2006-02-14 17:33:18

Kardinal Martino paraqet nesër në Kubë “Përmbledhjen e Doktrinës Shoqërore të Kishës” dhe shpreson për një takim me Fidel Kastron.


RealAudioMP3 “Kisha nuk mundet e nuk duhet të marrë në duar betejën politike për të realizuar shoqërinë më të drejtë të mundshme. Nuk duhet e nuk mund të zërë vendin e shtetit. Por nuk mundet dhe as nuk duhet të mënjanohet nga lufta për drejtësinë.” Këto fjalë tepër domethënëse të enciklikës “Deus Caritas Est” të Benediktit XVI, do të jenë lajtmotivi dhe idea udhëheqëse që i paraprin paraqitjes së “Doktrinës shoqërore të Kishës” që drejtori i Kolegjit Papnor Drejtësi e Paqë, kardinal Renato Martino, përgatitet për të kryer në tri vende karaibiane të Amerikës Qëndrore — Kubë, Republikë Dominikane dhe Porto Riko — nga 15 deri 24 shkurti.
Intervistë e Paolo Scapucci-t ...(2.51)


Kardinali i cili prej më shumë se një viti po viziton vende të shumta në të gjitha kontinentet, nga Meksika në Rusi, nga Brazili në Tanzani, do të niset të enjten për në Havanë në Kubë, për të ilustruar linjat themelore të mësimit të doktrinës shoqërore të kishës. Kardinali mes tjerash ka bërë edhe kërkesë për t’u takuar me Fidel Kastron. Të dielën Kardinali do t’u flasë laikëve mbi doktrinën shoqërore të kishës, ndërsa me datë 20, e hënë, do të shkojë në Ponsë, pranë Universitetit Katolik të Porto Rikos, ku do t’u paraqesë meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, seminaristëve dhe laikëve “Përmbledhjen e Doktrinës Shoqërore të Kishës”. Të nesërmen do të mbajë një “lektio magistralis” mbi këtë temë për profesorët dhe studentët e Ateneut dhe pastaj për politikanët dhe biznesmenët latinoamerikanë.


Një ndër idetë udhëheqëse që Drejtori i Kolegjit “Drejtësi dhe Paqë” do të vërë në dukje në paraqitjen e “Përmbledhjes”, do të jetë edhe koncepti që u theksua nga Benedikti i XVI në mesazhin e vet të parë për Krezhmët: “Në asnjë mënyrë nuk mund të ndahet përgjigja e nevojave materiale dhe shoqërore të njerëzve nga përmbushja e dëshirave të zemrave të tyre” për të arritur sigurisht tek ai njerëzim ku janë të gjithë pjesëmarrës, njerëzim, i cili, siç na mëson Benedikti XVI “parasheh zhvillimin e plotë të njeriut dhe të të gjithë njerëzve”. Ndihmesa e parë që Kisha mund të japë në këtë vështrim, “nuk përmblidhet vetëm te mjetet materiale apo rrugëdaljet teknike” – vijon Ati i Shenjtë, por te “shpallja e së vërtetës së Krishtit, që edukon ndërgjegjen dhe flet për dinjitetin e individit dhe të punës, duke nxitur formimin e një kulture që me të vërtetë i jep përgjigje të gjitha pyetjeve të njeriut”.








All the contents on this site are copyrighted ©.