka, pa pyetur eprorët e tyre». Ky gjyhim pohohet edhe nga atë A. Luli s.j.,
sipas të cilit ata «vepronin pa dijeninë e eprorëve». Dhe nga ati Chiesa e pohon një
gjë të tillë, edhe sepse: «me seminaristët i nderuari atë Fausti nuk kishte asnjë
marrëdhënie disiplinore, dhe i nderuari Atë Rektori nuk ishte gjithmonë në kontakt
me ta, pasi ai kishte drejtimin e përgjithshëm të të gjitha veprave tona në Shkodër». Por
kur e filloi veprimtarinë e vet seminaristi Çuni, për gjerësinë e së cilës asnjë prej
përgjegjësve të Seminarit me sa duket nuk ishte me të vërtetë i vetëdijshëm? Atë L.
Fozzer s.j. flet për një dëshmi gojore të atë Gj. Vatës s.j., atëherë maestër jezuit
në Seminar, sipas së cilës Çuni, me sa duhet para datës 21 qershor 1945, pasi kishte
marrë besën se nuk do të nxirrte asnjë fjalë, i tregon gjithçka mbi çfarë po bënte
jezuitit të ri shqiptar, i cili, i frikësuar dhe i shqetësuar, i kërkon Çunit që t’i
premtojë se do ta ndërpriste menjëherë veprimtarinë e vet të rrezikshme politike.
Por Çuni nuk do t'i qëndrojë besnik fjalës së dhënë. Në çdo rast atë Fausti e atë
Dajani nuk ishin aspak në dijeni të gjithë asaj që në mënyrë të rrezikshme po ndodhte
brenda mureve të Seminarit, ndërsa të tjerë shihnin dhe heshtnin. Në tetor seminaristët
e Bashkimit hartuan një Memorandum mbi gjendjen dramatike politike të Shqipërisë,
të cilin Zezaj do t’ia dërgojë gjeneralit amerikan Hudson gjatë vizitës së tij në
Shkodër, ku, duke nisur nga fundi i muajit nëntor, numri i pushkatimeve mund të sillej
sipas Rozës rreth nga 500 deri në 800 vetë. Çuni, me sa duket i vetëdijshëm për rrezikun
e madh që po u bënte të kalonin jo vetëm eprorët, por edhe krejt Seminari, shpresonte
që kjo gjë do të mbetej e fshehtë, aq sa në fillim të nëntorit në qytet u përhap fjala
për një zbarkim të mundshëm anglo-amerikan në Shqipëri, me mbështetjen e bandave kundërtitiste
në veri dhe me një ndërhyrje të Greqisë në jug. 4. Fillimi i dramës
Por
diçka shkon keq. Mbrëmjen e datës 27 nëntor 1945, në orën 23.00 Zezaj arrestohet dhe
merret në pyetje për marrëdhëniet e tij me Çunin. E njëjta gjë u ndodh edhe katër
anëtarëve të tjerë të organizatës. Hetuesit dyshonin diçka për rolin e luajtur nga
Çuni në Bashkimin Shqiptar. Rosa pohon se në datat 29 dhe 30 nëntor në Seminar dihej
se të rinjtë e arrestuar ishin torturuar dhe mendon se ekzistonte mundësia se disa
prej tyre kishin folur. Sipas zotit Zezaj, Çuni, duke e ditur se tashmë eprorët
dhe Seminari po rrezikonin shumë, ia zbulon vetë të gjitha rektorit duke i propozuar
që si rrugëzgjidhje të kalonte në ilegalitet. Por rektori, që ishte atë Dajani dhe
