2006-02-16 10:43:01

Mesazhi i Papës për asamblenë e përgjithshme të Këshillit botëror të Kishave, që po zhvillohet në Porto Alegre të Brazilit.


Nisi dje në Porto Alegre të Brazilit, pranë Universitetit Papnor Katolik të Rio Grande do Sul, asambleja e 9-të e Këshillit Botëror të Kishave mbi temën “Shndërroje botën, o Zot, nëpërmjet hirit tënd”. Në këtë ngjarje merr pjesë kardinali Walter Kasper, president i Këshillit Papnor për promovimin e bashkimit të krishterëve, i cili solli një mesazh nga Ati i Shenjtë.
“Të vetëdijshëm për fenë tonë pagëzome në Zotin Trini — shkruan Benedikti XVI — Kisha Katolike dhe Këshilli Botëror i Kishave kërkojnë forma bashkëpunimi gjithnjë e më efikase për të dëshmuar dashurinë e Zotit. Pas 40 vjetësh të një bashkëpunimi të frytshëm, shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë shprese e premtimesh ndërsa rrisim vrullin e punës sonë për t’ia arritur asaj dite kur të krishterët do të bashkohen për t’u shpallur të gjithëve mesazhin ungjillëzues të shpëtimit”. Papa fton që “të jemi të hapur ndaj shenjave të Provanisë dhe frymëzimit të Shpirtit Shenjt, për arsye se e dimë se ky qëllim i shenjtë i pajtimit të të gjithë të krishterëve në një Kishë të vetme të Krishtit i kalon forcat dhe dhuntitë njerëzore”.
Në këtë takim marrin pjesë 4 mijë vetë, mes të cilëve 1200 delegatë nga 347 Kisha të Këshillit, të cilat kanë 550 milionë besimtarë protestantë, anglikanë dhe ortodoksë. Kisha Katolike nuk merr pjesë drejtpërsëdrejti në këtë organ por bashkëpunon me të përmes mbledhjeve të grupit të përzier si edhe përmes realizimit të projekteve të përbashkëta. Gjatë punimeve të Porto Alegres, që do të vijojnë deri me 23 shkurt, do të shqyrtohet strategjia e Këshillit Botëror përsa i përket temave si drejtësia ekonomike, zhdukja e varfërisë, identiteti i krishterë dhe shumëllojshmëria e feve.








All the contents on this site are copyrighted ©.