2006-02-24 10:55:24

Në zbulimin e rrënjëve të krishtera të Evropës:


RealAudioMP3 “Në zbulimin e rrënjëve të krishtëra të Evropës”: vijojmë me ciklin e reflektimeve mbi këtë argument. Në mikrofonin e Radio Vatikanit flet kardinali Angjelo Skola. Disa takime radiofonike për të rizbuluar rëndësinë dhe bukurinë e thesarit të krishterë të Kontinentit evropjan. Të enjtën dhe të premtën e kaluar – dëgjues të nderuar – mbi këtë argument kemi dëgjuar historianin e mesjetës prof. Franco Cardinin, i cili foli mbi mesjetën dhe krishterimin. Sot po vazhdojmë bisedën mbi Kontinentin e Vjetër dhe kësaj radhe ju propozojmë reflektimin e kardinalit të Venecies hirësisë së tij Angjelo Skola, mbi mungesën e referimit të rrënjëve të krishtera në parathënien e Kartës së Kushtetutës evropiane, pavaresisht thirrjeve të vazhdueshme të Papës Gjon Palit II-të që të përmenden rrënjtë e krishtera . “Nuk priten rrënjët nga të cilat kemi lindur”, pati thënë Papa Wojtila duke iu drejtuar Evropës:


Përgjigje: Më duket se debati asokohe, mbi të gjitha u kushtëzua nga një keqkuptim, sepse, kur magjisteri papnor iu referua rrënjëve të krishtera nuk pati parasysh një fosilje, por sikurse ndodh me rrënjët e gjalla, iu referua diçkaje që ushtron ndikim, forcë, dhe tregon vlerat e veta në kohën e tashme. Pra të krishterët nuk pretendojnë asgjë nga e kaluara dhe nuk kanë nevojë për çertifikata mirënjohjeje. Porse kërkojnë që të gjithë t’i bëjnë pyetje vetvetes nëse kriteret, principet, qëndrimet që Krishtërimi futi në Evropë janë kusht paraprak për një jetë të mirë, për një jetesë më të mirë edhe në Evropën e tranzicionit e aq shumë të ndërlikuar sot. Ky është thelbi i çështjes... Krishterimi ka konceptin e individit, të dinjitetit të tij. Si rrënjë ideale të drejtësisë ka atë çka jipet falas. Të gjithë këto janë faktorë për të cilët Evropa e sotme, Evropa e shumë kulturave, e shumë feve, Evropa e shartimit të qytetërimeve, siç e quaj unë, ka jashtëzakonisht nevojë.


Pyetje: Kampioni i laicitetit, filozofi Benedetto Croce, pat deklaruar - e për më tepër është një pohim shumë i njohur – “nuk mund të mos quhemi të krishterë”. Sot ndoshta po humbet ky ndërgjegjësim. Pse?


Përgjigje. Edhe për këtë pohim të filozofit Croce duhet të mirremi vesh. Domethënë: Krishterimi nuk është një fe civile dhe ne nuk propozojmë që ta reduktojmë Krishterimin deri sa ta kthejmë në një fe civile. Gjithashtu të krishterët nuk janë as popull pa atdhe. Sigurisht besimi i jetuar me fe të gjallë nga bashkësia e Krishterë nuk mund të mos ketë ndikim në jetën qytetare, por të krishterët e sotëm janë të ndërgjegjshëm se ky ndikim përballet vazhdimisht në arenën e laicitetit me të gjitha subjektet që gjenden për fushë. Është një ballafaqim që duhet të bazohet te respekti për të gjitha këndvështrimet, një ballafaqim që duhet të jetë vend propozimi dhe dialogimi dhe që autoritetet përkatëse duhet të garantojnë. Pra të krishterët nuk kanë ndërmend t’i imponojnë asgjë askujt. Duan vetëm të propozojnë një stil jete të mirë që i ka rrënjët te besimi e që ata, të krishterët, nuk tremben ta krahasojnë me stilet e tjera, duke respektuar procedurat demokratike që ekzistojnë në të ashtuquajturat demokraci zyrtare, klasike për Perëndimin.


Pyetje: Kisha përmes zërit të vet më autoritar, atij të Papës – dje të Gjon Palit II, sot Benediktit XVI – nënvizon se Evropa nuk duhet të harrojë rrënjët e veta nëse nuk do që të humbasë rrugën. Nga buron ky shqetësim?


Përgjigje: Shekuj e shekuj histori na thonë se rrënjët e krishtera kanë qenë tokë pjellore për të rritur njerëz me virtyte, ndërtues të së mirës së përgjithshme. Pra, qoftë edhe në forma të reja, ne të krishterët jemi të bindur se duhet të çojmë në arenën politike konceptimin e së mirës së përgjithshme, e cila te respekti ndaj Zotit, njerzve, te kultivimi i të dhënit falas, te qëndrueshëmëria e martesës mes burrit dhe gruas besnike, gjen pika referimi që janë të leverdisshme për të gjithë.


Pyetje: Hirësi nga duhet t’ja fillojmë? Si t’i bëjmë brezat e rinj të rizbulojnë historinë e pasur që ka Evropa?


Përgjigje: Ja, kjo është një gjë themelore! Kisha është në thelbin e vet një subjekt edukues. “Do të edukoheni gjithnjë nga Zoti” , thotë Shën Gjoni. Kisha i kushton vëmendje zhvillimit harmonik të të gjitha lirive të të gjithë njerëzve. Duhet ta ripërtërijmë, ta rilindim këtë detyrë edukative nëpër famullitë tona, nëpër bashkësitë tona. Dhe kjo bëhet vetëm përmes një dëshmije dashurie.


Pyetje: Sa është e dobishme për ekumenizmin, që Kisha vazhdimisht t’u referohet rrënjëve të krishtera?


Përgjigje: Unë mendoj se është absolutisht e rëndësishme sepse ekumenizmi pohon se ftesa e Jezusit për bashkim, si kusht për këtë komunikim, nuk mund të shtyhet.
Duhet të vendoset energjikisht mes të krishterëve, pa sipërfaqësi, me gjithë kohën që do të duhet, për këtë bashkim. Ky bashkim vjen nga epoka e një travaji të madh — travaj, do të thotë, në të njëjtën kohë, dhimbje, por një dhimbje e ngarkuar me shpresë që pret fryte — që ne po jetojmë.












All the contents on this site are copyrighted ©.