2006-02-10 20:10:09

“Shërbimi i fesë është shërbim gëzimi”: kështu tha Papa Benedikti XVI-të në audiencën e sotme në Vatikan me pjesëmarrësit e mbledhjes Plenare të Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë.


“Arsyeja dhe feja nuk janë në garë”: tha mes tjerash Benedikti XVI dhe bëri ftesë për t’i thelluar pa frikë të vërtetat e zbuluara nga arsyeja.
“Jezusi është ylli polar i lirisë njerëzore” – nënvizoi Papa gjatë audiencës, mbajtur në Sallën Klementine në Vatikan, në përfundim të punimeve të asamblesë plenare të Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Ishte një takim i veçantë për Benediktin XVI. Ati i Shenjtë kujtoi me emocion më se 20 vjetët e jetës së tij të kaluara në udhëheqjen e këtij dikasteri, i cili ka për detyrë – siç shpjegoi vetë Papa – të promovojë e të mbrojë doktrinën e fesë dhe moralin e mbarë Kishës katolike.
E feja ka një rëndësi themelore në jetën e Kishës – shtoi Papa – sepse themelor është edhe dhurimi e vetvetes që bën Hyji në Zbulim e ky vetdhurim i Hyjit pranohet përmes fesë. Prandaj Kongregata për Doktrinën e Fesë – nënvizoi Benedikti XVI - duhet të rikujtojë “se e vërteta e fesë është në qëndër të jetës së krishterë, e cila gjallërohet nga një dashuri që nuk njeh pengesa as kufij”.
Kjo dashuri lind nga takimi me Krishtin në fe – shpjegoi Benedikti XVI dhe në vijim theksoi: Jezusi është ylli polar i lirisë njerëzore:
***
Pa Të njeriu humbet drejtimin, sepse pa njohjen e së vërtetës, liria çoroditet, izolohet e reduktohet në arbitraritet të shterpët. Me Të liria rigjindet, rinjihet, për t’u vënë në shërbim të së mirës dhe shprehet në veprimtari bamirësie”.
***
S’ka forcë më të madhe se dashuria për të vërtetën – shtoi Ati i Shenjtë - që mund ta shtyjë inteligjencien njerëzore drejt horizonteve të panjoihura:
***
“Vetëm e vërteta është e aftë ta pushtojë mendjen e ta bëjë të ngazëllehet plotësisht”.
***E Kisha – tha në përfundim Papa duke pasur parasysh temën e asamblesë – i pranon fitoret e vërteta të diturisë njerëzore, sepse ungjillëzimi kërkon edhe njohjen e horizonteve dhe të sfidave të dijes moderne.







All the contents on this site are copyrighted ©.