Papa Benedikti XVI shpreh dhimbjen për viktimat e sulmeve mbi kishat e Nigerisë.
Në një telegram
– Shenjtëria e Tij i inkurajon të gjithë të punojnë për paqen në vendin afrikan. Në
mikrofonin tonë, prelati nigerian, Antoni Obina dhe ipeshkvi Bruno Forte, i cili ndalohet
kryesisht në thirrjen e Papës për respektimin e lirisë fetare. Papa shpreh
dhimbjen e tij të thellë për viktimat e protestave të dhunshme në Veri të Nigerisë,
gjatë të cilave gjetën vdekjen më se 15 të krishterë. Në një telegram, nënshkruar
nga kardinali Angelo Sodano, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Benedikti XVI u shpreh
afërsinë e tij shpirtërore familjeve të viktimave dhe kujton në mënyrë të veçantë,
Atë Mikel Gajeren, vrarë gjatë sulmit mbi kishën e tij. Gazeta vatikanase ‘L’Osservatore
Romano’ nënvizon se meshtari e dëshmoi Ungjillin në shkallën më të lartë, duke dhuruar
jetën për Krishtitn, pikërisht si don Andrea Santoro. Atë Gajere u vra mizorisht,
pasi ia doli mbanesh të shpëtonte heroikisht ministrantët e vegjël, të pranishëm
në famulli. Ati i Shenjtë lutet për të gjithë njerëzit e impenjuar për të garantuar
sigurinë, duke inkurajuar përpjekjet e tyre për sigurimin e paqes dhe promovimin e
shtetit të së drejtës, që e dëshirojnë të gjithë njerëzit vullnetmirë. Por, si po
e jeton Kisha në Nigeri këtë çast të vështirë? Përgjigjet, në mikrofonin e radios
sonë, prelati nigerian, Entoni Obina, kryeipeshkëv i Ouerit: *** -
Kërkojmë gjithnjë të kemi dialog me myslimanët, posaçërisht në dioqezën verirore
të Maudugurit, ku të krishterët i kanë dënuar karikaturat e Muhametit. *** -
Imzot Obina, është thjeshtë çështje fetare, apo fshihen edhe aspekte politike pas
këtyre ndeshjeve? *** - Qeveria e Veriutnuk ka bërë kurrë aq sa
duhet për të mbrojtur jetën e të krishterëve. Pas 11 shtatorit, kur në Nju Jork
Al Kaeda shembi Kullat Binjake, në Nigeri rreth 200 të krishterë u vranë, ndërsa shumë
kisha u dogjën. Shpesh herë politikanët myslimanë i manipulojnë besimtarët e varfër
islamikë dhe e përdorin emrin e Zotit, të Allahut, për t’i shtyrë njerëzit në përdorimin
e dhunës. Në veri të Nigerisë udhëheqësit islamikë i përdorin kështu njerëzit e varfër
për të kryer veprime të dhunshme jo për qëllime fetare, por politike. Përveç meshtarit
të vrarë, ishte në rrezik vdekjeje edhe ipeshvki i Maudugurit. Deshën ta digjnin të
gjallë duke i vënë flakën shtëpisë ku banon, por për fat të mirë, atë ças ishte jashta
dioqezës. *** Ndërkaq policia pakistaneze njofton se ka arrestuar 23 persona
të cilët, të dielën e kaluar, i vunë zjarrin dy kishave të krishtera në qytetin jugor
të Sukurit. Komisioni “Drejtëssi e paqe” i Konferencës Ipeshkvnore të Pakistanit ka
shpërndarë një komunikatë, përmes së cilës dënon “shkeljen e tmerrshme të ligjit dhe
paaftësinë e qeverisë për të ndaluar shpërdorimet fetare që janë vërejtur në Pakistan”.
Ndërkaq kanë pasur jehonë të gjërë fjalët e Benediktit XVI i cili dje, në fjalimin
drejtuar ambasadorit të Marokut pranë Selisë së Shenjtë, ripohoi se asnjë lloj fyerje
nuk mund ta përligjë dhunën. Lidhur me thirrjen e Papës, ftuam për një reflektim,
në mikrofonin e radios sonë, imzot Bruno Forten, kryeipeshkëv i Kieti- Vastos: *** -
Argumenti kryesor i asaj që thotë Papa është se respektimi i ndërgjegjes e, prej
këndej, i lirisë fetare, është vlerë themelore e lidhur me atë të dinjitetit të pakufizuar
të njeriut, të çdo njeriu. Duke u nisur nga ky parakusht, arrijmë tek disa pasoja
tepër të rëndësishme, të cilat na kujtojnë se fyerja që i bëhet vetëdijes fetare,
nga cilado palë që të vijë, është e papranueshme e duhet refuzuar me vendosmëri. Së
dyti, për të njëjtën arsye, ata që e ndjejnë veten të fyer sepse është përdorur satira
kundër vlerave e simboleve fetare themelore të besojmës së tyre, duhet të jenë garantë,
rojtarë të lirisë fetare të të tjerëve. E kjo do të thotë që, në se Islami ka të drejtë
të ndjehet i fyer nga karikaturat, për të njëjtën arsye e ka edhe për detyrë të garantojë
dinjitetin dhe lirinë fetare të çdo njeriu. *** - Papa ripohon, edhe në këtë
situatë të vështirë, një temë të fortë, që karakterizon Papninë e tij: e vërteta dhe
dashuria janë të pandashme. Si mund ta vemë në jetë këtë parim në fushën e marrëdhënieve
ndërmjet feve e kulturave? *** - E vërteta e madhe, në bazën e këtyre marrëdhënieve,
është pikërisht vlera e patjetërsueshme, e shenjtë, e personit njerëzor, e qenies
njerëzore si e tillë. Për ta argumentuar këtë, Papa përdor motive që i përkasin antropologjisë
së përgjithshme. Papa nuk luan rolin e avokatit të Zotit, ai flet në emër të dinjitetit
të njeriut, të çdo njeriu. E pikërisht për këtë arsye fjala e tij duhet dëgjuar jo
vetëm nga besimtarët, por nga të gjithë njerëzit. Mbi bazën e kësaj së vërtete themelore
të dinjitetit të njeriut, të qenies njerëzore, të ndërgjegjes, lidhja fe-kulturë duhet
garantuar nga dy parime themelore: i pari, liria fetare; por pa harruar parimin e
dytë; sipas tij, liria e secilit duhet të matet e të vërtetohet mbi bazën e lirisë
të të tjerëve. - Pikërisht duke u nisur nga fjalët tuaja të fundit, kujtojmë se
nga të katër anët kërkohet respektimi i të drejtës së reciprokësisë. Në botën islamike
kjo ndjeshmëri për lirinë fetare nuk është e fortë, si në Perëndim. Prej nga duhet
të nisemi, atëherë? ***- Sigurisht nga procesi i dialogut me karakter kulturor,
i cili në mënyrë të natyrshme, është edhe fetar. Duhet mbështetur gjithnjë vlera e
dialogut. Së dyti, edhe nga qartësia në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me fjalë të tjera,
në sistemin ndërkombëtar të marrëdhënieve, vendet perëndimore që garantojnë dhe mbrojnë
të drejtat e të gjithëve, duke filluar nga e drejta e lirisë fetare, e kanë për detyrë
të ngrenë zërin, në mënyrë që këto të drejat të respektohen kudo. E kjo është edhe
një nga detyrat kryesore të OKB-së.