Papa kryesoi në Aventin ritete e të Mërkures së Përhime që hap kohën e Kreshmëve
Sot pasdite Benedikti XVI kryesoi në Aventin ritin e të Mërkures së Përhime: Papa
theksoi se përgjigja e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen në botën e sotme, nuk
është hakmarrja, nuk është urrejtja, por Udha e Kryqit, shtegu i dashurisë, që
të mëson t’i kundërvihesh së keqes me të mirën, gënjeshtrës – me të vërtetën; urrejtjes,
me dashurinë. Sipas traditës, Papa kryesoi një bashkësi lutjeje në formën e “Stacioneve
romake”, që filloi në Kishën e Shën Anslemit në Aventin, për të vijuar më pas, me
procesion, drejt bazilikës së Shën Sabinës, ku u kremtua Mesha e shoqëruar me ritin
e bekimit të hirit e të përhimjes. Homelia, mbajtur nga Ati i Shenjtë, filloi me
shpjegimin e traditës shumë të lashtë romake të stacioneve kreshmore, në një nga
Bazilikat ku ruhen reliket e martirëve, që përbëjnë themelet e Kishës së Romës e që,
pavarësisht nga kalimi i viteve, nuk i humbasin kurrë vlerat. Kujtohen, kështu, ata
që e dëshmuan Krishtin duke derdhur gjakun e tyre për Të, kujtesë që e nxit çdo të
krishterë të përtërijë lidhjen e tij me Ungjillin. Më pas, duke komentuar ritin
simbolik të kësaj dite, përhimjen, dhe fjalët që e shoqërojnë, Papa theksoi se një
rit i tillë na kujton qortimin e Joelit Profet, të cilin besimtarët e dëgjuan në leximin
e parë; qortim që vlen edhe për ditët tona: *** “Gjesteve të jashtme, karakteristike
për periudhën e Kreshmëve, duket t’i përgjigjet çiltërsia e shpirtit dhe koherenca
e veprave, sepse ç’vlerë ka të coptosh rrobat, kur zemra mbetet larg nga Zoti, dmth
nga e mira e drejtësia? Ajo që ka vlerë të vërtetë, është të kthehesh tek Zoti me
shpirt të penduar, për të fituar kështu mëshirën e tij”. *** Një shpirt të
ri e një zemër të re – këtë kërkojnë besimtarët sot me fjalët e Psalmit pendestar
‘Miserere’ – duke u lutur: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar!”. Besimtari i vërtetë –
theksoi Papa – i vetëdijshëm se është mëkatar, dëshiron me gjithë vetveten – shpirt,
zemër e korp – të meritojë mëshirën hyjnore që e bën krijesë të re e i kthen gëzimin
dhe shpresën. Një aspekt tjetër i përshpirtërisë kreshmore – vijoi të shpjegonte
Ati i Shenjtë, - është ai që na kujton armët e pendesës e të betejës kundër shpirtit
të së keqes. Çdo ditë – kujtoi Papa – e posaçërisht në Kohën e Kreshmëve, i krishteri
duhet të përballojë një luftë, si ajo që përballoi Krishtit në shkretëtirën e Judesë,
ku për 40 ditë u tundua nga djalli; e pastaj në Gjetsemani, kur mundi tundimin e mbram,
duke bërë deri në fund të fundit vullnetin e Atit. Është një betejë shpirtërore –
vijoi Shenjtëria e Tij, betejë kundër mëkatit e kundër shejtanit, që është zanafillë
e shkak i çdo lloj mëkati. Prej këndej Benedikti XVI kërkoi që besimtarët të jenë
vigjilentë e, duke cituar një frazë të Shën Agostinit, i ftoi të gjithë t’u kushtojnë
vëmendje jo vetëm mëkateve të rënda e mortare, por edhe mëkateve më pak të rënda të
cilat, në se nuk përfillen, sjellin vdekjen. Kreshmët – shpjegoi më pas Papa –
na kujtojnë se jeta e krishterë është një betejë e pafundme. Për ta përballuar, ngjeshim
armët lutjes, të agjërimit e të pendesës. Ndjekja e Krishtit – tha Papa, duke kujtuar
se Kreshmët e sivjetme nisin në një atmosferë konfliktesh tragjike, që kërcënojnë
seriozisht ëndrrat paqësore të njerëzimit – i bën të krishterët dëshmitarë e apostuj
të paqes. *** “Mund të themi se kjo sjellje shpirtërore na ndihmon të kuptojmë
më mirë se cila duhet të jetë përgjigja e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen
në botë. Sigurisht nuk është hakmarrja, nuk është urrejtja as ikja drejt një përshpirtërie
të rreme. Përgjigja e atij që ndjek Krishtin është të ecë në rrugën e zgjedhur nga
Ai që, përballë të këqijave të kohës së vet e të të gjitha kohërave, zgjodhi vendosmërisht
Udhën e Kryqit, duke ndjekur shtegun më të gjatë, por më të frytshëm të dashurisë.
Në gjurmët e Tij e të bashkuar me Të – porositi Papa - të gjithë duhet të impenjohemi
që t’i kundërvihemi së keqes me të mirën, gënjeshtrës – me të vërtetën; urrejtjes,
me dashurinë”. Duke kujtuar Enciklikën e tij të parë dhe fjalët e Shën Palit:
“Dashuria e Krishtit na nxit” (2 Kor 5, 14) Papa nënvizoi: “Vetëdija se në Të vetë
Zoti na dhuroi vetveten deri në vdekje, duhet të na shtyjë të mos jetojmë më për vetveten,
por për Krishtin e me Të, për të tjerët”. E dashuria – siç ripohoi Krishti në Ungjillin
e sotëm, duhet të shprehet pastaj në gjeste konkrete në ndihmë të të afërmit, e sidomos
të më të varfërve e më nevojtarëve, duke pasur gjithnjë parasysh se Ati, që është
në qiell, shikon edhe në fshehtësi e i shpërblen të gjithë ata që bëjnë mirë në heshtje,
përvujtërisht e pa kurrfarë interesi. Konkretizimi i dashurisë – theksoi me forcë
Benedikti XVI në përfundim të homelisë – është një nga elementet themelore të jetës
të të krishterëve, të cilët inkurajohen nga Jezusi të jenë dritë e botës, “që njerëzit,
duke parë veprat e mira, ta lëvdojnë Atin që është në qiell”. Në kohën e Kreshmëve
dëgjojmë si rijehon ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit
– gjë që na nxit t’ia hapim gjithnjë shpirtin fuqisë së hirit hyjnor. Kështu, të
gjallëruar nga impenjimi i fortë i lutjes, të vendosur për t’iu kushtuar më shumë
pendesës, agjërimit e vemendjes ndaj vëllezërve, të ecim drejt Pashkëve, në shoqërinë
e Virgjërës Mari, Nënës së Kishës e modelit të çdo nxënësi të vërtetë të Krishtit. *** Kështu
pra, në Romë e në të gjitha kishat katolike të botës, sot nisi koha e përgatitjes
për Pashkë. Kisha na fton kryesisht të rikthejmë tek Zoti. E kthimi ka shkallë të
ndryshme, që fillojnë me përpjekjen për ta dashur më shumë Zotin e vijonë me pendesën
për mëkatet tona, me dashurinë për të afërmin në botën e sotme, në të cilën flitet
kaq shumë për tensione, gjakmarrje, urrejtje, dhunë. Kreshmët na bëjnë thirrje për
pajtim, për pendesë, për falje. Kjo është rruga e Jezusit, që na çon drejt dashurisë,
drejt drejtësisë, drejt Pashkëve të ngjalljes!