jo Fausti, ashtu si gabimisht pohon Zezaj, do t’i ishte përgjigjur: «Nëse ti bën një
veprim të tillë për seminarin do të jetë një katastrofë, prandaj më mirë rri e besoj
se nuk do të ndëshkohesh». Gjatë procesit-farsë në vijim, vetë atë Dajani do të pohojë
se ai dhe atë Fausti kishin pasur dijeni për veprimtarinë e Bashkimit vetëm tri ditë
para arrestimit të Çunit, që u bë më 7 dhjetor. Duke u bazuar në shënimet e L. Rozës,
Guidetti mbron idenë se megjithatë vetëm natën e arrestimit të Çunit disa prej seminaristëve
do të kishin filluar t’ia tregonin Faustit aktivitetin e Bashkimit në Seminarin. Sipas
Rasa «të shumtë janë të kompromentuarit: kryesorët dhe disa prej frikacakëve kërkojnë
të largohen nga seminari dhe të fshihen», por atë Fausti mohon me vendosmëri një leje
të tillë duke deklaruar: «Ju keni shkelur rëndë dëgjesën dhe disiplinën: tani
bëni pendesë. Nëse ju lëmë të largoheni nga Shkodra, do të dyshojnë se kemi gisht
në këtë punë: Eprorët dhe vetë Seminari do të jenë në rrezik. Nuk është e drejtë që
të pafajshmit të vuajnë për fajin tuaj». Sapo merr vesh për këto ngjarje, Imzot
Frano Gjini, në atë kohë Delegat Apostolik në Shqipëri, do të pohojë më vonë se: «Unë,
si i ngarkuem i përkoshëm i delegacionit Apostolik i kam dërguar këtë vendim Seminarit
Papnor të Shkodrës, që pjesëmarrësit në këtë akcion politik kanë shkelë randë disiplinën
e Seminarit aq sa me vue në rrezik dhe jetën e superioreve, prandaj u hiqet e drejta
e vazhdimit të studimeve». Në çdo rast do të shfaqet gjithnjë e më qartë se si,
ajo që atë Chiesa nuk heziton ta quajë «një mosdëgjesë e pamatur», Çuni u kishte dhënë
tashmë komunistëve shqiptarë, gati si në një pjatë të argjendë, atë rast të volitshëm
deri atëherë të kërkuar gjatë, por më kot prej tyre, që të mund t’i goditnin drejtpërsëdrejti
eprorët e Seminarit, me një operacion që përvijohet gjithnjë e më qartë si një përndjekje
e mirëfilltë kundër klerit katolik, që vite më parë kishte luftuar komunizmin në fushën
kulturore, për shkak të ideologjisë së tij ateiste. Mbrëmjen e datës 9 dhjetor arrestohet
një seminarist tjetër, Gjon Shllaku dhe në këtë pikë ndonjë seminarist jo i përfshirë
në organizatën e Çunit qorton në mënyrë eksplicite eprorët për vigjilencën e tyre
të pakët. Këtë kritikë të rëndë atë Fausti e relativizon duke u kufizuar në pohimin
se «është e natyrshme, për shkak të karakterit dhe të përshtypjes së momentit, që
të shfrejnë në këtë mënyrë». Në të njëjtën kohë ai i nxit me forcë seminaristët për
dëgjesë, duke treguar «se çfarë pasojash mund të sjellë mospërshtatja me udhëzimet
e eprorëve». Mbrëmjen e datës 11 dhjetor arrestohen edhe katër seminaristë të tjerë.
