2006-02-08 19:47:08

Kisha katolike kujtoi sot me 8 shkurt shenjtorët Jeronim Emiliani dhe Gjyzepina Bakita:


Kisha katolike kujtoi sot shenjtorët Jeronim Emiliani dhe Gjyzepina Bakita: shembulli i tyre i nxit besimtarët për besnikëri të guximshme ndaj Krishtit në vuajtjet e përditshme.Fisnik venecian, që jetoi në shekullin XVI, Jeronim Emiliani ëndërronte një karrierë që do t’i dhuronte lavdi. Nisi, prandaj jetën ushtarake, por si u zu rob gjatë një beteje, e mbyllën në qelitë e nëndheshme të një kështjlele, lidhur këmbë e kokë me zinxhirë. S’mund të bënte tjetër, veç të kujtonte jetën e tij të shkurtër, të mendonte për kotësinë e pushtetit njerëzor, të sillte ndër mend të ëmën, që e kishte mësuar të lutej e t’ia besonte veten Zojës së Bekuar, Nënës së Krishtit e nënës shpirtërore të gjithë të krishterëve. E kështu, falë lutjes, nisi ta ndjejë veten të lirë. Takimi personal me Zotin, përmes Virgjërës Mari, i la gjurmë të thella në jetë. Kur rifitoi lirinë, jeta e tij mori një kthesë rrënjësore: ndërroi miqësitë, nisi të lexojë çdo ditë Fjalën e Zotit, ndjeu thirrjen për impenjim misionar në shërbim të të varfërve, të sëmurëve, të rinjve të brakstisur e grave të penduara. E kështu, pas një periudhe të shkurtër noviciati si pendestar me Gjampietro Karafën, papën e ardhshëm Pali IV, Jeronimi ia kushtoi gjithë jetën Zotit. Tërhoqi me shembullin e vet shumë meshtarë e laikë të cilët, ashtu si ai, dëshironin t’i shërbenin Krishtit ndër të varfërit. Lindën kështu “Shërbëtorët e të varfërve” e pastaj edhe “Urdhëri i Klerikëve Rregulltarë të Somaskës”, ose Etërit Somaskë, që e morën emrin nga qyteti lombard në Itali, ku bashkëpunëtorët e shenjtit shkonin për t’u lutur. Shën Emiliani përsëriste gjithnjë fjalët: “Në se Zoti gjen në shpirtin tuaj fe të çiltër e shpresë, do të bëjë me ju gjëra të mëdha, sepse ai i larton të përvujtët. Në se e ruani veten në mes të tundimeve, Zoti do t’ju ngushëllojë në këtë botë; do t’ju japë përkohësisht paqe e qetësi këtu poshtë e pastaj, përjetësisht, në botën tjetër”. Vdiq gjatë epidemisë të një sëmundjeje ngjitëse më 8 shkurt 1537.

Gjyzepina Bakita lindi në Sudan në vitin 1869. Iu desh të provonte ankthin e rrëmbimit e të skllavërisë. Si u shit disa herë në tregjet e skllevërve në El Obeid e në Kartum, u blé, më në fund, nga konsulli italian. Me të shkoi në Venedik, ku u njoh me motrat kanoziane. Gjyzepina iu lut atyre ta ndihmonin për të njohur atë Zot, të cilin e kishte ndjerë në zemër pa e ditur akoma se kush ishte. E u tregonte rregulltareve: “Duke parë diellin, hënën e yjet, thosha me vete: “Kush do të jetë zotëria i këtyre sendeve? E ndjeja një dëshirë të zjarrtë për ta parë, për ta njohur e për ta nderuar”. Jetoi pesëdhjetë vjet me radhë duke shërbyer në shtëpinë e simotrave, të cilat e nderonin për ëmbëlsinë e saj të përhershme, për mirësinë e saj e për dëshirën që të njihte Zotin. U la trashëgim fjalët: “Të jeni të mira, duajeni Zotin, lutuni për ata që nuk e njohin! Sikur ta dinin ç’hir i madh është ta njohësh Zotin!”.
Në pleqëri kaloi një sëmundje të rëndë e të dhimbshme. Dha shpirt më 8 shkurt të vitit 1947 rrethuar nga simotrat dhe nga një turmë e madhe njerëzish, që u mblodh për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Nënës së shenjtë zeshkane” e për t’i kërkuar ndërmjetësim nga qielli.







All the contents on this site are copyrighted ©.