2006-02-24 18:09:43

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu vizitoi Bashkësinë Kishtare të Shqiptarëve pranë Kishës së Shën Gjonit të Mullagave në Romë.
Në emër të diaspores shqiptare të Romës dhe Italisë, Presidentin Moisiu e përshëndeti prifti Arbëresh don Pakuale Ferraro, përgjegjës për baritorinë e shqiptarëve në Itali.


Përshëndetja e mirëseardhjes drejtuar zotit Alfred Moisiu, President i Repulikës së Shqipërisë, në Kishën e Shën Gjonit të Mullagave me rastin e vizitës së tij më 23 shkurt 2006 .
"I nderuar Shkelqësi, Zoti President, si rektor i kësaj Kishe, kam nderin dhe kënaqësinë e madhe t’ju uroj mirëseardhjen në emër të mbarë bashkësisë shqiptare në Romë, bashkësi që sonte mblidhet për të shprehur, rreth personit Tuaj, dashurinë plot gëzim e dhimbje për Mëmëdheun i cili, ndonëse fare pranë, nganjëherë për shumë arsye duket i paarritshëm.
Shpresa e kthimit dhe dëshira për një integrim më të mirë në indin italian, janë ndjenjat që i kundërvihen njëra-tjetrës në shpirtin e emigrantit shqiptar, i cili shpesh herë arrin të gjej ngushëllim e mirëkuptim vetëm në lutjen vetjake e në atë të bashkësisë.
Në këmbët e këtij elteri, që prej një viti, besimtarët shqiptarë mblidhen për t’u lutur, për të kërkuar e për të gjetur ndihmë e ngushëllim, duke ndarë së bashku mundimet e gëzimet e tyre e duke ia paraqitur Zotit me fe të gjallë.
E pikërisht për këtë fe, që u ruajt edhe me martirizimin e popullit në çastet më të errta të historisë, Gjon Pali II na dha një Kishë e cila, edhe me afërsinë e saj pranë bazilikës së Shën Pjetrit, do të mund të shprehte respektin e tij personal e të mbarë Kishës katolike për këtë tokë.
Sonte, Zoti President, me vizitën tuaj ndërmjet nesh, ju konfirmoni pritjet dhe entuziazmin që i ushqejmë ndër zemra çdo ditë për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Italisë e tokës sonë shqiptare.
Si arbëresh, i ardhur nga Kalabria, mendoj t’ju shpreh, me praninë time e me përgjegjësinë si Rektor, vëmendjen e Kishës italo-shqiptare për Shqipërinë.
Kisha e Shën Gjonit të Mullagave, e cila për ne është “Shtëpia e shqiptarëve”, dëshiron t’ju shprehë me gjeste të thjeshta, por konkrete, ngrohtësinë tonë tradicionale si dhe t’ju urojë punë të mbarë e të frytshme, për të cilën i lutemi Zotit, mbi të gjitha për të lehtësuar vuajtjet, braktisjen e varfërinë e për të bërë që fenomeni i emigrimit, me të cilin ballafaqohemi ditë për ditë në punën tone baritore, të mos jetë më shprehje e vështirësive ekonomike, por e nevojës të shkëmbimit kulturor, të gëzimit e të vëllazërimit e njëkohësisht, edhe symbol i pasurisë së popujve, siç ka qenë gjithnjë në histori.
Zoti na dhëntë të gjithëve forcën për ta shikuar me frymën e paqes e të dashurisë ardhmërinë e tokës sonë fort të dashur e Juve, ju bekoftë!" Don Paskuale Ferraro








All the contents on this site are copyrighted ©.