2006-02-28 17:44:41

Papa Benedikti XVI i shkruan Patrikut ortodoks Aleksejt II


Letrën e dorëzoi kardinali Rogjer Etçegarai, kryetar nderi i Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, i cili pak ditë më parë mori pjesë, së bashku me Imzot Peninin, përfaqësues i Selisë së Shenjtë pranë Federatës Ruse, në kremtimet për ditëlindjen dhe ditën e emrit të Patrikut të Moskës. Për kardinalin Etçegarai, ftesa është simbol i respektit për Kishën katolike dhe fryt i një miqësie të përzemërt. Arrita në Moskë – i shpjegoi kardinali agjensisë Zenit – me ftesën e Patrikut Aleksei II, me të cilin që prej tridhjetë vjetësh më lidh një miqësi vëllazërore. Katolikë e ortodoksë – nënvizoi kardinali Etçegarai – duhet të bashkëpunojnë krah për krah për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të botës së sotme e për ta përhapur sa më mirë Fjalën e Krishtit. Kur kemi parasysh mesazhin ungjillor, duhet të jemi optimistë për ardhmërinë e shoqërisë dhe të kishave tona. Pyetja më e rëndësishme – tha në përfundim Kardinali - është: si mund të jemi besnikë ndaj Ungjillit të Krishtit? Për të qenë të tillë, duhet të tregohemi të guximshëm e të mos e maskojmë ose ta fshehim fenë tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.