Në dorëshkrimet e L. Rozës përshkruhet një episod që na mundëson të kuptojmë mirë
se cila qe, ndër ato ditë dramatike, klima e Seminarit: «Në shtëpi të gjithë janë
në dyshim nëse duhet t'u dërgohet ushqim seminaristëve të burgosur [...]. Dikush thotë
se është më mirë që të lihen në mëshirë të fatit, aq sa nuk mund të konsiderohen më
pjesëtarë të Seminarit pas asaj që kanë bërë: madje propozon të përjashtohen zyrtarisht
nga Seminari. Atë Fausti dhe atë Dajani parapëlqejnë që të mos ia mohojnë bamirësinë
që të kenë pak ushqim, kjo edhe sepse gjesti ynë mund t'i atribuohet gurtësisë së
zemrës». 5. Zbritja në ferr Ndërkohë në burg komunistët shqiptarë u vërsulën
në mënyrë të veçantë kundër nismëtarit të Bashkimit Shqiptar, të cilin e torturojnë
në mënyrë çnjerëzore, siç dëshmon Zezaj, që e takon në burg: «Aty gjeta Mark Çunin
që dergjej pa shtrojë e mbulojë i katandisur mos Zot më keq, nga njëra anë torturat,
nga ana tjetër edhe krahun e thyer pa kurrfarë ndihme mjekësore [...]. Krahun e thyer
ia lidha me një peshqir që ndava përgjysëm, ndërsa plagët ishin të shumta e ku kisha
mundësi ia freskoja me ujë». Nëse Zezaj mohon një pranim të akuzave nga Çuni gjatë
torturave, dom Ndoc Nogaj përkundrazi pohon se gjatë procesit-farsë publik të mëvonshëm: «Kam
dëgjuar mjerisht, me veshët e mi, deponimet fallso të disa pjesëtarëve të grupit "Bashkimi
Shqiptar" që deklaronin se Atë Gjon Fausti dhe Atë Danjel Dajani kishin patur dijeni
për ekzistencën dhe veprimtarinë e grupit në fjalë, deponime këto të bëra edhe nga
Mark Çuni, Gjon Shllaku, Gjovalin Zeza, Luigj Kçira, Gjergj Bici [....], por të nxjerra
sigurisht me forcën e torturave të tmerrshme». Më 24 dhjetor maestri L. Rosa mori
një pusullë në të cilën jo vetëm pohohej ajo që tashmë dihej prej disa ditësh, domethënë
torturat çnjerëzore të pësuara nga seminaristët e arrestuar, por edhe se objektivi
eksplicit i këtyre torturave, ai i kompromentimit të drejtpërsëdrejtë të atë Faustit
dhe të atë Dajanit në çështjen e Bashkimit Shqiptar, deri tani nuk është arritur ende.
Në këtë pusullë pohohej në fakt se seminaristët: «kanë mohuar prerazi; thonë: "nëse
jezuitët do ta kishin ditur, do të na kishin dëbuar nga Seminari". Tani për tani pra,
ju nuk jeni në rrezik. Zhduke menjëherë këtë pusullë». Dhe jezuiti L. Rosa, nga
ana tjetër, shton se «Atë L. Rosa ia dorëzon atë Dajanit, i cili ia tregon atë Faustit
dhe e zhduk». Duke cituar një relacion të shkruar «falë pendës së një Personazhi të
rëndësishëm Italian, i cili ishte shumë mirë në dijeni të gjërave që po ndodhnin atje
poshtë», por përfatkeqësi të panjohur për ne, Rosa mohon edhe çdo dorëzim të mëvonshëm
të M. Çunit dhe të shokëve të tij, siç e ka mohuar më vonë edhe atë A. Luli s.j.. Në
çdo rast mbrëmjen e datës 31 dhjetor 1945, pas kthimit nga një ekskursion dhe pas
këngës Te Deum, atë Dajani dhe atë Fausti arrestohen dhe çohen në një shtëpi qytetare
dykatëshe, që shërbente si burg. Kështu zbresin në atë ferr ku i kishin paraprirë
ata seminaristë që, me mosdëgjesën e tyre, i kishin kompromentuar. Lajmi arriti deri
në veshët e Çunit, i cili me siguri është tronditur thellësisht nga arrestimi i eprorëve
të vet, ashtu siç lë të kuptohet qartë Zezaj kur shkruan se: «Me arrestimin e dy
eprorëve Mark Çuni i harroi dhimbjet e trupit dhe krahun e thyer nga torturat e sadistëve.
