2006-02-25 16:36:33

Ja argumentet kryesore të 26 shkurtit.


RealAudioMP3 Nga veprimtaria javore e Benediktit XVI dhe Selisë së Shenjtë:

Më 1 mars, të mërkurën e ardhshme fillojnë Kreshmët me bekimin e hirit. Papa do të kryesojë Liturgjinë Hyjnore të mërkurës së përhime në Bazilikën e Shën Sabinës në Romë.


Koncistori i parë i papnisë të Benedikti XVI për krijimin e 15 kardinajve të rinj, do të mblidhet më 24 marsin e ardhshëm.


Papa Benedikit XVI priti në audiencë në Vatikan Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.

Rubrika javore ‘Shenjtorët e javës’.


Rubrika muzikore javore kushtuar individualiteteve të shquara të muzikës shqiptare: sot prof. Spiro Kalemi do të njoftoi me kompozitorin Endri Sina, pjesë për soprano, violonçel e pianoforte
e lajme të tjera.
 
Një pasqyrë e shkurtër javore e aktiviteteve të Papës e Selisë së Shenjtë:



Më 1 mars, të mërkurën e ardhshme fillojnë Kreshmët me bekimin e hirit në bazilikën e Shën Sabinës në Romë.
Këtë ditë Papa Benedikti XVI, sipas traditës, do të kryesojë një bashkësi lutjeje në formën e “Stacioneve romake”, që do të fillojë në Kishën e Shën Anslemit në Aventin, për të vijuar më pas, me procesion, drejt bazilikës së Shën Sabinës, ku do të kremtohet Mesha e shoqëruar me ritin e bekimit të hirit e të përhimjes.
***
Benedikti XVI njoftoi se Koncistori i parë i papnisë së tij, për krijimin e 15 kardinajve të rinj, do të mblidhet më 24 marsin e ardhshëm.
Lajmi i pritur u dha të mërkurën e kaluar, në festën e Katedrës së Pjetrit, gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur në Bazilikën e Vatikanit dhe në sallën e Palit VI. Koncistori do të kremtohet më 24 mars, pasi do të paraprihet, më 23 mars, nga një takim reflektimi e lutjeje që Papa do ta mbajë me të gjithë Kolegjin kardinalor e do të pasohet, të shtunën, nga një bashkëkremtim solemn, i kryesuar nga Ati i Shenjtë së bashku me kardinajtë e rinj të Kishës, që përfaqësojnë vende të ndryshme të botës dhe kryejnë funksione të ndryshme në shërbim të Popullit të Zotit. Kardinajtë e rinj – siç tha Papa – e pasqyrojnë mirë universalitetin e Kishës: 8 vijnë nga Evropa, 3 nga kontinenti amerikan, 3 nga Azia e 1 nga Afrika.
Të kremtosh “Katedrën e Shën Pjetrit” – shpjegoi më pas Benedikti XVI gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme – do të thotë t’i japësh asaj një domethënie të thellë shpirtërore e të pranosh një shenjë të privilegjuar të dashurisë së Zotit, Bariut të mirë e të amshuar, i cili dëshiron ta mbledhë mbarë Kishën e vet e t’i prijë në udhën e shëlbimit. Katedra e Ipeshkvit të Romës përfaqëson jo vetëm shërbimin e Tij ndaj bashkësisë romake, por misionin e prijësit të mbarë popullit të Zotit.
***
Të premten e kaluar Papa Benedikti XVI priti në audiencë, në Vatikan, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Zotin Alfred Moisiu.
Bisedimi privat, në gjuhën italiane, zgjati rreth 20 minuta. Më pas Zoti Moisiu kujtoi takimin e tij me Papën Gjon Pali II, më 2 dhjetor 2002 e të Lumen Nënë Terezë, pasi i dhuroi Papës një libër me portrete të Rregulltares së lume shqiptare. Dhurata tjetër e Presidentit ishte figurja e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores të Shqiptarëve, realizuar me teknikën e mozaikut.
