2006-02-20 20:22:00

Dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI e ftoi njerëzimin t’i shërojë sëmundjet e veta duke e hapur zemrën për dashurinë e Zotit,


e vetmja forcë e vërtetë që e përtërin botën. Papa shprehu edhe dhimbjen e tij të thellë për viktimat e fatkeqësisë së natyrës që ka tronditur rëndë Filipinet.
***
Njerëzimi i sotëm nuk është më në gjendje të ecë në rrugën e paqes e të drejtësisë; është bllokuar, si paralitiku i Ungjillit e nuk mund të ngrihet mbi këmbët e veta. Njeriu i Ungjillit shërohet, sepse katër vetë e mbartin e e çojnë tek Jezusi, në të cilin kanë besim të plotë. Edhe njerëzimi mund të shërohet nga paralizimi, në se beson në dashurinë e Zotit, e vetmja që mund ta përtërijë zemrën e njeriut. Ky është mësimi kryesor, i frymëzuar nga liturgjia e së dielës, që Benedikti XVI ua shpjegoi besimtarëve në lutjen e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës sensibilizoi mbarë botën për të ndihmuar viktimat e katastrofës natyrore që ndodhi pak ditë më parë në Filipine:
***
IN A SPECIAL WAY OUR HEARTS TURN TO ALL THOSE SUFFERING…
Në mënyrë të veçantë, zemrat tona janë pranë atyre që vuajnë për shkak të pasojave shkatrrimtare të shkarjes së dheut në Filipine. Ju kërkoj të bashkoheni me mua në lutje…- tha Papa.
Ngushëllimet e Papës për fatkeqësinë natyrore dhe solidariteti i Tij për familjarët e të vdekurve e të humburve, shprehur në gjuhën angleze pas lutjes mariane, shërbyen si shembull, i cili na kujton vuajtjet fizike e materiale që mund t’i vijnë njeriut papritmas nga jashtë, në këtë rast, nga natyra. Por njeriu rrezikohet edhe nga një dhimbje tjetër, me karakter më intim, që Benedikti XVI e vuri me forcë në dukje, duke marrë shtytje nga figura e gjytrymit (ulokut, paralitikut) të shëruar nga Jezusi:
***
“Paralitiku është shëmbëlltyrë e çdo njeriu, të cilin mëkati e pengon të lëvizë lirisht, të ecë në rrugën e së mirës, të japë gjithë ç’ka më të çmuar. Në të vërtetë e keqja, që bën fole në zemrën e njeriut, e lidh me leqet e gënjeshtrës, të inatit, të zilisë e të mëkateve të tjera e pak nga pak arrin deri atje, sa ta paralizojë. Mesazhi është i qartë: njeriu i paralizuar nga mëkati ka nevojë për mëshirën e Zotit, për atë mëshirë të cilën erdhi t’ia japë Krishti, me qëlllim që, si ta ketë shëruar zemrën, të lulëzojë gjithë qenia e tij.
Edhe sot - vijoi Papa – njerëzimi mban shenjat e mëkatit. E mëkati e pengon të përparojë në vlerat e vëllazërisë, të drejtësisë e të paqes që i propozohet përmes deklaratave të ndryshme. Por, pse ndodh kjo? – pyeti Papa:
***
“Çfarë e pengon ecjen e tij? Ç’e paralizon këtë zhvillim të përgjithshëm? E dimë mirë se, në planin historik, shkaqet janë të shumta, ndërsa problemi – i ndërlikuar. Por fjala e Zotit na fton të shikojmë me syrin e fesë e të besojmë, si njerëzit që e mbartën ulokun, të cilin vetëm Jezusi mund ta shëronte me të vërtetë”.
***
Duke kujtuar se paraardhësit e tij, e në mënyrë të veçantë i dashuri, Gjon Pali II, dëshën, përmes ndërmjetësimit të Zojës së Papërlyer, t’i çojnë njerëzit e kohës sonë te Krishti Shëlbues, për t’i shëruar, Benedikti XVI pohoi:
***
Edhe unë dëshiroj të vijoj ecjen në këtë rrugë. Në mënyrë të veçantë, me Encilkikën time të parë ‘Deus Caritas est’, desha t’u tregoj besimtarëve të mbarë botës Zotin si burim i vërtetë dashurie. Vetëm dashuria e Zotit mund ta rinojë zemrën e njeriut e vetëm në se shërohet në zemër, njerëzimi i paralizuar mund të ngrihet përsëri në këmbë e të ecë. Dashuria e Hyjit është forca e vërtetë që e bën botën të re!"







All the contents on this site are copyrighted ©.