Atij i dukej se për këtë katastrofë kishte edhe ai njëfarë përgjegjësie». Për këtë
nuk është e vështirë të përfytyrohet se pas arrestimit të eprorëve të vet fillon për
Çunin një ecje e dhimbshme kthimi dhe pastrimi, e cila bëhet e mundshme nga një bashkësi
e thellë shpirtërore dhe fizike me ta, të thirrur të paguajnë pasojat edhe të mosdëgjesës
së tij. Falë kësaj ecjeje pastrimi dhe mbështetjes së tyre të mistershme, vuajtja
fizike dhe morale e pësuar prej tij do ta bëjë patriotin Çuni, që në emër të një ideali
politik antikomunist nuk kishte qenë i dëgjueshëm ndaj tyre duke u dhënë kështu komunistëve
pretekstin aq të dëshiruar për të goditur Kishën, një dëshmitar të Krishtit dhe të
dashurisë së Tij ndaj të gjithëve, përfshi edhe komunistët. Ai provoi në këtë mënyrë,
në vetë mishin e vet, mosnjëjtësimin e fesë me atdheun, një mosnjëjtësim që binomi
i njohur Fe e Atdhe, atëherë shumë i përhapur në rrethet katolike të Shkodrës, përkundrazi
prirej ta bënte. Një pamje e shpejtë, por e ndritshme mbi bashkësinë e mistershme
që tashmë lidh Çunin me eprorët e vet mund të kuptohet nga takimi që, falë bashkëpunimit
të disa rojeve, Zezaj ka mundur të ketë në burg me atë Faustin: «Një ditë mora
me vete në xhep dy portokallë e i përcjellur nga Fadili (roja) i dhurova Padër Faustit,
por ai nuk i pranoi në asnjë mënyrë. "Jo bir", - tha i, - "nuk t’i marr, ti ke nevojë
të ushqehesh në këtë vend se je i ri". Pastaj bëri një bisedë disa sekondash me mua
ku më tha: "Lutju Zotit. Krishti vdiq për ne, dhe ne do t’i falim armiqtë tonë. Ai
kur u kryqësua tha: O Zot fali ata se nuk dijnë çka bëjnë". U largova duke i puthur
dorën e duke marrë bekimin e tij». Natyrisht vetëm Hyji e di se si, gjatë atyre
dy muajve të tmerrshëm që do të pasonin gjatë procesit, bashkësia mes Çunit dhe eprorëve
të vet ka vepruar konkretisht në zemrat e secilit prej tyre, në mënyrë që të gjithë
të mund të arrinin majën e dëshmisë së krishterë: dashurinë ndaj armikut. Në fund
të procesit atë Dajani do të pohojë në çdo rast se: «Pjesëmarrja e seminaristëve
ka qenë kundra rregullave tona fetare. Mark Çuni, mbasi i kishin arrestuar shokët,
erdhi tre ditë rresht duke më kërkuar leje për arratisje, unë nuk e lejova, sepse
thashë nuk është ndonjë gjë me rëndësi, as masë nuk mora [....], sepse prita që të
merrte fund puna e qeverisë dhe gjyqi, pastaj ne më vonë do të merrnim masat tona
disiplinore». Pas këtyre fjalëve Çuni, i cili mezi po mbahem në këmbët e veta për
shkak të torturave, do të marrë mbi vete krejt përgjegjësinë e organizatës Bashkimi,
duke kundërshtuar në mënyrë të veçantë çdo përfshirje të eprorëve të vet në këtë çështje. Burimi
anonim i cituar nga L. Rosa na jep edhe një të dhënë tjetër rreth ditëve të procesit
kur pohon: «Një hollësi shumë mallëngjyese na kujton diçka nga mundimet e Krishtit:
duke kaluar nga burgu për në gjykatë atë Fausti, në mënyrë të veçantë mes të gjithë
të pandehurve, u poshtërua, u sha dhe u pështy. Dhe kjo u përsërit për disa ditë me
radhë, deri sa zgjati procesi. I shkreti atë Fausti... për shkak të shtrëngimit të
prangave i kishte duart e fryra... Ndaj përqeshjeve, pështyrjeve, sharjeve, lot të