***
“Të jeni ndërtues urash, veprimtarë të paqes”: këtë u kërkoi Benedikti XVI ipeshkvijve katolikë të Bosnjë-Hercegovinës, të cilët i priti të premten e kaluar në audiencë, në përfundim të vizitës së tyre ‘ad Limina’. Papa vuri theksin tek kontributi që mund të japin prelatët për zhvillimin e vendit pas viteve të luftës. Shenjtëria e Tij i nxiti të gjithë besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë të impenjohen të punojnë për paqen e pajtimin, për të zbutur tensionet ndërmjet etnive, që vijojnë ta shqetësojnë vendin dhe uroi që të përfundojnë marrëveshjet për mbrojtjen e të drejtave të mërgimtarëve, pas viteve të tmerrshme të luftës.
***
‘Nuk jemi akoma në luftë civile, por kur shikojmë masakra si këto të ditëve të fundit, rreziku nuk duhet nënvleftësuar”. Kështu i komentoi Imzot Shlemon Varduni, ipeshkvi kaldé-ndihmës i Bagdadit për Agjensinë e Shtypit SIR, tensionet e kohëve të fundit ndërmjet shiitëve e sunitëve, që patën si pasojë shkatërrimin e xhamisë së lashtë shiite të Ali al- Hadit në Samarrë dhe raprezaliet gjatë të cilave vdiqën qindra vetë nga të dyja palët.
***
“Deus Caritas est”- “Zoti është dashuri” ndihmon për të zbuluar kuptimin e jetës: dashurinë. Kështu u shpreh kryeipeshkvi i Bolonjës, Karlo Kafarra të enjten e kaluar, në një ballafaqim për Enciklikën e Papës Ratzinger me psikiatrin Vitorino Andreoli, organizuar nga Dioqeza e Romës.
Në ballafaqimin, që u mbajt pranë bazilikës të Shën Gjonit në Lateran, pati pjesëmarrje të madhe dhe ndjekje me interesim po aq të madh. Reflektimin e dy oratorëve e kryesoi kardinali Kamilo Ruini i cili, ndërmjet tjerash, theksoi: “Duam të propozojmë përmasat e ndryshme të enciklikës, në mënyrë që të bëhet sa më i lehtë kuptimi i saj dhe t’i jepet një shtytje e re punës baritore dioqezane si në drejtim të baritorisë së familjes, që është e lidhur ngusht me temën e dashurisë, ashtu edhe në drejtim të ungjillëzimit”.
Psikiatri Andreoli analizoi tematikat e enciklikës, parë në këndvështrimin e realitetit të sotëm. Studiuesi pohoi se njeriu i sotëm ndjehet tepër i vetmuar, e kjo vetmi krijon një dhimbje të padurueshme, një dramë të rëndë shpirtërore, që mund të kapërcehet vetëm përmes lidhjeve, ndjenjave, takimit me tjetrin: përmes dashurisë, sepse dashuria është ilaçi më i mirë si për qytetin tokësor, ashtu edhe për atë qiellor.
***
Vatikani e konsideron mjet të vdekjes ligjin spanjoll mbi riprodhimin.
Është një nga ligjet më të rënda e më agresive në botë, mjet vdekjeje dhe sprapsjeje shkencore. Kështu e quan agjensia vatikanase Fides, Ligjin mbi teknikat e riprodhimit njerëzor të asistuar, miratuar nga parlamenti spanjoll.
Është fjala për një projekt-ligj, që përmban një sërë propozimesh, të cilat e cënojnë të drejtën natyrore. Ndërmjet tyre është edhe lejimi i prodhimit të qenieve njerëzore. Ligji vendos në mënyrë arbitrare kush meriton të quhet njeri e kush jo, manipulon gjuhën, për të manipuluar ndërgjegjet dhe drejtësinë; shpreh mendimin e rrezikshëm se arritja e qellimit i përligj mjetet dhe nuk përjashton asnjë lloj klonimi njerëzor, për të krijuar kushtet e përdorimit të klonimit mjekues; arrin deri tek autorizimi për manipulimin arbitrar të jetës, duke lejuar fekondimin e vezoreve të kafshëve me farë njerëzore, një praktikë me pasoja të paparashikueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.