2006-02-21 20:23:28

Lajme shoqërore politike 21 Shkurtit:


RealAudioMP3 Sipas televizionit BN të Bosnjës sot pasdite u arrestua në Beograd Ratko Mladiq, ish gjenerali serb i kërkuar nga gjykata e Hagës për krime lufte dhe mbi të gjitha për genocidin e ushtruar ndaj banorëve të Srebrenicës. Gjithnjë sipas këtij kanali televiziv Mladiqi në këto çaste po transferohet drejt Tuzlës prej nga do të shkojë në Hagë për t’i nënshtruar gjykimit. Sidoqoftë lajmi u përgënjeshtrua nga Sërgjan Gjuriq, zëdhënës i kryeministrit serb Vojislav Koshtunica.


Në Vjenë përfundoi raundi i parë i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit për të ardhmen e statusit të Kosovës. Në konferencën për shtyp zëvendëskryenegociatori Rohan tha se raundi i parë ishte sa për paraqitjen e qëndrimit të të dyja palëve në lidhje me decentralizimin. Takimi i dytë do të mbahet me 17 mars. Po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt.................2.02”


“Ftesa që Shqipëria të hyjë në NATO në 2008 është pasaporta më e shkëlqyer e sigurisë, e së ardhmes, dhe e zhvillimit të këtij vendi” u shpreh kryeministri Berisha gjatë takimit të grupit ndërministror për integrimin në NATO. Më pas kryeministri tha se qeveria e tij do të bëjë të tëra përpjekjet dhe do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që të hyjë në NATO në 2008-ën.


Presidenti palestinez Abu Mazen ngarkoi sot zyrtarisht Ismail Hanijehun, përfaqësues të Hamasit të formojë qeverinë e re. Sipas ligjit kryeministri i ri ka kohë deri me 14 mars për të paraqitur përbërjen e qeverisë së vet por mundet edhe të kërkojë dy javë shtesë.


Kryeministri i Pakistanit Shaukat Aziz i kërkoi Konferencës Islamike që të mblidhet urgjentisht pas revoltave të dhunshme kundër karikaturave të Muhametit, të cilat vijojnë të shkaktojnë viktima. “Islami është fe paqësore. Dënojmë dhe distancohemi nga dhuna e shprehur gjatë demonstrimeve” deklaroi kryeministri i Pakistanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.