mëdhenj binin mbi faqet e tija të pafajshme. Ishin lotët e Kishtit për Jerusalemin
mosmirënjohës». Sipas disa dëshmive të cituara nga Guidetti, atë Fausti, i cili
i ka kaluar ditët e fundit në burg së bashku me Çunin: «E ka trajtuar sikur të
mos kishte bërë asgjë; madje e ka falur, e ka dashur kaq shumë sa ka folur me të sikur
të mos kishte ndodhur asgjë: nuk ia ka përmendur aspak atë punë. U jepte zemër shokëve
të burgut që të ishin të fortë, si dhe ngushëllonte edhe seminaristin». Dhe sipas
dëshmisë së një partizani që e ruante, katër ditë para pushkatimit atë Fausti «bënte
shaka dhe ishte pothuajse i gëzuar, sikur të ishte ftuar në një festë». Fryti përfundimtar
i krejt kësaj drame do të shfaqet me qartësi në fjalët e fundit të të dënuarve, mëngjesin
e datës 04 mars 1946, kur përpara skuadrës së pushkatimit atë Fausti do të thotë:
«Jam i kënaqur që po vdes në krye të detyrës sime. Rroftë Krishti Mbret». Nga ana
tjetër atë Dajani do të thotë në mënyrë eksplicite «I fali ata që më kanë ba keq»
dhe po ashtu do të bëjë edhe Çuni «I fali të gjithë ata që më kanë gjykue, dënue si
dhe ata që do të më ekzekutojnë». Burimi anonim i L. Rozës duke iu referuar motiveve
të dënimit me vdekje dhënë nga gjykata, shkruan: «...nuk e dimë nëse dikush prej
të pandehurve të tjerë ka ofruar ndonjë pretekst. Nëse do të ishte kështu, nuk do
të kishte qenë veçse dëshira e zjarrtë e ligjshme e çdo qytetari për pavarësinë e
Atdheut dhe për lirinë themelore të qytetarëve; për këtë do të gjendeshim përballë
Martirëve të Atdheut dhe të Drejtave të njerëzve [...]. Por ajo që është e sigurt
ama është se: atë Fausti Giovanni dhe atë Dajani Daniele ranë nën plumbin vrasës si
Jezuitë për shkak të urrejtjes ndaj Krishtit dhe Kishës, për këtë mund të konsiderohen
Martirë të fesë. Shqiptarët e dinë. Historia do ta thotë». Në dritën e fjalëve
të tyre të fundit, bashkësia e thellë që lidh atë Faustin, atë Dajanin dhe seminaristin
Çuni me njëri-tjetrin, që u krijua në një burg të shndërruar nga hiri i Krishtit si
në një lloj të ri Seminari, neve na duket tashmë se është ajo e gjakut të vetë Qengjit
të Zbulesës të ulur në fron. Është një gjak që nuk dallohet më as duke u nisur nga
raca, as nga atdheu, por vetëm nga aftësia për t’u dhuruar falas, për t’u marrë së
pari nga vetë ata që e derdhën, pa e ditur edhe vetë se çfarë po bënin. Një gjak-marrje
që, e shndërruar nga Perendia në një përkujtim të gjallë të dramës shpëtimsjellëse
të Kalvarit, bëhet pikërisht për këtë hir kthimi dhe faljeje për të gjithë. Pjelloria
e Tij do të kishte filluar të mbinte në mënyrë të pamendueshme në atë që do të bëhej
figura më e njohur në rang botëror e katolicizmit me origjinë shqiptare, në Nënë Terezën
e Kalkutës, e cila pak kohë më vonë, pikërisht më 10 shtator 1946, do të merrte nga
Zoti në Indi frymëzimin për të themeluar një familje të re rregulltare. Ashtu siç
përfundon burimi anonim i L. Rozës «Shqipëria ndoshta kishte nevojë për Martirë për
një lirim, që është agim i rilindjes». Neve na është dhënë përgjegjësia e madhe për
të mos qenë të padenjë për një hir të tillë". Atë Mario Imperatori s.j.